Dialogu, PS e gatshme, por këmbëngul për kutitë
Krahas gjuhës së fortë dhe akuzave që sa vijnë e ashpërsohen, opozita ka bërë të ditur edhe gatishmërinë për dialog. Nisja e takimeve nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka diktuar edhe reagimin e drejtuesve të protestës kundër qeverisë, të cilët përgjatë gjithë ditës dje kanë bërë të ditur vullnetin për të dialoguar. “Asnjëherë nuk kemi refuzuar ndonjë ftesë nga cilado anë që ajo ka ardhur, apo që mund të vijë, për të diskutuar çështje që kanë të bëjnë me interesin publik, siç është kjo çështje madhore për Shqipërinë dhe për njerëzit”, u shpreh dje Edi Rama. Po kështu, edhe drejtues të tjerë të Partisë Socialiste kanë përsëritur idenë e bisedimeve, por që sërish po kushtëzohen me hapjen e kutive të votimit. “Jemi këtu për të treguar të vërtetën, sepse e vetmja e vërtetë është ajo e votës së lirë. I bëj thirrje Berishës: Ulu në tavolinë dhe dialogo me vëllezërit e tu”, ka deklaruar deputeti Pandeli Majko në daljen e vet të parë publike në podiumin e grevës së urisë. Një apel ky që i vjen Sali Berishës nga rruga, por që sërish me kushtin e kutive që në të vërtetë e asgjëson mundësinë e çdo dialogu. Teknikisht opozita ka bërë një hap përpara, edhe pse formal, teksa i ka kërkuar edhe kreut të shtetit që të marrë përsipër përgjegjësitë e veta dhe të ndërmjetësojë zgjidhjen e krizës politike në vend. Më i qartë në këtë drejtim ka qenë ish–ministri i Arsimit, Et’hem Ruka, i cili duke folur përpara protestuesve dje, ka bërë thirrje për dialog. “I bëj thirrje Berishës të dalë nga kulla ku është ngujuar dhe të reagojë përballë popullit të vet. I bëj thirrje Presidentit të angazhohet për të zgjidhur ngërçin politik dhe të mos i lërë ngjarjet të rrjedhin në mënyrë spontane”, u shpreh Ruka. Më parë, gjatë paradites, edhe deputetët të tjerë socialistë kanë miratuar ndërhyrjet e Presidentit, edhe pse i kanë cilësuar ato të vonuara. Dy ditët e fundit, kreu i shtetit, Bamir Topi, ka zhvilluar takime me përfaqësues të diplomacisë europiane në Tiranë, në të cilat është vënë theksi te nevoja e rivendosjes së komunikimit politik institucional.
#