Dialogu Prishtinë-Beograd, pikat doganore të veriut jo pjesë e bisedimeve

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka hedhur poshtë mundësinë e diskutimit të pikave doganore të veriut në raundin e ardhshëm të bisedimeve. “Temat janë të përcaktuara, sikurse janë të përcaktuara temat që nuk do të mund të diskutohen asnjëherë - pikat doganore janë çështje që i takojnë sovranitetit tonë dhe organizimit të brendshëm juridik dhe kushtetues”- tha Kuçi gjatë një takimi me gazetarët. Çështja e diskutimit për pikat doganore në Bruksel është iniciuar nga shefi i ekipit negociator serb, Borisllav Stefanoviç, i cili ka thënë se për këto tema do të flitet vetëm me Brukselin, por jo edhe me delegacionin e Prishtinës.
Por, Maja Koçijançiç, zëdhënëse në kabinetin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, i tha Radios Evropa e Lirë se deri më tani në axhendë të bisedimeve janë vetëm energjia, telekomunikacioni dhe bashkëpunimi rajonal. “Nuk mund të spekuloj se çfarë do të sjellë njëra apo pala tjetër”- tha Koçijançiç.