E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plas gripi i derrave te Hanoveri i Altin Lalës

 

Jetmir Halilaj

Skuadra e mesfushorit Altin Lala dhe sulmuesit Valdet Rama para fillimit të edicionit 2009-2010 në Bundesligë, që nis në fund të kësaj jave, po kalon nëpër shumë probleme, shkruajnë të hënën mediumet gjermane. Hanoverit nuk i janë ndalur problemet vetëm me eliminim nga Kupa e Gjermanisë dhe telashet me tifozët. Drejtuesit e klubit menjëherë pas ndeshjes e kanë dërguar në shtëpi futbollistin Hendrik Hahne, pasi tek ai janë paraqitur simptomat e para të gripit H1N1. Tani po dyshohet se komplet skuadra mund të jetë infektuar me këtë grip. Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Lala, aktualisht po vuan nga një lëndim këmbe dhe pritet që në fund të kësaj jave t'u rikthehet stërvitjeve.
Reagimi
Jo më kot i thonë "xhuxhi" luftarak, pasi ka karakter sfidues dhe nuk trembet nga vështirësitë që ka para. Lala e pranon se është i shqetësuar për situatën në klub, por nuk ka frikë nga gripi i derrave. "Lojtari që është prekur nga ky virus bën pjesë në skuadrën e dytë të Hanoverit dhe nuk është se kam ndonjë afrimitet me të - ka thënë Lala për 'Panorama Sport'. - Sigurisht që më vjen keq, sepse është një virus shqetësues që ka alarmuar mbarë botën, por besoj se nuk do të ketë probleme në të ardhmen. Klubi po bën të pamundurën që të mos ketë probleme dhe që lojtarët të jenë të mbrojtur. Unë vetë nuk e kam shumë problem. Asnjëherë nuk i kam pasur frikë sëmundjet. Do përpiqem që t'i qëndroj larg këtij virusi, por në fund le të ndodhë ç'të jetë e shkruar...(qesh)". 
Problemet
Një tjetër lajm i keq për Hanoverin është eliminimi në turin e parë të Kupës së Gjermanisë nga skuadra e Ligës së Katërt, Eintraht Trier. Për Trierin triumfi kundër Hanoverit me shifrat 3-1 është suksesi më i madh në historinë e tyre, të cilin do ta festojnë dhe do ta mbajnë në mend për një kohë të gjatë. Pas kësaj humbjeje, tifozët e Hanoverit kanë vendosur që skuadrës së tyre t'i hakmerren me shkatërrimin e tribunave, duke shprehur mllefin e tyre në të gjitha mënyrat.
Ata mendojnë se vetëm presioni e mban gjallë klubin. Trajneri i skuadrës, Dieter Heking, nuk ka përgjigje lidhur me situatën nëpër të cilën po kalon skuadra e tij. "Nuk di çka të them, po kalojmë një fazë të vështirë, ku as në ndeshjet miqësore nuk po luajmë si duhet, - ka thënë ai. - Shpresoj që në kampionat të jemi më të suksesshëm". Ndërkaq, edhe Lala është i zhgënjyer nga ai eliminim i papritur. "Ishte e turpshme dhe u jap të drejtë tifozëve për mllefin. Një skuadër si Hanoveri nuk mund bëjë gabime të tilla në një kompeticion, që e kemi vërtetë për zemër", ka shtuar Lala.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›