Dialogu i rëndësishëm për çështje praktike

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, ka thënë se dialogu Kosovës-Serbi është i rëndësishëm për çështje praktike dhe përmirësimin e jetës së njerëzve, ndërsa presidenti i Serbisë Boris Tadiq ka thënë se vendi i tij dëshiron të zgjedhë “problemin kronik” të Kosovës.
Ata këto komente i bënë të enjten mbrëma, në një konferencë të përbashkët për media në Beograd, me ç’rast Ashton përshëndeti arrestimin e të shumë kërkuarit për krime lufte, kriminelit serb Ratko Mlladiq.
Ashton ka thënë se me zyrtarët serbë ka folur edhe për dialogun Prishtinë-Beograd.
“Kjo është e rëndësishme që të sigurohet që njerëzit të jetojnë më mirë në kuptimin praktik”, ka thënë kryediplomatja evropiane, e cila nesër do ta vizitojë Kosovën.
Tadiq nga ana e tij ka vlerësuar të rëndësishme nisjen e dialogut dhe ka shtuar se Serbia nuk ka asnjë arsye që të bllokojë procesin politik dhe dialogun, por përkundrazi sipas tij “Serbia ka interes që të gjendet sa më parë zgjidhja për Kosovën”.
“Ky është një problem kronik, një konflikt që ka ekzistuar në territorin e Evropës Juglindore”, ka thënë Tadiq, duke shtuar se Serbia dëshiron që ta zgjidhë konfliktin, pasi që “hapësira e Ballkanit Perëndimor nuk mund të integrohet në BE nëse ne sjellim konfliktet tona të brendshme në institucionet e BE-së”.