E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhokeri i Tadiçit

Serbia e ruajti Ratko Mladicin për gjashtëmbëdhjetë vjet, për ta arrestuar vetëm atëherë kur ai i shërbeu si xhoker për rrugën e saj europiane. Të enjten, Kasapi i Srebrenicës u kap, teksa po flinte në shtëpinë e kushëririt të tij në një fshat të Vojvodinës. Boris Tadic ia dha botës lajmin dhe shfrytëzoi rastin t’i bëjë thirrje Këshillit të Sigurimit t’i hetojë akuzat e Dick Martyt. Nga Express më 27 maj 2011 në ora 08:30

Ish gjenerali serbo-boshnjak, Ratko Mladic, një ndër kriminelët më të kërkuar në botë, i cili iu shmang arrestimit për 16 vjet me radhë, është arrestuar të enjten në fshatin Lazarevë afër Zrenjaninit, 60 kilometra në veri të Beogradit. Ai fshihej pas emrit të rremë Milorad Komadic.

Mladic fajësohet për vrasjen më të madhe masive me motive etnike në kontinentin evropian, që pas Luftës së Dytë Botërore, që rezultoi me masakrën e rreth 8000 meshkujve boshnjakë në Srebrenicë të Bosnjës.

BIA (agjencia e inteligjencës e Serbisë) e ka arrestuar Mladicin rreth orës 11, në shtëpinë e kushëririt të tij, Branislav Mladic.

Gjatë arrestimit, Mladic ka qenë mjaft bashkëpunues dhe nuk ka rezistuar. Nuk ka pasur mjekër, ndërkaq njërën dorë e ka pasur të paralizuar. Banorët e Llazarevës u shprehën mjaft të befasuar për faktin se Mladic ka jetuar në fshatin e tyre. Avokati i familjes së Mladicit, Milos Shalic, theksoi se familja e tij është e lumtur që ai është gjallë dhe se ka të drejtë të takohet me të, para se ai të ekstradohet në Hagë.

Pas arrestimit, Mladic u dërgua në gjykatën speciale në Beograd, ku iu lexua aktpadia e Hagës kundër tij. Pritet që ai gjatë javës të ekstradohet në Hagë.

Menjëherë pas lajmit për arrestimin e Mladicit, Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, u shpreh para gazetarëve se ky është fundi i kërkimit për Mladicin, por jo për të gjithë. “Do të kërkohen edhe ata të cilët e ndihmuan Mladicin dhe të tjerët që fshihen pas tij, pavarësisht se mund të këtë edhe në qeveri njerëz të këtillë”, shtoi Tadic.
Ai theksoi se kjo “ngjarje ndodhi në ditën kur Catherine Ashton erdhi në Serbi”, që është një referencë për Serbinë për shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, e ka përshëndetur arrestimin e Mladicit dhe ka thënë se transferimi i tij në Tribunalin e Hagës, duhet të bëhet pa vonesa.

Mosarrestimi i Mladicit dhe konflikti për ndarjen një e njëanshme të Kosovës nga Serbia, ishin shkaqet kryesore që Serbia nuk mund të ecë tutje për t’u bërë anëtare e bllokut evropian.

Duke u përgjigjur në këtë pyetje, Tadic tha: “Nuk pres që Serbia për shkak të këtij arrestimit të destalibilizohet. Kushdo që provon për të bërë ndonjë problem do të përfundoj në gjykatë”.

Sipas tij, i vetmi kriminel i arratisur serb mbetet Goran Hadzic “që do të arrestohet”. “Premtoj që kjo do të ndodh”. Tadic ka shtuar se tre vjet më parë, Qeveria e tij ka krijuar “një skuadër veprimi që tani po i shihen frytet”.

Mladic ishte duke u fshehur që nga vitit 1995 dhe besohet se mbrohej nga aleatët e tij të ushtrisë dhe inteligjencës serbe.

Arrestimi ndodhi në një moment vendimtar, disa ditë para lëshimit të raportit të prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuar në Hagë, në të cilën pritej të thuhej se Serbia nuk është duke bashkëpunuar dhe ka injoruar për të zënë të dyshuarit kryesorë për krime. Raporti në mënyrë efektive do të bllokonte mundësitë e Serbisë për të marrë statusin zyrtar të kandidatit për Bashkimin Evropian. Ky vendim pritet të merret në nëntor në Bruksel.

Ndonjëherë i fshehur edhe në fusha të futbollit, e ndonjëherë në ndonjë fabrikë të ndonjë qyteti, Mladic e ka kaluar shumicën e viteve bashkë me besnikët e tij, pjesëtarë të spiunimit dhe me disa persona të lidhur me pushtetin.

Ish lideri i forcave serbe të armatosura të serbëve të Bosnjës gjatë luftërave në Ballkan në fillim të viteve ’90, kohëve të fundit jetonte në Beogradin e Ri, përgjatë lumit Sava. Rrethi i tij ishte zvogëluar dhe kjo bëri që ai me në fund të kapet.

Semir Guzin, një avokate e Nënave të Srebrenicës, një aktiviste e grupit që përfaqëson të mbijetuarit e masakrës, i ka thënë BBC-së së me arrestimin e Mladicit “drejtësia do të vihet në vend”. “Shpresoj se Mladic do ta merr atë që e meriton”.

Bashkësia ndërkombëtare përshëndet arrestimin e Mladicit

Pak para lajmit për arrestimin e Mladic të enjten, prokurori i krimeve të luftës në Hagë, Serge Brammertz, akuzoj Serbinë që nuk ka bërë shumë që të gjej gjeneralin Mladic. “Zënia është njëri prej obligimeve më të mëdha të Serbisë”, tha ai në një raport që do t’ia dërgonte Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. “Deri me tani Serbia nuk ka qenë aktive që të zë të dyshuarit për krime lufte”. Tadic hodhi poshtë kritikat që Serbia e ka marrë këtë veprim vetëm për shkak të trysnisë ndërkombëtarë. “Është e qartë si kristali që ne nuk kemi kalkuluar kur e kemi arrestuar Ratko Mladicin”, tha ai në një konferencë për shtyp të enjten.

“Ne kemi pasur bashkëpunim me Tribunalin e Hagës që nga fillimi i mandatimit të kësaj qeverie”.

Nga ana tjetër, menjëherë pas lajmit për arrestimin e gjeneralit serb Ratko Mladic, kanë ardhur reagimet e para ndërkombëtare. Shefi i NATO’s, Anders Fogh Rasmussen, tha se me në fund ndodhi ajo që është pritur. “Një mundësi që drejtësia të vihet në vend”, theksoi ai. Reagime pati edhe nga Sekretari i Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, Liam Fox. “Kjo është një mundësi për serbet që të mbyllin një kapitull të keq të historisë së tyre”, theksoi Fox. “E ardhmja evropiane e Serbisë tani është më e ndritur se kurrë”, deklaroi ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt”.
Ka reaguar edhe Shtëpia e Bardhë, e cila ka thënë se është “e kënaqur” me arrestimin e Mladicit.

Zëvendësi i këshilltarit për siguri kombëtare të SHBA-ve, Ben Rhodes, dha këtë deklaratë: “Ne i përshëndesim autoritetet e Serbisë për suksesin e kësaj përpjekjeje shumë të rëndësishme. Ne presim transferimin e Mladicit në Tribunalin e Hagës. Lutjet dhe mendimet tona sot, megjithatë, janë me familjet e viktimave, me të gjithë ata njerëz që kanë vuajtur dhunën dhe tiraninë e Mladicit. Dita e sotme, besoj se nënvizon se personat që shkaktojnë këtë lloj të krimeve, patjetër i nënshtrohen drejtësisë”, vlerësoi Ben Rhodes.

Shumë i kënaqur me arrestimin e Ratko Mladicit është shprehur edhe presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.

"Ky është një lajm shumë i mirë. Unë isha saktësisht para një jave në Beograd. Kam pasur një bisedë të gjatë, shumë të thellë dhe të sinqertë me Presidentin Tadic dhe ai më premtoi se ai do të bëjë çdo gjë që është e mundur për ta arrestuar Mladiqin. Pra, kjo do të thotë se ai po e mban fjalën e tij ndërsa ne duhet besuar përkushtimin e Serbisë që të afrohet edhe më me Bashkimin Evropian", vlerësoi Barroso.

Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, i cili është nikoqir i Samitit të G8-ës, ka përshëndetur arrestimin e të kërkuarit për krime lufte, Ratko Mladic.

“Ky është një lajm i madh. Është një vendim i guximshëm i presidentit serb, si dhe një hap i rëndësishëm drejt integrimeve në Bashkimin Evropian, në të ardhmen e afërt. Fakti që Serbia ka arrestuar njërin nga të akuzuarit për krime lufte kundër njerëzimit, përbën një lajm vërtet të madh”, ka thënë Sarkozy.

Kryeministri holandez, Mark Ruth, ka thënë se arrestimi i Ratko Mladicit, të akuzuarit për gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë, është parakusht i rëndësishëm për hyrjen e Serbisë në BE, por nuk i mundëson Beogradit një hyrje automatike.
“Duhet shikuar të gjitha faktet rreth çdo anëtarësimi. Ngjarja e sotme ishte një element i rëndësishëm, por arrestimi i këtij njeriu nuk nënkupton anëtarësimin. Kjo nuk funksionon kështu”, ka thënë Ruth për televizionin holandez.

Është pikërisht Holanda vendi që më së shumti ka insistuar në arrestimin e Mladicit, si parakusht për t’ia lejuar Serbisë rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Edhe ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndeti arrestimin e Mladicit. Në një deklaratë për shtyp të kësaj ministrie theksohet se "arrestimi i gjeneralit famëkeq, përgjegjës për vrasjen e mijëra qytetarëve të pafajshëm, është një dëshmi se të gjithë ata që kanë kryer krime kundër njerëzimit herët a vonë do të përgjigjen para drejtësisë".

16 vjet në arrati

Për 16 vjet iu shmang ligjit. Ky është Ratko Mladic që duket se ka pasur një ndihmë si nga shtëpia ashtu edhe jashtë saj.

Muajt e fundit thuhet se gruaja e tij, Bosiljka, ishte përballur me një gjykim në Beograd, për shkak se akuzohej se mbante armë ilegale në shtëpi. Ajo kishte thënë se beson se burri i saj kishte vdekur.

Ajo i kishte thënë gjykatës që një pushkë automatike dhe disa revole që ishin gjetur në shtëpinë e tyre në Beograd, gjatë një kërkimi të policisë në vitin 2008, i takonin burrit të saj.

Në vitin 2009 një video tregonte gjeneral Mladicin në një skenë dimri me dy gra. Njeriu në video thuhej se ishte gjenerali në arrati, bashkë me gruan dhe kunatën e tij në një resort të skive. Filmi, që ishte transmetuar në televizionin e federatës boshnjake, besohet se i takon vitit 2008.

Më 2002, gazetari i BBC Paul Martin tregon një vilë në Beograd ku besohej se fshihej Mladic. Një grua e kishte thënë se e sheh Mladicin rregullisht në parkun afër, duke shëtitur me qenin e tij.

Mirëpo, korrespodenti i BBC ishte bllokuar nga forcat e sigurisë, duke iu tërhequr vërejtja që mos të kthehet më aty.

Megjithatë disa besojnë, se nuk ka pasur ndonjë rrjet të ushtrisë së Serbisë dhe zyrtarë të sigurisë që kanë garantuar lirin e tij.

Carl Bild, ish-i dërguar i posaçëm për Bosnjën pas luftës tha se anëtarët e NATO-s ishin tërhequr nga çdo aksion, që mund të kërcënonte paqen brishtë të vendit, menjëherë pas luftës.

Derisa koha shkonte, perëndimi tregonte gjithmonë e më shumë përkushtim që ta vendosnin Mladicin prapa, grilave duke shtuar trysninë mbi Serbinë.

Gjykatë Ndërkombëtarë për Krime në ish-Jugosllavi në HAgë thoshte se beson që Mladic fshihej në Serbi gjatë gjithë këtyre viteve, por autoritet e Beogradit nuk tregonin vullnet për ta kapur.

Bazuar në një vlerësim të agjencive të inteligjencës nga shtetet e perëndimit, BE ja kishte tërhequr vëmendjen Serbisë që nëse dështon ta kap Mladicin, rrezikon shpresat për një anëtarësim eventual në BE.

Beogradi ishte akuzuar se po ndalon sulmet e policisë që ta bllokoj Hagën, deklarata këto që ishin bërë edhe nga prokurori Serge Brammertz, që e vizitonte shpesh Serbinë.
Një banesë që i takonte djalit të gjeneralit, Drako Mladic, thuhej se ishte bastisur menjëherë.

Në maj të vitit 2006, BE ngriu negociatat me Serbinë për Marrëveshjen e Stabilizim Associmit – që është një hap preliminar për anëtarësim në BE.

Politikanët serb gjithmonë kanë refuzuar të flasin për hapat e tyre kundër Mladic. Gazetarët thonë se e vërteta mund të del atëherë kur askush nuk e ka pritur.

Kush është Ratko Mladic?

Ratko Mladic gjatë fshehjes së tij ka shfrytëzuar emrin e rrejshëm, Milorad Komadic, e që në vërtetë është versioni i zgjatur i emrit të tij të vërtetë dhe me gjasë e ka përzgjedhur, për ta mbajtur më mirë në mend identitetin e tij të ri.
Mladic ka lindur më 12 mars të vitit 1943, në fshatin Bozhanovici, në Bosnje. Pasi kreu shkollën fillore, shkoi në Sarajevë, ku për një kohë punoi si saldues. Në Beograd, ai kreu Akademinë e Industrisë ushtarake në Zemun.

Ishte gjeneral i ushtrisë së Republikës Serbe nga viti 1992 deri në vitin 1996, kur me dekretin e Biljana Plavshicit, presidentes së atëhershme të Republikës Serbe, u shkarkua nga funksioni i shefit të shtatmadhorisë.

Tribunali në Hagë e paditi më 25 korrik të vitit 1995, nën akuzat për gjenocid, pjesëmarrje në gjenocid, krime kundër njerëzimit , terrorizim dhe pengmarrje.

Nën komandën e tij, siç thuhet në akuzë, janë vrarë më shumë se 7 mijë boshnjakë të arrestuar në rajonin e Srebrenicës.

Zyrtarisht ishte në arrati nga viti 1996.
Mladic nga viti 1966 është i martuar me Bosilken, me të cilin ka djalin, Darkon, ndërsa në vitin 1994, vajza e Mladicit bëri vetëvrasje.

Edhe arroganca e Mladicit ishte legjendare. Ai e quante veten “Perëndi” dhe mbante një kope të vogël dhish, të cilave u kishte vënë emrat e udhëheqësve perëndimorë që urrente.
Mladici ishte numri një në listën e personave të kërkuar nga Gjykata e krimeve të Luftës, së bashku me partnerin e tij të krimit, ish-udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhicin, i cili gjendet tashmë në Hagë.

Tadic ndërlidh Mladicin me raportin e Dick Martyt

Presidenti serb, Boris Tadic, pasi konfirmoi arrestimin e Mladicit, theksoi se Serbia mbylli një kapitull të fortë, që e afron Beogradin më shumë me BE-në”. Ai me këtë rast i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të nisë hetime të pavarura për trafikun e organeve në Kosovë, duke u mbështetur në raportin e Dick Martyt."

Prishtina: Veprim i vonuar

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka mirëpritur arrestimin e kriminelit serb, Ratko Mladiq, duke thënë se ky është një lajm i pritur gjatë nga drejtësia ndërkombëtare dhe sidomos nga familjarët e viktimave dhe të gjithë qytetarët që pësuan nga veprimet e tij.

“Ky akt dëshmon se krimi nuk vjetrohet dhe se kriminelët asnjëherë nuk mund t’i ikin dorës së drejtësisë. Dërgimi i Mladiqit në Hagë do të mundësojë që të shpjegohet ideologjia që nxitit luftërat në ish-Jugosllavi, duke shkatërruar jetën dhe të mirat e shumë njerëzve. Ky rast do të shërbejë për nxitje që të gjithë kriminelët të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar, si rrugë e vetme në procesin e pajtimit dhe të heqjes dorë nga e kaluara”, ka thënë Jahjaga, njofton Zyra e informacionit pranë Presidencës.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës e kanë quajtur “veprim të vonuar” arrestimin e Ratko Mladiqit nga autoritetet serbe.

“Megjithatë, mund të them se është një simbolikë për vendet e ish-Jugosllavisë që ta kuptojnë si një qasje të re të Republikës së Serbisë dhe një pendim për krimet që u kanë bërë të tjerëve”, ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

“Është mbizotërim i drejtësisë ndërkombëtare përballë krimeve të kryera, në këtë rast do të thosha përfaqësuesve apo eksponentëve të politikës serbe. Kjo s’ka të bëjë me integrimet evropiane, por është një obligim ndërkombëtar”, ka theksuar Kuçi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›