Dialogu me Serbinë, sekret shtetëror për Presidenten
Dokumentet në dosjet e dialogut me Serbinë janë konsideruar sekret shtetëror edhe për Presidenten e Kosovës, e cila, përveçse kryetare shteti, është edhe e ngarkuar për politikën e jashtme të vendit.Presidenca e Kosovës ka kërkuar akses në dokumentacionin që ka të bëjë me dialogun Kosovë – Serbi, të nisur me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, por kryesuesja e ekipit Kosovës për dialog, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, nuk ia ka prezantuar për informim Presidencës as strategjinë kosovare të dialogut, as dokumentet e tjera mbi të cilat po zhvillohet ky proces. Sipas burimeve të Koha ditore, përveç negociatores Tahiri, nga zyrtarët kosovarë akses në dokumentacion ka edhe shefi i saj, kryeministri Hashim Thaçi. Mohimi i eksesit të politikanëve të tjerë arsyetohet me termin sekrete shtetërore.
As Ministria e Jashtme e Kosovës nuk ka akses të drejtpërdrejtë në bisedime, dhe bashkë me të, as përfaqësitë diplomatike të Kosovës në botë. Madje, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, informohet për procesin përmes Kryeministrisë, e cila në ekipin për dialog ka të deleguar këshilltarin e kryeministrit Thaçi, Lirim Grejçevci. Ndërsa për sa u përket ambasadave të Kosovës, ato informohen prej homologëve nga vendet e BE-së, të cilët çuditërisht kanë akses në dokumente. Sipas Koha Ditore, ambasadorët e kontaktuar në kushte anonimiteti kanë shpjeguar se asnjëherë nuk kanë marrë nga Prishtina as edhe një informacion se çfarë po ndodh me dialogun. Ambasadorët e shteteve të BE-së informohen me rrjedhën e dialogut dhe ne e kuptojmë nëpërmjet tyre, ka thënë një prej ambasadorëve. Ambasadorët e akredituar në vendet e BE-së informohen nga ambasadorët e vendeve të tjera, por mund të shkojnë dhe të informohen edhe në Ministrinë e Jashtme të shtetit ku janë të akredituar. Lehtësuesi i dialogut, Robert Kuper, ka një sistem të veçantë të informimit për të 27-të shtetet anëtare të BE-së. Pas çdo raportimi të tij, vendet e BE-së nxjerrin një raport për rrjetin e tyre diplomatik në botë.
Madje, edhe Ministria e Jashtme e Serbisë i njofton ambasadat e veta pas çdo takimi që mbahet për dialogun. Presidenca, Ministria e Jashtme dhe zëvendëskryeministrja Tahiri nuk kanë komentuar mbi këtë çështje.
Ndryshimet kushtetuese
Komisioni për ndryshimet kushtetuese në Kosovë do të kërkojë nga Kuvendi i Kosovës një mandat shtesë për të bërë ndryshime të tjera jo vetëm për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të vendit. Sipas kryetarit të këtij komisioni, Arsim Bajrami, janë të domosdoshme të ndryshohen tri segmente: plotësimi i disa dispozitave sa i përket qeverisjes së brendshme për të shmangur çfarëdo vakumi, prezenca civile ndërkombëtare, përkatësisht përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur dhe dispozitat që kanë të bëjnë me balancën e pushteteve.
Optimistë
Kryetarja e ekipit kosovar në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, u shpreh dje gjatë takimit të katërt me ekipin serb, se priten rezultate në të paktën tri fusha. Rezultate substanciale në çështjet e dialogut presim në lëvizjen e lirë, në tregtinë e lirë dhe në çështjet e energjisë, tha Tahiri para fillimit të takimit. Ndërsa kryenegociatori serb, Stefanoviç, tha se mund të mbyllen temat si ato për kadastrën, regjistrin civil dhe lëvizjen e lirë. Ai tha se respektojmë faktin se ne dhe Prishtina kemi qëndrime krejtësisht të kundërta për statusin, por këto probleme duhet të zgjidhen për të mirën e njerëzve.