Kreu i FMN-së rrezikon 25 vjet burg, pasi u vesh me 7 akuza

Dominik Shtraus Kan, kreu i FMN-së gjatë seancës gjyqësore
Bankieri më i madh i botës, Dominik Shtraus Kan, po përballet me presionin e dorëheqjes nga ministrat e Financave të vendeve të ndryshme, pasi u përfshi në një skandal seksual në një hotel me pesë yje në Nju Jork. Kreu i FMN-së, Kan, pasi iu mohua garancia nga një gjykatë në Manhatan, është dërguar në burgun Rikers Island. Kan u arrestua të shtunën në bordin e një avioni me akuzën se ishte përpjekur të dhunonte shërbyesen e një hoteli. Ai po përballet me shtatë akuza dhe rrezikon maksimumi 25 vjet burg. Kan shihej si i favorizuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 në Francë dhe arrestimi i tij për akuza seksuale ka pasur hipoteza të ndryshme, qoftë edhe ato të një komploti. Kan i ka mohuar akuzat. Avokati i tij, Benxhamin Brafman, shprehu zhgënjimin për refuzimin e lirimit me garanci, por ishte i bindur se Shtraus Kan do të lirohej. Ndërkohë, Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, ka reaguar në lidhje me arrestimin e Shtraus Kan. Gjakftohtësia, guximi, uniteti dhe dinjiteti janë linja që duhet të ndiqet nga maxhoranca, tha Sarkozi në një takim me dyer të mbyllura me eksponentët e maxhorancës së tij. Mbi Shtraus Kan po shtohen presionet për tu tërhequr nga posti i kreut të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Mes zërave kundër tij ishte edhe ministrja austriake e Financave, Maria Fekter, e cila i bëri thirrje që të marrë në konsideratë opsionin e dorëheqjes në të mirë të FMN-së. Edhe ministrja spanjolle e Financave, Elana Salgado, shprehu mbështetje për viktimën e agresionit seksual. Nëse unë duhej të tregoja solidaritetin tim dhe mbështetjen për dikë, do ta bëja për gruan që u sulmua, nëse asaj vërtet i ka ndodhur një gjë e tillë, tha ajo.
Caktohet zëvendësuesi
FMN ka caktuar Xhon Lipskin, si drejtor menaxhues, në vend të Shtraus Kan, por nuk është shprehur më tej mbi skandalin, pasi bordi do të monitorojë zhvillimet. Kjo është një pyetje e parakohshme, por nëse dhe kur ne ta marrim një vendim të tillë detyra jonë më e rëndësishme është të gjejmë burrin apo gruan më të përshtatshëm për këtë detyrë, tha Jan Kis de Jager, ministri holandez i Financave.