E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialogu në vjeshtë

Brukseli nuk pritet t’i ulë në tryezën e bisedimeve Prishtinën dhe Beogradin deri në vjeshtë. Sipas Qeverisë, Thaçi dhe Cooper kanë rënë dakord që dialogu të vazhdojë pasi të implementohen marrëveshjet. Lehtësuesi europian, të enjten, nuk takoi Kryenegociatoren Edita Tahiri. E një befasi tjetër për të, ishin edhe domatet e Vetëvendosjes.

Pas Beogradit, lehtësuesi i bisedimeve Kosovë – Serbi, Robert Cooper ka qëndruar në Prishtinë në përpjekje për të nxitur palët të vazhdojnë dialogun e nisur në Bruksel.

Edhe pse nuk ka pasur konferencë për media, pas takimit në mes të Cooperit dhe Kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria të enjten ka lëshuar një njoftim, ku thuhet se dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët me Serbinë.

Bazuar në komunikatën e Qeverisë, Thaci dhe Cooper kanë rënë dakord se marrëveshjet duhet të zbatohen.

“Kryeministri Thaçi theksoi se këto marrëveshje duhet të implementohen edhe nga ana e Serbisë, pasi ato janë në dobi të qytetarëve të të dy shteteve dhe në dobi të forcimit të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal. Ndërmjetësi i BE-së në bisedimet teknike mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper theksoi se marrëveshjet e nënshkruara nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel duhet të zbatohen sa më shpejt, në mënyrë që të ecet përpara në proces”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Në anën tjetër, gjatë vizitës së Cooperit në Beograd është përmendur mundësia e ndërrimit të karakterit të dialogut nga ai teknik në atë politik për të diskuar edhe për veriun.

Por, kjo është mohuar.

Një zyrtar i Qeverisë i ka thënë Express’it se takimi mes Thaçit e Cooperit është fokusuar krejtësisht në zbatimin e marrëveshjeve dhe se lehtësuesi i BE’së nuk ka mandat për të kërkuar ndryshimin e formatit të dialogut.

“Për nisjen e dialogut me Serbinë nuk mund të diskutohet pa u zbatuar marrëveshjet e arritura më herët. Sa i përket dialogut politik, Cooper nuk ka mandat të kërkojë një gjë të tillë”, ka thënë ai.

Sipas tij, para shtatorit nuk do të ketë takime mes Kosovës dhe Serbisë.

“Takime mes dy palëve nuk do të ketë të paktën deri në shtator. Kjo kohë do të shfrytëzohet për të parë zbatimin e marrëveshjeve”, ka deklaruar ai.

Delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga Edita Tahiri dhe ai i Serbisë i kryesuar nga Borko Stefanovic, deri më tash kanë arritur shtatë marrëveshje në nëntë raunde bisedimesh, që janë lehtësuar nga BE’ja.

Por, se deri më tash vetëm marrëveshje për tregtinë e lirë është duke u zbatuar plotësisht, ndërsa lëvizje e lirë, kthimi i librave kadastralë, kthimi i librave amzë, njohja e diplomave ende nuk po zbatohen plotësisht.

Në kuadër të dialogut teknik ende nuk janë diskutuar edhe dy çështjet që kanë të bëjnë me telekomunikacionin dhe energjinë.

Megjithëkëtë, Cooper në vizitën e një dite më parë në Beograd kishte takuar Borko Setefanovic dhe zyrtarë të Presidencës serbe, e në Prishtinë nuk ka takuar Kryenegociatoren Edita Tahiri.

Gazeta ka tentuar gjatë tërë ditës të merr një qëndrim nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri pse nuk ka qenë pjesë e takimit, por ajo nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Këshilltari i Tahirit, Visar Xani nuk ka dashur të komentojë mungesën e shefes së tij në takimin me Cooperin.

“E gjithë agjenda ka qenë e përgatitur nga Zyra e Kryeministrit dhe kësaj zyre duhet t`i drejtoheni për çdo informacion”, ka thënë ai.

Burime të Express kanë thënë se Edita Tahiri nuk është ftuar fare të marrë pjesë në takimin me Cooperin, pa iu dhënë ndonjë sqarim.

Ndonëse kohë më parë Edita Tahiri kishte konfirmuar se do të takohej me Robert Cooperin dhe do të kërkojë që së pari të zbatohen marrëveshjet e pastaj të vazhdohet dialogu.

Një zyrtar i Qeverisë ka thënë se mungesa e Tahirit në takimin me Cooperin ka ndodhur për shkak të pranisë së Kryeministrit.

“Mungesa e Edita Tahirit nuk ka të bëjë me ndonjë zhvillim të ri, por se prezenca e Kryeministrit e bën të parëndësishme pjesëmarrjen e zyrtarëve të tjerë”, ka shtuar ai.

Domate për Cooperin

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë gjuajtur me domate Robert Cooperin, pasi ai ka dalë nga takimi me Kryeministrin Hashim Thaçi.

Pas përfundimit të takimit, Cooper, duke dalë nga hyrja kryesore e objektit të Qeverisë, është gjuajtur me domate nga aktivistët e Vetëvendosjes, veprim ky që e ka detyruar atë të kthehet mbrapa.

Ai ka dalë nga një dalje tjetër e ndërtesës së Qeverisë pa u vërejtur nga protestuesit.

Glauk Konjufca ka shpjeguar se aksioni i Vetëvendosjes ka të bëjë me pengimin e negociatave që priten të ndodhin për veriun.

“Dhe jo rastësisht Robert Cooper së pari po e viziton Beogradin, po i merr qëndrimet e Beogradit, po i merr qëndrimet dhe ato kërkesat nga Borko Stefanovic dhe pastaj po vjen te kryenegociatorja Tahiri, në mënyrë që t’ia prezantojë se cilat janë kërkesat e Beogradit. Dhe më pastaj qeveritarët tanë po binden që të shkojnë në negociata dhe ta qesin në tavolinën e bisedimeve edhe veriun e Kosovës”, ka thënë deputeti i Vetëvendosjes.

Thaçi: Politika në institucione

Ndaj aksionit të Vetëvendosjes ka reaguar edhe Zyra e Kryeministrit.

Sipas një komunikate, Kryeministri Thaçi ka dënuar “këtë veprim të ulët, që dëmton imazhin evropian të Republikës së Kosovës”.

“Shpalosja e ambicieve politike duhet të bëhet në mënyrë institucionale dhe demokratike në Parlament, e jo përmes dhunës së shfaqur kundër zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian. Këto veprime janë të papranueshme dhe si të tilla të dënueshme nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Tmerrohet Zbogar

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ka dënuar incidentin e ndodhur paraditen e së enjtes, kur qindra aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, të prirë nga kreu i kësaj Lëvizjeje, Albin Kurti, arritën të futeshin në oborrin e Qeverisë për të protestuar kundër vizitës së ndërmjetësit evropian në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper.

“Unë vetëm mund të shpreh tmerrin dhe zhgënjimin tim për atë që ka ndodhur në mëngjesin e sotëm. Gjuajtja me domate dhe britmat kundër delegacionit zyrtar të Bashkimit Evropian, qëllimi i të cilit është vetëm të lehtësojë raportet midis Prishtinës dhe Beogradit, është gjest i papranueshëm”, thuhet në deklaratën e përfaqësuesit të BE’së.

Sipas Zbogarit, Vetëvendosje mund ta kundërshtojë dialogun me Serbinë, por jo të bëjë veprime të tilla që dërgojnë mesazhe kontradiktore në Bruksel.

Ky zyrtar i BE’së i ka bërë thirrje Vetëvendosjes të distancohet nga aksioni i së enjtes.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›