E Shtunë, 31 Tetor 2026

Injorohet nga Beogradi

Shefja e Zyrës së Qeverisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, Adriana Hodzic, u zotua se nuk do të lejojë politikën t’i ndërhyjë në punë. Tha se e përkrah dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por mohoi pjesëmarrjen në të. Oliver Ivanovic tha se Beogradi do ta injorojë këtë Zyrë, pasi në pjesën veriore ka administratën e vet.

Shefja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, Adriana Hodzic, një ditë pas emërimit të saj nga Qeveria e Kosovës është zotuar se nuk do të lejojë politikën t’i ndërhyjë në punët e saj.

Në një intervistë për “Blue Sky”, të enjten ajo ka thënë se qëllimi i saj është përmirësimi i jetës së qytetarëve të veriut të Mitrovicës.

“Unë mund të garantoj se ne do të veprojmë në planin teknik dhe praktik. Do të punojmë me qytetarët dhe politikën do ta lëmë për nivelin e lartë”, ka thënë ajo të enjten.

“Shpresoj se të gjitha palët si ajo e Beogradit dhe udhëheqja lokale që vepron në veri të Mitrovicës të mendojnë se kjo që unë po them është e vërtetë. Nuk kisha dashur që të politizohet kjo zyrë sepse në të vërtetë ne jemi këtu që qytetarëve t’ua mundësojmë një të ardhme më të mirë”, ka shtuar Hodzic.

Ndërkohë që ka folur edhe rreth rolit të institucionit të cilin ajo do të udhëheqë.

Sipas saj, Zyra në veri do të jetë ndihma për serbët e veriut të Mitrovicës në zgjidhjen e problemeve që kanë.

E, duke folur për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Hodzic ka thënë se do të respektojë atë, mirëpo ka mohuar te bëhet pjesë e tij.

“Qëllim i kësaj zyre është që t’u dal qytetarëve përballë të gjitha kërkesave të tyre. Natyrisht kjo zyrë do të respektojë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe konsiderojmë se pjesëmarrja jonë në atë dialog e vështirëson njërën apo anën tjetër të sjellin zgjidhje të vërteta që mund të ndikojnë në kualitetin e jetës së qytetarëve”, ka thënë ajo.

Në ndërkohë, vetëm një ditë pas emërimit të Hodzic si shefe e Zyrës së Qeverisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, janë shfaqur edhe pakënaqësitë e para të Beogradit zyrtar.

Ministri i ashtuquajtur për Kosovën në Qeverinë serbe, Oliver Ivanovic, për më tepër ka thënë se Beogradi do ta injorojë atë zyrë.

“Nuk do të ketë asnjë reagim. Sa i përket bashkëpunimit, as që bëhet fjalë, sepse në atë hapësirë ne kemi administratën tonë, të formuar na Qeveria e Republikës së Serbisë, pas zgjedhjeve demokratike. Andaj, ne thjesht do ta injorojmë këtë fakt”, ka deklaruar Ivanovic për Radion Europa e Lirë.

Ndryshe, Adriana Hodzic është emëruar Drejtoreshë e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, vendimi për hapjen e së cilës është marrë nga Qeveria e Kosovës para dy jave. Hodzic ka shërbyer edhe më herët në veri si shefe e Zyrës përgatitore në atë pjesë. Zyra pritet të hapet në fund të qershorit të këtij viti, ndërkohë që ekzekutivi pritet të ndajë një buxhet vjetor prej 4 milionë eurosh për të. Përmes kësaj Zyre synohet integrimi i pjesës veriore, e cila që nga paslufta nuk është nën kontrollin e Prishtinës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›