Raundi i Elefantëve?
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i nisur kohë më parë, tashmë është duke marrë përmasa të reja për shkak të presionit të shtuar të Brukselit.
Qasja e re e artikuluar nga BE’ja synon që të ngre dialogun në nivel të krerëve të shteteve të përfshira në dialog.
Qëllimi i këtij modeli të ri të bisedimeve, sipas zyrtarëve të BE’së, është që në raundin e ri të dialogut të diskutohen çështjet politike, të cilat konsiderohen të ndjeshme për të dy palët, dhe të cilat kërkojnë nivel më të lartë kompetencash dhe vendimmarrje.
Këtë tashmë e kanë të bërë të qartë zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, të cilët thuhet se ia kanë komunikuar Presidentit serb, Tomislav Nikolic.
Ajo që ende pritet të precizohet, është nëse dialogu do të udhëhiqet në nivel kryeministrash apo presidentësh.
Mirëpo, siç ka thënë Raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, Jelko Kacin, Tomislav Nikolic është i gatshëm që të takohet me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Sipas Kacinit, ka qenë vetë Presidenti Nikolic ai i cili ka iniciuar vendosjen e dialogut në nivel politik.
Rreth një takimi eventual është shprehur edhe Presidentja Atifete Jahjaga, e cila ka thënë se, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, është e gatshme që të takohet me Nikolicin. Duke folur për radion Europa e Lirë, Arber Vllahiu, këshilltar për media i Presidentes, ka thënë se Jahjaga do të ishte e gatshme të takohej me Presidentin serb, nëse një gjë e tillë i kërkohet.
Nikolic, menjëherë pas shpalljes President i Serbisë, kishte thënë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit nuk mundet më t’u lihet në dorë nëpunësve, dhe kishte deklaruar se raundi i ri i bisedimeve do të duhej të udhëhiqet nga Kryeministri i ardhshëm serb.
Burime të Bashkimit Europian, duke folur për mediat serbe, kanë thënë se Brukseli është duke shqyrtuar mundësitë e një takimi të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas BE’së, bisedimet tani duhet të shtrohen në nivelin politik, pasi që ka shumë çështje të ndjeshme, të cilat duhet të zgjidhen. Çështja e Veriut të Kosovës, hapja e zyrave përfaqësuese në Beograd dhe Prishtinë, gjetja e një zgjidhjeje për kodin telefonik të Kosovës dhe implementimi i plotë i marrëveshjeve të arritura deri tani janë çështje me të cilat do të merren ekipet negociatore gjatë këtij viti.
Një agjendë të tillë e kanë konfirmuar edhe burimet e BE’së, të cilat kanë thënë se këto çështje duhet të zgjidhen deri në fund të vitit.
Brukseli gjithashtu është duke shqyrtuar mundësinë e aranzhimit të një takimi në nivel kryeministrash. Por, kjo do të ishte e mundur nëse Lideri i Partisë Demokratike serbe, Boris Tadic zgjidhet Kryeministër i ardhshëm i Serbisë.
Presidenti Nikolic, duke folur pas vizitës në Bruksel, kishte thënë se është i gatshëm të takohet me të gjithë zyrtarët e lartë të Kosovës, përveç me Kryeministrin Hashim Thaçi.
Agjenda e re e BE’së për bisedime duket se i është komunikuar Beogradit nga Ndërmjetësi i BE’së, Robert Cooper, i cili po qëndron në Beograd për dorëzimin e dokumenteve të marrëveshjeve të arritura deri tani.
Por Cooper ka marrë kritika të ashpra nga kryenegociatori serb në ikje, Borislav Stefanovic, i cili ka thënë se Cooper po i interpreton marrëveshjet në të mirë të Prishtinës, posaçërisht marrëveshjen për përfaqësim rajonal të Kosovës.
Stefanovic prapë ka mohuar se Bashkimi Europian i ka kërkuar Serbisë kushte të reja, dhe se ato asnjëherë nuk janë përmendur gjatë takimeve në Bruksel.