Jahjaga - Zarifit: Pakoja e Ahtisarit e vetmja zgjidhje për veriun

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti të enjten pasdite në takim përfaqësuesin për Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Farid Zarif, me të cilin bisedoi për misionin e UNMIK-ut, për gjendjen e përgjithshme në Kosovë, për procesin e integrimit të komuniteteve dhe për procesin e kthimit dhe të risocializimit.
Presidentja Jahjaga theksoi se Republika e Kosovës është faktor paqeje e stabiliteti, e ndërtuar në parimin qytetar ku të gjithë qytetarët i realizojnë të drejtat dhe liritë e veta individuale dhe kolektive, ndërsa për gjendjen në tri komunat veriore të vendit, ajo tha se e vetmja zgjidhje është në kuadër të Pakos së Ahtisaarit dhe të procesit të decentralizimit.
Presidentja tha se në këto komuna sa më shpejtë duhet të mbahen zgjedhjet komunale, në mënyrë që qytetarët atje lirshëm të zgjedhin përfaqësuesit legalë e legjitimë dhe që të integrohen plotësisht duke zbatuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës dhe duke hequr të gjitha strukturat paralele, që në mënyrë efikase të luftohet kontrabanda dhe krimi i organizuar.