E Diel, 1 Nëntor 2026

Dialogu politik, Fratini dhe Lambrinidis nesër në Tiranë

Synimi i vizitës së zyrtarëve të lartë mësohet të jetë nxitja e dialogut në vend dhe përshpejtimit të reformave të nevojshme për përparimin e vendit në procesin e integrimit.

Dy ministrat e Jashtëm do të shoqërohen gjatë takimeve të tyre në Tiranë nga ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Etore Sekui.

Ministrat do të zhvillojë një takim me ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto rreth orës 10:15, ndërkohë menjëherë pas këtij takimi ata do t’i drejtohen Kryeministrisë ku do të zhvillojnë një takim me kryeministrin Sali Berisha.

Takimi me Presidentin Bamir Topi është lënë për në orën 12:15, ndërkohë që Fratini dhe Lambrinidis do të takohen rreth orës 12:50 me kreun e opozitës Edi Rama, në zyrat e delegacionit evropian në Shqipëri.

Më pas dy ministrat e Jashtëm, së bashku me kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Etore Sekui, do të zhvillojnë një konferencë për shtyp, ku do të shprehin konkluzionet e tyre rreth kësaj vizite.

Misioni në Tiranë vjen në një moment kur Shqipëria do të duhet të kalojë një tjetër provë të Brukselit. Në muajin tetor, Komisioni Evropian pritet të publikojë raportin e tij të vlerësimit mbi ecurinë e vendit si dhe të japë opinionin mbi kërkesën për statusin e vendit kandidat.

Vlerësimi që do të marrë Shqipëria nga Komisioni Evropian është i kushtëzuar me plotësimin e 12 prioriteteve. Elementi i bashkëpunimit politik është një nga elementët, ose shtyllat mbi të cilat bazohet vlerësimi për Shqipërinë. Krahas 12 rekomandimeve, vëmendje duhet t’u kushtohet edhe disa drejtimeve themelore që lidhen drejtpërdrejt me rritjen e shkallës së zbatimit të ligjit.

12 rekomandimet e KE-së për Shqipërinë lidhen me funksionimin e duhur të Kuvendit, miratimin e ligjeve të mbetura që kërkojnë shumicë të cilësuar, garantimi i një procesi të rregullt votimi për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, ndryshimin e Kodit Elektoral, garantimin e standardeve në zgjedhje, depolitizimin e administratës publike, reformimin e gjyqësorit, garantimi i të drejtës mbi pronën, zbatimi i strategjisë kundër korrupsionit, rezultate konkrete për luftën ndaj krimit të organizuar, politikat kundër diskriminimit, kryesisht ndaj grave e minoritetit rom dhe përmirësimi i kushteve për të dënuarit e të burgosurit.
/Start/

                                                                                             2011-09-11 13:19
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›