E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialogu teknik rinis në qershor, për veriun në shtator

PRISHTINE- Delegacioni kosovar dhe ai serb pritet që të takohen sërish nga fundi i majit, eventualisht fillimi i muajit qershor.

Burime ndërkombëtare kanë shpjeguar se diplomatët evropianë presin që Serbia të mos shpenzojë shumë kohë në ndërtimin e qeverisë së re atje pas zgjedhjeve parlamentare më 6 maj dhe që palët të takohen pak javë pas zgjedhjeve për të bërë marrëveshje edhe në dy çështje: telekomunikacion dhe energjetikë.

Të dy temat, që sipas diplomatëve ndërkombëtarë prekin rregullimin e jetës në veri të Kosovës, për shkak të energjisë elektrike, postës dhe operatorëve telefonikë atje, do të përgatisin terrenin që pas pushimeve të verës, të dy kryeqytet të fillojnë adresimin e çështjes së veriut të Kosovës nga shtatori, shkruan "Koha ditore".

Diplomatë evropianë i kanë thënë gazetës se po analizohen modelet se si do të trajtohet veriu, dhe një gjë e tillë nuk duhet që medoemos të nisë me anë të dialogut politik.
"Ka disa çështje në veri, siç është çështja e funksionimit teknik të gjykatës, pastaj funksionimi i shkollave, shtëpive të shëndetit, transportit publik që mund të trajtohen si çështje të ndërmjetme, deri në adresimin politik të veriut", i ka thënë gazetës një diplomat evropian i akredituar në Prishtinë.

Sipas të njëjtave burime, deri atëherë Prishtina dhe Beogradi do të rikomponojnë përfaqësimin që do të kenë në atë që quhet dialog politik.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›