E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diana Çuli: Lufta Antifashiste është një plagë e hapur

Në një takim mes miqsh e njerëzve të letrave, shkrimtarja Diana çuli ka prezantuar ribotimin e romanit të fundit “Engjëj të armatosur”. Qasja ndaj Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si sfond për sprovën letrare, ka qenë terreni ku u rrahën kumtesat e të pranishmëve

Ribotimi i “Engjëj të armatosur”, romani i fundit i shkrimtares Diana çuli, ka nxitur takimin e disa njerëzve të letrave dhe një tryezë modeste diskutimi së pari mbi këtë produkt letrar e rrëshqitazi mbi pasqyrimin e luftës në letërsi. Organizuar nga shtëpia botuese “Toena” dhe Instituti i Dialogut dhe Komunikimit në Teatrin e Metropolit, studiues e njëkohësisht lexues të këtij romani u ndalën në një kritikë përshkruese të tij, vendosur në sfond historik. Edhe njëherë, kur tashmë “Engjëj të armatosur” e ka kryer ciklin e parë të takimit me lexuesin, shkrimtarja Diana çuli ka ngulmuar të theksojë se nuk kemi të bëjmë me një vepër historike, paçka se linja, në dukje sentimentale, ngrihet mbi historinë e vërtetë të dy personazheve reale, diskutuar mjaft ndër vite. “Ne jemi takuar në këtë rast ribotimi, ku diskutimi mund të ngacmohet nga mënyra e trajtimit të temave historike në letërsi. Në fakt, romani nuk është vepër historike, është vepër e mirëfilltë letrare, ndonëse subjekti vendoset në kuadrin historik të Luftës së Dytë Botërore. Unë mendoj se historia e ka thënë fjalën e vet, ndërsa mua më ka interesuar pikëpamja letrare; të shoh se si reagon shoqëria në një rrethanë të caktuar, në një rrethanë lufte, cilat janë dimensionet njerëzore, sa mbajnë marrëdhëniet njerëzore në një situatë të tillë dhe ky është një terren shumë i përshtatshëm për një shkrimtar për të zbuluar reagimin njerëzor”, ka theksuar çuli. Ndonëse gjithçka zë fill nga një marrëdhënie në dukje sentimentale mes dy personave, Dorothe Gjikës dhe Aleks Lazarit, ajo shpërfaqet në një kuadër epik dhe në peizazhin bregdetar. Teksa ka sjellë edhe njëherë në kujtesë historinë e shkrimit të kësaj vepre, Diana çuli ka thënë se ky roman ka historinë më të gjatë ndër të tjerët e shkruar më parë. Sipas saj, ajo nuk mund të niste të shkruante pa studiuar disa fakte kryesore e karaktere që do të përshkonin veprën. “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare mbetet e tillë dhe është një moment shumë i rëndësishëm. Ndonëse nuk e kam përjetuar, historitë që unë dëgjoja nga gjyshja ime ishin bagazhi nga ku nisi shtysa për të shkruar një vepër të kësaj natyre. Mendoj se ndoshta ishte momenti i duhur për të reflektuar për këtë moment, që përkon me një kalim nga një periudhë e gjatë sundimesh në një epokë tjetër që përfundoi në komunizëm. Unë jam përpjekur të ngre një sërë pikëpyetjesh në këtë roman, përfshi edhe atë se pse ne kemi pasur diktaturën më të egër. Mendoj se historia i ka zgjidhur çështjet e veta, por lufta mbetet një plagë e hapur”, është shprehur shkrimtarja. Drejtoresha e shtëpisë botuese “Toena”, Irena Toçi, teksa lajmëroi botimin së shpejti të këtij romani në greqisht, e ka cilësuar atë si një stacion të rëndësishëm që duhet marrë si pikë referimi për të gjithë krijimtarinë e mëvonshme të çulit. Nga ana tjetër, Pirro Misha është treguar më i kujdesshëm, duke cilësuar se “nuk e di nëse ky është romani më i mirë i Dianës, por pavarësisht nga kjo, se kam të vështirë të them se është një vepër e rëndësishme e atyre dhjetëra mijëra faqeve që i janë kushtuar në letërsinë tonë temës së luftës. Dianës s’i intereson lufta në vetvete. Lufta është një skenë dramatike, ku shpaloset tragjedia njerëzore”. Duke u ndalur te mënyra se si shkrimtarja i është qasur kësaj teme, ajo ka thënë se ka tentuar t’i shmanget kurthit të një letërsie të angazhuar. “Ky libër u shkrua në një liri të plotë, nuk kishte censurë, por liria është një përgjegjësi më e madhe para publikut, sepse të lë të zhveshur para lexuesit”, ka thënë ajo. “Lufta Nacionalçlirimtare është një nga periudhat më të paragjykuara sot, për të cilën diskutohet dhe debatohet deri edhe në Parlament mes forcave politike për atë që quhet data e çlirimit. Prandaj me qasjen ndaj kësaj teme, Diana ka ndërmarrë një sfidë”. Këtë shprehje studiuesi Virgjil Muçi e ka thënë në një takim libri, ku gjithsesi nuk mungonte prezenca politike. Ndërkohë, në një qasje ndaj këtij romani, Aleksandër çipa, kryeredaktori i gazetës “Shqip”, tha se “ky roman pasuron sipas meje edhe një njohje të lexuesit të tij me mendësinë e atëkohshme, sikundër edhe me odisenë psikike të personazheve të kohës së Luftës së Dytë Botërore, në këtë vis tipologjik, pra në breg të detit. Unë kam shijuar gjatë leximit të këtij romani refleksionet për procesin e mbarsjes së revolucionit me pikëllimën dhe ndjelljen e së keqes, pra diktaturës dhe absurdit të saj. Në këtë marrëdhënie, në këtë gjetje, pra dhe prurje, ky roman ka për t’u cilësuar i rëndësishëm dhe kontribuues në letërsinë tonë kombëtare”. Në përfundim të këtij takimi, ku procesi krijues dhe takimi me publikun mbeten parësorët, Diana çuli beson se lexuesi i është rikthyer librit, ndonëse vështirësitë për blerjen e tij lidhen më shumë me kushtet ekonomike se sa me dëshirën për të lexuar.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›