Festivali i Beratit 2010, tradita më e re në kalendarin kulturor
Listës së evenimenteve kulturore në vendin tonë i shtohet dhe një tjetër festival, i cili tashmë synon të kthehet në një traditë. Nga data 1 deri më 9 maj në qytetin e Beratit do të zhvillohet një eveniment i rëndësishëm për kulturën shqiptare. Nën titullin
Festivali i Beratit 2010 për publikun vijnë perla të folklorit shqiptar por dhe shumë elementë të tjerë të traditës. Në vigjilje të tij, dje në MTKRS u zhvillua dhe një konferencë për shtyp ku u bënë të ditura dhe më shumë detaje rreth zhvillimit të tij. Në këtë konferencë ishin të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, por dhe organizatorët e stinës së enteve italiane në vendin tonë, të cilët kanë ofruar mbështetjen e tyre për këtë festival. Në fjalën e saj përshëndetëse zv. ministrja e TKRS znj. Zana Turku theksoi rëndësinë e këtij evenimenti kulturor. Ndikimet e qytetërimit italian dhe kulturës italiane në tërësi në Shqipëri, si një nga kulturat më të kahershme dhe me vlera të përbotshme, janë edhe sot e kësaj dite të prekshme dhe prezente në shumë nivele të shoqërisë shqiptare, kështu i ka vlerësuar raportet kulturore mes Italisë dhe Shqipërisë, në fjalën që mbajti gjatë hapjes së edicionit të parë të projektit Festivali i Beratit 2010, zv/ministrja e Kulturës, Suzana Turku. Sipas saj lidhjet mes dy popujve tanë janë sa të hershme aq dhe të qenësishme. Pikëtakimet e shumta historike dhe artistike të dy popujve tanë përbëjnë një gur themeli të fortë për të intensifikuar dhe çuar më tej bashkëpunimet në fushën e kulturës, tha ajo. Ndërsa në lidhje me qytetin e Beratit, ka pohuar se e meriton plotësisht ti dedikohet një veprimtari e përvitshme e përmasave të këtij lloji, veprimtari e cila është një element më shumë që do të shërbejë për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit dhe zonave turistike rreth tij, dhe shndërrimit të tij në një pikë të rëndësishme të zhvillimit të turizmit kulturor. Berati, sikundër Gjirokastra dhe Butrinti, tashmë të shpallura nga UNESCO si pasuri botërore të mbarë njerëzimit, kanë qenë dhe janë prioritete absolute në proceset e hartimit të strategjive, planifikimit të investimeve, si dhe të thithjes dhe orientimit të ndihmës së huaj. Kjo, jo vetëm për faktin se këto tre qendra paraqesin vlera të veçanta dhe të papërsëritshme të trashëgimisë sonë kulturore, por dhe për faktin e thjeshtë që një menaxhim i mirë i tyre do të sjellë përfitime ekonomike dhe shoqërore të komuniteteve që i kanë ruajtur dhe do ti përcjellin ato tek brezat e rinj, theksoi më tej ajo gjatë fjalës së saj përshëndetëse. Inaugurim zyrtar i festivalit të Beratit do të bëhet nga ambasadori i Italisë, por dhe në prani të autoriteteve shqiptare. Kalaja e Berati do të jetë vendi i parë që do të zhvillohen aktivitetet, me koncertin e Qendrës Kulturore Berat me pjesëmarrjen e Ardjan Trebickës, ndërkaq që aktivitete të tjera do të jenë dhe inaugurim i Shkollës Pranverore dhe të Verës, koncert i këngëtarit Sherif Merdani, më 2 maj hapja e konkursit "Guri dhe inteligjenca e duarve", koncerti i grupit koral Tiranë, po ashtu dhe panairi i Beratit, konferenca Kush është e ardhmja e Beratit, etj. Ndërkaq që aktivitet e stinës italiane në këtë qytet kanë filluar disa ditë më parë. Një mbrëmje kushtuar poezisë dhe verës ka mbledhur në këtë qytet njerëz të artit, kulturës, pushtetarë lokale, ku nuk ka munguar dhe konsulli Italian në Vlorë Sergio Strozzi. Aktiviteti kushtuar poezisë është zhvilluar në ambientet e Galerisë së Arteve, ku pjesëmarrësit kanë dëgjuar nën tingujt e muzikës, poezi të autorëve shqiptare dhe italianë, si dhe kanë shijuar verën e kantinave të këtij qyteti, por dhe disa qyteteve të jugut si Pogradeci, Korça, Vlora e Gjirokastra. Pronarët e këtyre kantinave të ardhur nga jugu i vendit kanë bashkëpunuar në këtë aktivitet të organizuar nga Ambasada Italiane. Nisja e stinës së madhe të eventeve të quajtur Italia dhe Shqipëria 2010-Dy popuj, një det, një miqësi ka sjellë shumë aktivitete kulturore në vendin tonë. Ajo u inaugurua nëpërmjet ambasadorit Saba DElia, me spektaklin italian të kërcimit akrobatik Cataclo, në Pallatin e Kongreseve.
Nga Julia Vrapi