Diaspora kërkon pajtimin mes shqiptarëve në Maqedoni
Delegacioni i diasporës shqiptare nga SHBA-ja zhvilloi takime me krerët e dy partive politike shqiptare në Maqedoni, BDI dhe PDSH, për të diskutuar mbi platformën e tyre dhe zhvillimet politike në Maqedoni.
Delegacioni i shoqatave shqiptaro-amerikane i udhëhequr nga Xhevat Sherifi ka theksuar nevojën e arritjes së një marrëveshje të unifikimit dhe konsensusit midis partive politike shqiptare në Maqedoni, ndërsa në takimet e ndara është prezantuar Platforma Politiko-Kombëtare e asociacioneve shqiptaro-amerikane, me seli në Chicago të Illionisit.
Liderëve të dy partive, Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit iu dorëzua Platforma për t’u realizuar në të ardhmen.
“Ne nuk jemi të kënaqur me situatën politike në Maqedoni, veçmas atë shqiptare. Ka ngecje dhe është bërë një punë jo e mjaftueshme për ne shqiptarët. Duhet të punohet më shumë por me një unifikim të qëndrimeve politike shqiptare këtu në Maqedoni. Ne kemi bërë një platformë politike e cila me kënaqësi është pranuar”, ka theksuar Xhevat Sherifi, duke theksuar se Platforma i është dorëzuar partive.
Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdylaqim Ademi theksoi se në takimin me delegacionin shqiptarë nga SHBA-ja kanë diskutuar lidhur me zhvillimet politike në vend, por edhe për realizimin e projekteve të kësaj partie.