Emocioni përballë logjikës
Në skenën politike shqiptare, në shumicën e rasteve, reagimi është thjesht emocional e partizan dhe aspak logjik e racional. Mjafton të ndiqet një diskutim apo raport në Kuvend, një intervistë e një "politikani" të lartë, referimi apo fjalimi i një qeveritari, etj., dhe demagogjia e retorika partizane bëhen tepër të bezdisshme, deri lodhëse për veshin neutral e mendjen e ftohtë. Pale, pastaj, shifrat e sukseseve, aq më tepër të "satelitëve"! Po aq sfilitëse bëhen takimet masive, mitingjet politike e elektorale, ku dominojnë retorika e euforia, demagogjia e "tifozllëku"!...
Në induktim të natyrshëm, këtë tipar shqiptar të kësaj sjelljeje politike e ndeshim të transferuar dhe në media, sidomos në komentimin dhe vlerësimin e politikës, pasqyrimin dhe shëmbëllimin e saj. Si një sistem "feed back", politika e viruson median, por dhe media parapëlqen ta imitojë atë. Pikërisht, një imitim-infektim i tillë ka gjetur formën e tij hibride në jo pak media në mjedisin shqiptar. Me dashje apo pa dashje, diku dhe me "dhunë", vendin elitar të editorialistit (eseistit) e ka marrë tashmë "profesioni" i analistit! Bile, duke e konsideruar editorializmin apo "eseizmin" thjesht si "letrarizëm retorik"! Në këtë mënyrë, janë të shpeshta rastet që trajtimi politik-mediatik nuk shfaqet më as si analizë, as si ese. Pse jo, një përzierje "á cheval" e formës orale e shkrimore midis"ngjyrimit eseist" e "orientimit analitik"!...
Ekzekutivi, struktura dhe biznese pranë tij, përfshirë dhe ndonjë media pranë tyre, u japin formë lajmeve, ofrimit të një ngjarjeje ose mbulimit të favorshëm të saj, keqinformimit, sulmit politik, abuzimit e "teknologjisë" së kërcënimit, etj. Pra, në këtë mënyrë, tentohet t'u jepet një formë e manipulueshme vetë pikëpamjeve të njerëzve të thjeshtë. Një influencë e tillë, nën trysni të ndryshme, shfaqet dhe mbi median private me gjithë rezistencën, profesionalizmin e etikën gazetareske, në funksion të kritereve të saktësisë, cilësisë e pavarësisë. Thënë ndryshe, në jo pak raste, një numër i vogël pronarësh e botuesish, mund të ushtrojnë një fuqi të konsiderueshme ndaj një publiku të gjerë. Nuk shpëton dhe frekuenca e lajmit, e ushqyer nga pozicionime përkatëse politike-ekonomike të mediave të tilla. Kjo është arsyeja që në disa media, të konsideruara si kryesore, raportimet (përveç atyre partizane) janë mjaft të vagëta, pa kontekstin e duhur, pa shpjegimin e shkaqeve dhe rrjedhojave. "Konteksti", pra, mbetet rezultat i supozimeve, larg fakteve reale; aq më tepër që ai jo vetëm nuk pohohet apo diskutohet, por dhe "ushqehet" me dashje nga fakte të gabuara apo pseudo-fakte të montuara. Për qëllime të tilla "ndërtohen" dhe panele tematike "politikanësh e analistësh", apo intervista "euforike", gjithmonë të projektuara në shërbim të fuqisë, duke zëvendësuar logjikën me retorikën, analizën me "eseizmin"...
Serioziteti, analiza faktike dhe përgjithësimi, krahas profesionalizmit e etikës, janë fondamente të një gazetarie apo medie demokratike moderne. E kundërt, pse jo dhe kontradiktore, na shfaqet masmedia që gjeneron fuqinë "korruptive", si brenda korruptimit politik të pushtetit, ashtu dhe vetë skemës së saj. Kjo bëhet problematike duke pasur parasysh që, krahas ndikimit të qeverisë e biznesit mbi masmedian, edhe vetë media, veç ndikimit ekonomik-politik e social-kulturor, është një biznes i rëndësishëm. Sidomos kur ajo komandon burime të konsiderueshme, si simbolike, ashtu dhe financiare. Akoma më e hidhur bëhet situata kur për servilizëm e militantizëm politik apo interesa ekonomike, një pjesë e masmedias manifeston deri papërgjegjshmëri qytetare...
Një media e realizon ndikimin dominues nëpërmjet modelit propagandistik (të mbështetur në "filtra" të lidhur me pronësinë, reklamën, burimin e financimit, kontrollin programatik, pozicionimin politik, etj.), apo atij organizativ e gazetaresk, që në thelb synon balancim, informacion e neutralitet, saktësi e ndershmëri. Kjo "dilemë" apo ky binom ndeshet dhe në kuadër të "liberalizmit" të tregut mediatik. Sepse, si komandimi shtetëror i medias nëpërmjet pushtetit ekzekutiv, ashtu dhe reduktimi pothuajse i plotë i ndërhyrjeve të shtetit në tregjet e komunikimit, mund të provokojë deformime të konsiderueshme. Bile, tregjet e parregulluara të komunikimit, përgjithësisht e kufizojnë lirinë e tij, ushqejnë monopolet, vendosjen e barrierave, deri kthimin e njohjes në "komoditet" tregu. Kjo duhet korrigjuar, sidomos në të dy variantet elektronike. Në variantin publik (shtetëror), pavarësisht çfarë thuhet e propagandohet, synohet të ruhet kontrolli shtetëror (ekzekutiv) mbi këtë media; pra ajo mbetet pak a shumë e centralizuar. Sidoqoftë, jo vetëm media publike në duart e shtetit, por dhe media private, në demokracitë liberale u nënshtrohet, në një mënyrë apo tjetrën, "trysnive" të tregut të lirë, në shërbim të "noterizimit" shtetëror të saj. Shkurt, në kuadër të këtij tregu, me përjashtim të lirisë së pronësisë së kompanive audio-televizive e atyre botuese, liria mbetet pjesërisht e kufizuar, përfshirë dhe lirinë (apo më saktë lirinë e vullnetit) të vetë gazetarëve. Sidomos përkundrejt trysnive të bizneseve mbështetëse, interesave të politikës dhe vetë kompanive mediatike me "interesa ekzekutive"!...
Tek ne, jo vetëm nuk është arritur "divorci" midis ndikimit të përditshëm të pushtetit mbi vetë objektivat bazë të medias publike, por vazhdohet të ushtrohet një trysni e llojllojshme mbi median private. Prandaj, paralelisht me rregullimet ligjore-strukturore, mbështetjet parimore e kontrollet financiare ndaj medias, edhe vetë shteti, sidomos ekzekutivi, duhet të kontrollet në këtë proces. Në parim, pavarësia editoriale mund të garantohet nëpërmjet minimizimit të ndërhyrjeve e ndikimit të pushtetit, pronarëve e grupeve të tjera të interesit, rritjes së kufijve apo frymëmarrjes ligjore në funksion të një media sa më profesionale, demokratike e pjesëmarrëse. Pra, vlen të reduktohet, nga njëra anë, fuqia e "agjentëve të reklamave" dhe e ndërhyrjeve të tyre dhe, nga ana tjetër, duhet të rritet sa më shumë hapja e medias ndaj pjesëmarrjes dhe oportuniteteve të qytetarëve. Pikërisht, në funksion të pjesëmarrjes, apo më gjerë të demokracisë pjesëmarrëse, është dhe media alternative, pa "lidhje pushteti".
Një problem më vete për median është dhe ai audiencës. Përgjithësisht, produktet e prodhuara janë të ideuara vetëm prej një numri të vogël pronarësh e botuesish. Kjo përbën dhe një kundërshti reale, sepse, sa më e gjerë audienca, aq më të fuqishëm bëhen vendimmarrjet e vendim-bërësit çelës në media, më pak efektivë shfaqen mekanizmat balancues e profesionistë, apo më të kufizuara janë oportunitetet për pjesëmarrje, krahasuar me rritjen e fuqisë së disa individëve në ndikimin publik. Mënyra se si shfrytëzohet kjo fuqi varet dhe nga lidhja e medias me grupe të tjera në shoqëri, veçanërisht me politikën, gjë që zvogëlon dhe shanset për ekuilibrimin e kësaj fuqie. Pra, media, pushteti i katërt i saj, në duar të drejta, profesionale e qytetare, kthehet në një forcë të fuqishme; dhe anasjelltas, ajo shndërrohet në instrument të korrupsionit politik. Në rastin e parë, forca e saj, brenda misionit qytetar, mishëron një ndjeshmëri reaktive ndaj korrupsionit të fuqisë, ndërsa në rastin e dytë, ajo i shërben fuqisë, e mbron atë, pasurimin e saj, pra dhe vetveten, në kundërshtim me misionin e saj qytetar! Prandaj, fuqia e ushtruar nëpërmjet medias, jo gjithmonë vjen për të mirë, përderisa ajo tenton të korruptojë apo të korruptohet! Aq më i hidhur del ky rezultat me "blerjen e analizës" (pra të mendjes); pse jo dhe të "degjenerimit të eseizmit" (pra dhe të zemrës)...