E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lapsi i Doktorit

Njëri prej deputetëve që ishin mbrëmë në sallën e Kuvendit, bëri një diversion qesharak ndaj shumicës parlamentare, duke përmendur disa pseudonime spiunësh, si “lapsi blu”, apo “linotipi”. Janë terma shumë familjarë të medias dhe mbajtësit e tyre janë shumë aktivë sot në tregun mediatik, duke përdorur median si mbulesë, pas të cilës fitojnë tendera shumëmilionësh për vepra rrugore apo projekte energjetike. Deputeti vuri në siklet edhe Kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së, duke e shantazhuar se, nëse nuk e tregonte ai emrin, do ta nxirrte aty para deputetëve që sapo e kishin votuar në parim projektligjin për verifikimin e figurave, ndërsa, pas shpinës së tij, Kryeministrit i shtohej e përskuqura e fjalimit kundër opozitës së majtë, të cilën e akuzoi si trashëgimtare dhe bashkëpunëtore me krimet e komunizmit.

Për gazetarët që kanë pasur rastin të punojnë në mediat që kontrollonte dikur Doktori, “lapsi” është mediabërësi më i dashur i Kryetarit të PD-së. Ja që, fakti që ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, veç ia rritka meritat në karrierën e mëtejshme në luftën për të bashkëpunuar me Kryeministrin aktual, apo ndonjëherë edhe me ish-kryeministra. Sepse Doktori, bashkë me të, me një të rënë të lapsit të bën spiun të Sigurimit, të bën ekzekutor, të bën më kriminel se vetë ish-diktatori Enver Hoxha, të nxjerr gjithë pemën gjenealogjike të mijëvjeçarit të shkuar në shërbim të okupatorit dhe të skanon si farefis kuislingësh. Se sa kollaj të bën spiun apo të heq njollën e spiunllëkut Doktori, ka shumë histori personale të përjetuara nga disa prej atyre që sot, çuditërisht janë ministra, zëvendësministra apo deputetë “qëndrestarë” ose të rikthyer në gjirin e Grupit Parlamentar të PD-së. Kush ka kuriozitetin t’i njohë, le të shfletojë mediat e PD-së të viteve 1995, 1996, ku janë me emër dhe mbiemër, me pseudonim dhe nuk mungon as akuzatori i tyre. Me një të rënë të lapsit, Doktori, atëherë President, nxori spiunë ata që nuk i donte nëpër këmbë kur bëheshin listat për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të majit 1996. Nuk e lëshoi lapsin nga dora as kur bëheshin zgjedhjet në partitë që kanë grupuar një pjesë të vockël të elektoratit të djathtë dhe kur donte të eliminonte filan kandidat, fap ia nxirrte dosjen e spiunit dhe festonte në distancë zgjedhjen e kandidatit të piketuar nga selia blu. Dhe aq shumë shërbime ka bërë “lapsi blu” sa ia vlejti që nga projektligji të hiqej gjithë pushteti i katërt, sepse Doktori ka sërish nevojë për të bërë dhe zhbërë spiunë me një të rënë të lapsit. Në listë janë prokurorë dhe gjyqtarë që kanë ndër duar dosjet më të nxehta të viteve të fundit, me të cilat nuk digjen vetëm ministra të qeverisë, por vetë Kryeministri Berisha.

Shumë kanë menduar deri mbrëmë se, i vetëm përballë gjithë opinionit vendas dhe të huaj, Kryeministri Berisha do të tërhiqej nga projektligji. Sepse ai ligj nuk i hap dosjet, por bën sërish dosje me një të rënë të lapsit. Reagimi kundër në bllok i ambasadorëve të huaj dhe histeria anti-perëndimore e lidershipit të PD-së, rikthyen realitetin e 11-12 viteve më parë, kur po në atë sallë Kuvendi mallkohej Amerika dhe sulmohej “armiku i jashtëm” për kaosin ku PD-ja e kish futur vendin. Ata që e kanë njohur sadopak Kryeministrin aktual të Shqipërisë, e dinë se ai i shkon deri në fund një marrëzie, siç bëri në ’97-n, si shtegu i vetëm për të shpëtuar lëkurën e vet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›