Nevoja për njerëz të mençur
Eseist është një emërtim i vjetër, që ka zënë vend dhe nuk ka pse diskutohet. Në ndryshim nga shkrimtari i mirëfilltë, eseisti nuk vepron në fushën e fantazisë (fiction), ose hyn këtu në mënyrë shumë të kufizuar. Në ndryshim nga shkencëtari i dijeve humane, eseisti është i lirë t’i japë mendimet e tij pa referenca dhe pa nevojën për të dëshmuar diçka. Kjo ia bën më njërën anë të lehtë detyrën (është i lirë të thotë ç’t’i dojë e bardha zemër), më anën tjetër mund të dyshohet shumë lehtë për pavërtetësi, për manipulim opinioni, për demagogji e çka tjetër të duash. Në këtë pikë një ese afron me fjalimet e politikanëve ose predkat e priftërinjve; ajo mund të ta „çojë zemrën peshë“, ose edhe të të zemërojë, ngaqë mund të të ketë pëlqyer si mbështjellje, por të jetë ngritur mbi një thelb të shtrembër, që edhe mund të manipulojë opinionin e njerëzve. Shumë i afërt është me eseistin, në mos identik me të, nocioni i publicistit. Sepse çfarë shkruan publicisti? Natyrisht ese (ngaqë nuk ekziston ndonjë publicë). Tek eseisti ose publicisti futen edhe emërtimet alternative si editorialist, kolumnist etj. Megjithatë të kemi parasysh se sa efemer është ky profesion, kur p.sh. edhe gazetari nuk njihet si profesion në Gjermani, dmth. nuk merret ndonjë liçencë për këtë zanat, siç ka mjeku, avokati etj..
Ndërsa „analisti“ kështu siç është futur te ne është, për mendimin tim, një shpikje e shëmtuar e mediave shqiptare të pasdiktaturës. Sepse mund të ketë analistë politikë, analistë tregu, sikurse dhe analistë feçesh në laborator, por jo „analistë“ në përgjithësi. Mendoj se „analist“ është sinonim me „diletant“; dmth. analisti është një diletant që di të flasë bukur, ose rrjedhshëm, por nuk ka një profesion të caktuar. Për vete e shoh si fyerje kur dikush me prezanton si analist, sepse profesionin e ngushtë e kam filolog dhe letrar ose dhe gjermanist, në një kuptim më të gjerë më tërheqin shumë fushat e mjedisit dhe të historisë, pa pretenduar të jem këtu specialist.
Krijimi i çuditshëm i kategorisë së analistit në mediat tona, ka bërë që të mbahet dhe kultivohet një grup personash, të cilët vetëm për arsye se flasin rrjedhshëm (në një shoqëri ku ka analfabetizëm të përhapur, ku shumica e njerëzve sheh vetëm televizor dhe lexon pak ose aspak libra, ku me pak përjashtime banorët, për fat të keq edhe rinia, shkruajnë me gabime drejtshkrimore) gëzojnë të drejtën të japin mendime kudo dhe për gjithçka. Me të drejtë dëgjojmë herë pas here zëra të revoltuar, edhe në faqet e „Shekullit“, që kërkojnë, më e pakta, t’u hiqen gradat analistëve.
Nuk mund ta mohojmë se publiku, shikuesit, pronarët e mediave kanë nevojë për njerëz të mençur që shpjegojnë fenomenet dhe propozojnë zgjidhje për problemet tona të mëdha. Por mendoj se secili nga ne duhet të ketë etikën që t’i thotë më së pari publikut, se për çfarë është profesionist, pastaj të ketë modestinë dhe të thotë që „unë këtë fushë nuk e njoh, ose e njoh shumë pak, ose e kam vetëm hobi, por më lejoni të them mendimin tim modest“ dhe mundësisht të mos flasë për Skënderbeun, kur ka lexuar vetëm Nolin dhe të mos flasë për ushqimet e modifikuara gjenetikisht kur diplomën mund ta ketë shkruar për romanet e Sterjo Spasses.