E Diel, 1 Nëntor 2026

Dibër, vrau vëllain, autori 66-vjeçar: Jam bërë pishman



DIBER - Depresioni dyshohet se ishte shkaku kryesor që ndikoi në vrasjen e fundit në rrethin e Dibrës. Burime pranë Komisariatit të Policisë Peshkopi sqaruan për gazetën “Panorama” se Fiqiri Buci 7 vjet më parë kishte pësuar një traumë familjare, pasi i është vrarë djali 22-vjeçar në prag të shtëpisë. Kjo kishte bërë që ai të largohej nga fshati me mendimin për të mos u kthyer dhe për të mos parë çdo çast vendin e ekzekutimit të djalit të tij. Madje dhe të afërmit e kishin ndihmuar që ai të sistemohej në periferi të Tiranës. Vetëm pak muaj pas ngjarjes së rëndë, Fiqiriu kishte shfaqur shenja depresioni. Familjarët i qëndronin pranë, por 6 muaj më parë ai kishte vendosur të linte kryeqytetin dhe të rikthehej në vendlindje, në shtëpinë që kishte braktisur 5 vjet më parë. Mësohet se sapo është kthyer në shtëpinë e tij Buci i kërkoi vëllait më të vogël të hiqte dorë nga toka e tij, madje të largonte gardhet dhe gjithçka kishte mbjellë, pasi tokën do ta shfrytëzonte vetë ose mund t’ia jepte dikujt tjetër me qira apo t’ia shiste. Të afërm të viktimës kanë sqaruar për grupin hetimor se Ilmiu nuk e ka kundërshtuar aspak vëllain e tij më të madh, madje i është shprehur muaj më parë se: “Toka është aty ku e ke lënë dhe është e jotja, mos u mërzit se askush nuk ta merr. Nëse ke për ta lënë me qira ose për ta shitur, fillimisht do të bisedojmë bashkë”. Megjithëse ka ndodhur kështu, banorët e fisit Buci kanë përjetuar marrëdhëniet e acaruara mes vëllezërve, pasi Fiqiriu u kishte deklaruar të gjithëve se nuk do ta linte vëllain në pjesën e tokës së tij, të mbjellë me pemë frutore. Efektivë të policisë që morën pjesë në arrestimin e Fiqiri Bucit thanë se vetëm pak orë pas krimit të kryer dallohej qartë ndjenja e pendesës së tij për ekzekutimin e vëllait. “Ishte totalisht i hutuar. Nuk fliste. I binte të fikët. E kishin mbuluar djersët”, pohuan punonjës të policisë së Dibrës. Dhe pse është marrë në pyetje për orë të tëra autori i ngjarjes nuk ka dhënë shumë detaje për krimin e kryer, por ka shqiptuar herë pas here se është bërë pishman. Sipas policisë ngjarja e rëndë është rrjedhojë e depresionit të mëparshëm të Fiqiri Bucit dhe ka gjasa që në momentin e ngjarjes dy vëllezërit të jenë konfliktuar fillimisht me fjalë dhe më pastaj vëllai i madh ka vënë në përdorim thikën që mbante me vete. Banorë të shumtë të fshatit Fushë Alie kanë përcjellë dje për në banesën e fundit 56-vjeçarin Ilmi Buci, ndërkohë nuk janë lejuar të marrin pjesë në mort pjesëtarët e familjes së Fiqiri Bucit. Grupi hetimor vazhdon punën për grumbullimin e fakteve dhe sqarimin e plotë të krimit të ndodhur brenda familjes. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›