E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama udhëton për në Paris, asnjë njoftim zyrtar për takimet



Kreu socialist ndodhet që dje në kryeqytetin francez, ndërsa nuk bëhet e njohur anxhenda e këtij udhëtimi për të cilin përflitej në selinë rozë që tri ditë më parë. Ky udhëtim i Ramës është mbajtur sekret në selinë rozë, ndërsa informacioni i detajuar për destinacionin apo njerëzit me të cilët ai do të takohej konsiderohej tabu. Kreu i grupit socialist, Ruçi, tha dje gjatë protestës se Rama është jashtë shtetit për çështjet e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Rama kthehet sot në Tiranë, ndërsa në disa media destinacioni i kreut socialist raportohet Brukseli. Por burime nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” pohuan se kreu i Bashkisë së Tiranës dhe i opozitës ka udhëtuar me një avion me destinacion Parisin. Për shkak të kohës kur kryhet ky udhëtim, e premte pasdite dhe e shtunë, mësohet se takimet që pritet të zhvillojë Rama dalin jashtë kuadrit zyrtar, për shkak se zyrat dhe kancelaritë evropiane janë të mbyllura që të premten në mesdrekë. Ndërkohë që kreu socialist ka lajmëruar në dy mitingjet e fundit ku ka marrë vetë pjesë se e diela paradite do të jetë një nga mitingjet më të mëdha të protestës që opozita ka zhvilluar. Për këtë strukturat socialiste kanë ditë që kanë nisur punën për të lajmëruar dhe inkurajuar simpatizantët, por edhe votuesit jo socialistë që të bëhen pjesë e këtij mitingu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›