Foto me Kallash për Facebook,vritet gabimisht 18-vjeçari
Fatos Mahmutaj
Një fotografi për Facebook me Kallash në dorë i ka kushtuar jetën dje një 18-vjeçari në Kodër-Kamëz. Bledar Lusha ka mbetur i vdekur, pasi u qëllua me Kallashnikov nga shoku i tij në mënyrë aksidentale. Tre të rinj kanë shfrytëzuar momentin kur njerëzit e shtëpisë ndodheshin në gjumë, për të nxjerrë automatikun që mbanin në banesë prej shumë vitesh, me të cilin do të bënin disa fotografi për t’i hedhur në Facebook. Arma u duhej adoleshentëve vetëm pak minuta, sa për të bërë fotot, të cilat do i publikonin në profilet e tyre në Facebook. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, në banesën e 18-vjeçarit Gertian Xhika në Kodër-Kamëz. Ai sapo kishte mbërritur aty së bashku me dy bashkëmoshatarët e tij, Mirsen Gjoka dhe Bledar Lusha. Rreth orës 13:00 të mesditës kishin pirë kafe në katin e dytë të një lokali në kryqëzimin e Institutit, Kamëz. Pastaj të tre bashkë nisen drejt shtëpisë Xhikës, ku mbërrijnë rreth orës 13:45. Dy shokët, Lusha dhe Gjoka, kanë qëndruar në ballkon, ndërsa Xhika hyn në banesë dhe pasi sigurohet se familjarët ishin të gjithë në gjumë, ka dalë që andej me automatik në dorë. Të tre djemtë kanë nxjerrë celularët duke hapur kamerat për të bërë foto. Ndërsa ka nisur të pozojë me Kallash në dorë, Mersiani ia ka drejtuar në fytyrë armën Bledarit, kurse Gertiani po bënte gati celularin për të fiksuar foton. Një moment, së bashku me foton në celularin e Xhikës, Gjoka ka shkrepur armën duke e qëlluar me plumb në fytyrë. Shoku është përplasur përtokë, ndërsa dy bashkëmoshatarët e tij kanë thirrur familjarët që kanë dalë me të shpejtë jashtë. Babai i Xhikës ka provuar pulsin e viktimës, i cili kishte ndaluar. Pas kësaj janë lajmëruar familjarët e viktimës që banonin në banesën ngjitur si dhe familjarët e Gjokës, që banonin rreth 50 metër më sipër, pranë rrugës kryesore. Më pas u njoftua policia, e cila mbërriti në vendngjarje duke bërë të mundur shoqërimin e dy adoleshentëve të tjerë, ndërsa viktima u përcoll në mjekësinë ligjore për t’iu nënshtruar ekspertizës. Xhika u akuzua për armëmbajtje pa leje, ndërsa Gjoka për vrasje nga pakujdesia. Po kështu policia bllokoi edhe armën e krimit, e cila ka rezultuar se mbahej në banesën e familjes Xhika që nga viti 1997. Gjatë marrjes në pyetje, adoleshentët kanë pohuar se gjithçka ka ndodhur aksidentalisht, pasi ata ishin duke bërë vetëm foto. Sipas Xhikës, automatiku është shkrepur aksidentalisht, në momentin që ai ndodhej duke pozuar me armën në fytyrën e shokut. Familjarë të viktimës pohuan dje se familja Lusha ishte zhvendosur në Kodër-Kamëz shumë vite më parë, pasi u larguan nga fshati në Rrëshen të Dibrës. Viktima Lusha ka edhe dy vëllezër më të vegjël. Familja Xhika e kishte origjinën nga zona e Dibrës, ndërsa familja Gjoka nga Burreli. Tre djemtë 18-vjeçarë ishin shokë të ngushtë me njëri-tjetrin. Gjoka ndiqte studimet në vitin e katër të shkollës së mesme Hotleri-Turizëm në Tiranë, pranë Qytetit të Nxënësve, ndërsa dy fqinjët e tij, Xhika dhe Lusha vazhdonin vitin e katërt në shkollën e mesme “Sinan Tafaj”, në të njëjtën klasë. Të tre djemtë, sipas të afërmve, shkonin bashkë çdo mëngjes në shkollë dhe po kështu ktheheshin çdo pasdite në shtëpi. Familjarët pohojnë se ata kalonin orë të tëra pasditeve në internet ku luanin në profilet e tyre të hapura në rrjetin social Facebook. Referuar të dhënave të tyre në këtë ueb-site, rezulton se të tre djemtë bënin pjesë në një grup adoleshentësh të quajtur “Seven”, (shtatë.red). Adoleshentët kanë publikuar në profilet e tyre mjaft foto të tyre, foto makinash luksoze të marra nga interneti, ndërsa nuk kanë harruar të publikojnë pistoleta, doreza metalike dhe sende të tjera, që përdoren në masë nga adoleshentë të dhunshëm.