E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtesë pa leje në pallatin me 12 kate, katër persona në gjyq



TIRANE - Prokuroria e Tiranës dërgon në gjykatë pesë qytetarë të akuzuar për ndërtimin e një shtese pa leje në një pallat në kryeqytet. Organi i akuzës ka përfunduar hetimet ndaj të akuzuarve për ndërtimin e një shtesë të jashtëligjshme mbi katin e 11-të të një pallati ekzistues në rrugën “Osman Myderizi”. Dosja me të pandehur A.Ruzi, A.Xhengo, F.Islami, S.Demiraj dhe Th.Zhaka ka mbërritur në Gjykatën e Tiranës pak ditë më parë. Mësohet se ndërtimi pa lejë është ngritur dy vjet më parë. Por ndonëse Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik i Bashkisë ka vendosur prishjen e tij, urdhri nuk është ekzekutuar. Shkak është bërë mungesa e mjeteve të nevojshme për prishjen ndërtimeve pa leje në lartësi të larta. Sipas prokurorisë, akuza me të cilën pesë të pandehurit do të përballen me gjykatën është “kryerja e ndërtimeve pa leje ndërtimi”. Dosja në fjalë do të shqyrtohet në Gjykatën e Tiranës nga gjyqtari Gerd Hoxha. “Telashet” për të pandehurit e kësaj dosjeje kanë filluar në 30 qershor 2008, kur kundër tyre u dërgua një peticion në Bashkinë e Tiranës. Sipas akuzës, pak më parë të pandehurit kishin nisur ndërtimin e një shtese mbi katin e 11 të pallatit. Në peticion, të tjerë banorë të pallatit kërkonin ndërhyrje për ndërprerjen e punimeve të nisura prej tyre dhe prishjen e objektit të filluar, pasi sipas tyre, u rrezikonte jetën, pasurinë dhe hipotekimin e banesave. Në vijim inspektorët ndërtimorë kanë inspektuar punimet dhe ka rezultuar se objekti ishte pa leje ndërtimi. “Nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik është vendosur prishja e objektit, kati shtesë, ndaj kundërvajtësit D. Xhenga, S. Ceka, S. Dervishi, A.Ruzi dhe F. Islami. Por megjithëse janë marrë vendimet përkatëse të sipërpërmendura për secilin nga këta persona që kishin bërë ndërtim të paligjshëm, këto vendime nuk janë ekzekutuar dhe nuk është bërë prishja e këtij kati shtesë, i ndërtuar pa leje”, thuhej në kërkesën për gjykim. Sipas prokurorisë, ndonëse është marrë vendimi për prishjen, banorët e kanë vazhduar ndërtimin e paligjshëm. “I pyetur për ekzekutimin e këtyre vendimeve për prishje objekti të paligjshëm, Kryeinspektori Ndërtimor Urbanistik, Afrim Qendro, ka deklaruar se vendimi i prishjes nuk është ekzekutuar për mungesë të mjeteve që shërbejnë për prishje të tilla specifike në katet e larta dhe të fundit”. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›