Dibra jep besën për vazhdimin e reformave me kryeministrin Berisha

Dhjetëra mijë dibranë kanë pritur kryeministrin Berisha në sheshin qendror të Peshkopisë, duke i garantuar atij një mbështetje edhe më të madhe se në 2009-n, çka do të sjellë për koalicionin e Qendrës dhe të Së Djathtës edhe mandatin e pestë të deputetit
Berisha: “Rruga e Arbrit do ndërtohet brenda 2 viteve. Dibra do të ketë edhe universitetin e saj”
Në një tubim elektoral në qytetin e Peshkopisë, kryeministri Sali Berisha ka prezantuar kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 23 Qershorit.
Teksa falënderoi dibranët për mbështetjen e vazhdueshme për Partine Demokratike, kreu i qeverise premtoi se do të punojë bashke me deputetët e këtij qarku për të bërë gjithçka për Dibrën, Matin dhe Bulqizën e zhvilluar. Por ai u ndal në veçanti ne dy projekte madhore, rrugën e Arbrit dhe hapjen e universitetit të Dibrës. “Jam sot për t’u zotuar se në projektin tonë të katër viteve që vijnë, për Peshkopinë, Bulqizën dhe Matin, çdo kilometër rrugë e paasfaltuar do të asfaltohet në të katër anët e këtij qarku. Aty ku jetoni do të keni rrugë të asfaltuara, ujësjellës, kanalizime, shkolla të reja. Nxënësit tuaj do të ulen në banka shkolle njëlloj si në qytete. Ju dhe unë kemi edhe një ëndërr shumë të bukur, rrugën e Arbrit, rruga e dytë e kombit. Këtu dua të jem i sinqertë me ju, siç jeni ju me mua. Rruga e Arbrit do të kishte përfunduar, në qoftë se nuk do të na dilte një problem serioz gjeologjik me tunelin e Murrizit. Ky problem, i lidhur me shtresat gjeologjike në kuotën në të cilat do të ndërtohej tuneli, e bënte të pamundur ndërtimin e tij. Ndaj u detyruam ta projektojmë nga e para, në një kuotë 120 metra larg kuotës ekzistuese. Fjala ime para jush është se vepra më e parë e dy viteve të para do të jenë tuneli i Murrizit, rruga e Arbrit, Boshti i Jugut. Jam këtu gjithashtu, për t’ju dhënë juve fjalën se shumë shpejt do të ngremë universitetin e Dibrës. Një nga miqtë e mi më të shkëlqyer, më të mençur e më të mëdhenj që kam pasur në jetën time, i cili gjatë kohës së luftës kishte qëndruar në Dibër, një ditë më tha: Sali, universitetin më të madh, më të shkëlqyer e kam bërë tek dibranët. Ndaj do të ngremë universitetin e standardeve më të mira”- u shpreh kryeministri. Kreu i qeverisë nuk la pa shigjetuar edhe kryetarin e partisë Socialiste Edi Rama, për ato çfarë ai u tha dibranëve pak javë më parë, në vizitën e tij atje. “Por nga ky shesh më lejoni t’i çoj një mesazh shokut Rama, i cili erdhi në Peshkopi si përçarës, sepse platforma e tij është vetëm përçarja. Ju tha juve këtu se Berisha ju ka injoruar, se ai nuk pyet për Peshkopinë. Shkon në Berat dhe u thotë beratasve se Berisha investon vetëm në veri, se nuk pyet për Beratin. Por për këto ia jepni përgjigjen ju vetë. Ndërsa për diçka tjetër do t’ia jap unë sot. Erdhi këtu dhe u tha socialistëve të Dibrës: demokratët ju japin raki me sheqer dhe ju votoni demokratët, të dehur. Zoti Rama, dije se dibranët, demokratë e socialistë kanë dy tipare më të spikatura: të mençur e punëtorë. Ti mendon se mund t’i mashtrosh, por jo, zoti Rama. Dibranët, socialistë e demokratë nuk mund të pajtohen me ty, sepse t’i shkelmon me papërgjegjshmërinë më të madhe mbi aspiratat e tyre europiane, sepse ti zoti Rama, kur do firmosej Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, fute boritë, trumbetat dhe bilbilat në parlament, për t’u thënë europianëve se parlamenti shqiptar është një vathë bagëtish dhe jo tempull parlamentarësh. Dibranet dhe dibranët janë të mençur dhe me memorie. Ata nuk harrojnë kurrë nofkat, epitetet, sharjet që ke përdorur për Shqipërinë. Dibranet e dibranët e kanë të larë me gjak, çdo pëllëmbë të kësaj toke kundër pushtueseve dhe nuk mund të pranojnë kurrë aktin tënd, kur Çelësin e Artë të kryeqytetit të tyre, ia vure në gjoks Goranit, njeriut që i thuri himne masakrave mbi shqiptarët e Kosovës.
Dibranet e dibranët nuk i pranojmë asnjë mashtrim tëndin, i dashur shok. Ata janë të vendosur t’i japin më 23 qershor Partisë Demokratike, mandatin e pestë dhe të të japin ty leksionin, të të lënë përjetësisht në autobus. Vazhdo!”- theksoi Berisha. Ai deklaroi se flladi i fitores së PD po vazhdon në mbarë Shqipërinë. “Ju bëj thirrje të bëjmë gjithçka këto javë që kanë mbetur, të trokasim në çdo zemër, të trokasim në çdo portë, të paraqesim projektet tona. Ne jemi seriozë në ato që premtojmë. Të bëjmë çdo gjë për Dibrën e zhvilluar, për Shqipërinë e zhvilluar, për Dibrën europiane, për Shqipërinë evropiane” - përfundoi kryeministri Berisha.
Kryeministri në Facebook: Dibra, “uragani” i mandatit të pestë
“Të dashur miq, sot paradite dhjetëra mijëra dibranë dhe dibrane kishin mbushur ne çdo skaj sheshin qendror te Peshkopisë dhe rrugët e tij, për të festuar me një miting entuziast, te zjarrte, madhështor dhe te papare hapjen e fushatës sonë elektorale te fitores. Sot në shesh dibranet dhe dibranët pagëzuan uraganin e tyre gjigant: Uragani i mandatit te Peste! Zoti i bekoftë ata dhe pesë mandatet e tyre. Përpara drejt fitores!”
Investimet e qeverisë në Qarkun e Dibrës
Në këto 8 vite në qarkun e Dibrës janë ndërtuar mbi 500 kilometër rrugë nga të cilat 185 kilometër rrugë kombëtare, 115 kilometër rrugë rajonale dhe 200 kilometër rrugë lokale; janë ndërtuar 80 sisteme ujësjellës e kanalizime; 92 shkolla e kopshte nga të cilat 30 janë krejtësisht të reja, investim mbi 1 miliardë lekë; në shëndetësi janë ndërtuar 80 objekte nga të cilat 44 objekte të reja, si dhe pavijonet e spitalit rajonal dhe janë proces investimi 970 mijë euro për rikonstruksionin, modernizimin e sektorit si dhe telemjekësinë. Në fushën e bujqësisë janë subvencionuar 2400 hektarë dru frutorë, duke çuar në 24 mijë ton prodhimin e tyre, si dhe në 26 200 numrin e fermerëve. Pemëtarisë i janë shtuar dhe 300 hektarë me arrorë dhe 25 hektarë me bimë mjekësore. Në këtë zonë janë shtuar 300 ferma të reja dhe 220 firma agro-përpunuese që punësojnë mbi 2 000 persona. Rreth 1.4 miliardë lekë janë investuar në sistemin e vaditjes, mbrojtje, kullimit si dhe ndërtimin e 5 tregjeve agro-industriale. Në energjetikë janë kontraktuar dhe po ndërtohen 80 HEC-e lokale me fuqi 290 MGW dhe prodhim e energjie 1400 GËh me perspektive punësimi mbi 5000 punonjës. Numri i të punësuarve në 8 vjet ka arritur në 9000 persona, në 4 vitet që vijnë do të shkojë deri në 18 mijë persona. Numri i bizneseve është rritur me 1210 biznese, duke arritur në 3140 biznese nga 1930 në vitin 2005. Rruga e Arbrit, rruga Kukës – Peshkopi, rruga Dibër - Librazhd, rruga Rrëshen Urakë dhe rruga Milot – Bulqizë po e shndërrojnë Dibrën në qendër rajonale. Për herë të parë dibranët kanë Universitetin e tyre, ku studiojnë 2000 studentë.