Teatraliteti muzikor i PS-së si shpërfaqje e mendësisë politike tallava
Ajo që ishte përgatitur për datën 23 maj, jo vetëm militantët dhe të mobilizuarit e PS-së dhe të opozitës së majtë në tërësi, por edhe të gjithë të tjerët të interesuar për rrjedhën socio-politike, para kësaj date, ka mundur t’i bëjë kureshtarë se si do të hapte partia më e madhe e opozitës fushatën zgjedhore, dhe çka do të bënte ndryshe nga mënyra e hapjes së kësaj fushate që kishte bërë partia më e madhe qeverisëse – PD-ja. Është shumë e logjikshme që PS të ketë planifikuar diçka ndryshe, diçka të veçantë që do të tërhiqte vëmendjen e njerëzve, dhe ashtu edhe ndodhi: PS kishte zgjedhur vërtetë një mënyrë të veçantë, për të cilën zor se do t’i kishte shkuar mendja dikujt, jo se njerëzit kanë luajtur tek a çift për t’ia qëlluar, por për faktin se PS-ja në përgjithësi dhe Edi Rama në veçanti, shpesh kanë ditur të jenë të paparashikueshëm, kryesisht për të keq. Mirëpo, megjithë kurreshtjen e njerëzve, si dhe me gjithë provat për paparashikueshmëri negative, sigurisht se askush nuk ka mundur të besojë se marrëzia e PS-së dhe e Edi Ramës do të arrijë deri në nivele të tilla sa që një fushatë zgjedhore që ka për qëllim që të ofrojë mënyrën e qeverisjes së saj, po qe se do të vinte në pushtet, do ta shndërronte në një teatralitet muzikor të mbushur me recitime emocionale që nga shumë recitatorë politikë dilnin edhe dhunshëm, pasi që në shumë raste i tradhtonte intonacioni dhe e folmja tironse, sepse shpesh herë zëri u dilte një kakofoni e vërtetë, si dhe me një muzikë ndërmjet pop rock-ut dhe tallavasë . Duket se dëshira për të bërë diçka të veçantë, diçka të paparashikuar dhe për më tepër më afër pjesëmarrësve në atë mbasdite të vonë të 23 majit, e kishte shtyrë Edi Ramën dhe PS-në drejt një teatraliteti të tillë muzikor me kakofoni emocionale dhe me tallava muzikore, në një ambient të mbyllur si në ndonjë pub striptizi, apo edhe në ndonjë ambient garash të tai-box. Ndikimi psikologjik i kakofonisë emocionale dhe tallavasë muzikore, striptizi politik i bërë nga striptizerët politikë, dukej se kishte rritur adrenalinën dhe turmën e kishte shtyrë drejt një ekstazi të vërtetë psiko-emocional. Është e vërtetë se ajo që u paraqit dhe që u pa në teatrin muzikor të PS-së, nuk i përngjante aspak një hapje të fushatës zgjedhore, as shpalosjes së një programi politik për qeverisje shtetërore, por një party ekstazie, alkooli etj., në të cilën defilonin striptizerë politikë që çirreshin me sa zë, duke dëshmuar kështu se PS nga parti, është shndërruar në party, në aheng, në ndejë ekstazie. Por jo vetëm kaq: me këtë atmosferë ekstazi, ku përziheshin emfazitë recituese emocionale, pop rock-ut, tallavasë, shkriheshin dhe përdridheshin çengixhinjtë dhe çengixheshat si në kohën padishahëve osmanë. Kushdo mundi të shihte dridhjet dhe përdridhjet e çengixheshave që nën tingujt e çengieve muzikore dhe nën efektin e një ndriçimi si në sallat ku kuestorët dhe satrapët e ndryshëm torturonin viktimat e tyre, e që ia shtonin edhe më shumë adrenalinën dhe bënin edhe Saimir Tahirin t’ia merrte këngës, dhe Edi Ramën që t’i binte dajres, kurse të tjerët, t’i shoqëronin. Tërë kjo u quajt paraqitje e himnit të fushatës zgjedhore, por që në të vërtetë ishte shpërfaqje e mendësisë politike tallava. Dhe kjo mendësi politike tallava është mendësia e vërtetë e opozitës së majtë, pasi që është nën ritmin e çengieve politike që Edi Rama po i krijon me anë të çengixhinjve politikë që nga Blushi e deri te Majko, që nga Samir Tahiri e deri te Taulant Balla, që nga plaku Braha, i cili duket se kishte shkuar t’ia hapte derën Ilir Metës për kreun e PS-së, pas largimit të Edi Ramës, e deri te Artan Lame e të tjerë, dhe si e tillë ka për qëllim që të shtyjë tërë popullin drejt një ekstazi politik, drejt një hipnoze kolektive që mund të manipulohet dhe të orientohet nga vetë Edi Rama. Kjo mendësi tallava e shpërfaqur qoftë nëpërmjet konferencave me gazetarë, qoftë në debate televizive, apo edhe në takime me qytetarë, ka për veçori recitimin emocional, montimin e situatave të caktuara, trillimin, mashtrimin në funksion të ngritjes së adrenalinës politike te militantët dhe te të mobilizuarit politiko-partiakë, me qëllim, pikërisht për të manipuluar dhe hipnotizuar ata. Shpërfaqja më konkrete e kësaj mendësie tallava që ka për qëllim manipulimin dhe hipnotizimin e qytetarëve është fjalimi ritmik i tipit tallava të vetë Edi Ramës: ai në takime me qytetarë, në mënyrë ritmike po mundohet të minimizojë rëndësinë e investimeve strategjike që ka bërë qeveria e kryeministrit Berisha. Në shumë takime, mendësinë tallava me qëllim hipnotizimi dhe manipulimi të qytetarëve, ai e ka shpërfaqur: dua këtë, rrugë, dua atë, rrugë, dua andej, rrugë, dua këndej, rrugë, ose edhe: dua këtë, NATO, dua atë, NATO, dua andej, NATO, dua këndej, NATO. Dhe këtë e bën pikërisht për të minimizuar rëndësinë që ka anëtarësimi i shtetit shqiptar në NATO, ose edhe ndërtimi i rrugëve. Në këtë mënyrë, duket sheshit, se Edi Rama, duke mos mundur të lëshohet në një debat serioz me kundrështarin politik, pra me kryeministrin Sali Berisha, por më shumë, duke synuar efektin psikologjik të të folurit ritmik te qytetarët, gjithnjë e më shpesh fushatën e tij e ka shndërruar në një teatralitet politik ku po shpërfaq gjithnjë e më shpesh edhe mendësinë politike tallava.
Prandaj, mund të thuhet, se teatraliteti muzikor i datës 23 maj, në fakt, nuk do të duhej të trajtohet si diçka e papritur, por si diçka tërësisht në përputhje me mendësinë politike tallava. Është kështu se ky teatralitet muzikor nuk bëri asgjë tjetër, përveçse rrumbullakësoi shpërfaqjen e mendësisë tallava, ngaqë në këtë teatralitet muzikor u përmblodhën qaramanllëqet e Edi Ramës me origjina familjare, duke synuar që të prekë zemrat e qytetarëve (pra edhe këtu efekti hipnotik dhe manipulativ si qëllim), recitimet e Pandeli Majkos për Edi Ramën si një lab që do vijë në Tiranë si kuvendar, e që u përmbyll po me recitimin e Pandeli Majkos për Edi Ramën si dhëndërr Tirone, për ta paraqitur gjithë atë teatralitet muzikor si një dasmë me muzikë tallava, me qengie qengixhinjsh, duke dëshmuar kështu se po arritën të hipnotizojnë popullin, do të bëjnë dasmë me qeverisjen, me mendësi tallava. Populli pastaj le të kërcejë valle siç do Edi Rama dhe qengixhinjtë e tjerë rreth tij. Kujt nuk i pëlqen muzika, le të shkojë në djall. Kjo mendësi politike tallava, që u shpërfaq në mënyrë të plotë më 23 maj, ditën kur jo vetëm militantët dhe të mobilizuarit e PS dhe të opozitës së majtë, por edhe gjithë kureshtarët e tjerë, patën mundësi që të shuajnë kurreshtjen e tyre se çka do të paraqesë ndryshe Edi Rama dhe PS, ditën kur ishte data zyrtare e hapjes së fushatës zgjedhore për zgjedhjet e vitit 2013.