E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dick Marti ka mbërritur në Kosovë?

Dick Marti

Gazeta Zëri raporton se senatori zviceran Dick Marti ka mbërritur në Kosovë.

Kështu të paktën i kanë thënë Zërit burime vendore në orët e mbrëmjes të së enjtes.

Dick Marti vitin e kaluar bëri bujë me një raport që akuzonte udhëheqës të UÇK-së se kanë bërë transplant të organeve të robërve të luftës së vitit 1998-1999.

Sipas këtyre burimeve, Marti megjithatë ka ardhur në cilësinë e dëshmitarit për një rast tjetër, atë Medikus, ku dyshohet se janë kryer transplant të organeve pas luftës në Kosovë.

Në fakt, thirrja për Martin që të vijë si dëshmitar ishte bërë për datën 18 qershor, sidoqoftë, ardhja e tij e mundshme, saktësisht një muaj më herët, mund të jetë bërë për shkaqe sigurie.

Dick Marti publikoi raportin e tij për trafik organesh në Kosovë, që përveç bujës ndërkombëtare, ka nxitur miratimin edhe të një rezolute të Këshillit të Europës që tani ka nisur hetime zyrtare për akuzat e tij.

Prokurori amerikan, John Clint Williamson, është caktuar në krye të një task force të veçantë për të kryer hetimet në kuadër të mandatit të EULEX-it.

Ardhja e mundshme e senatorit zvicerian në Prishtinë përkon me kohën kur parlamenti shqiptar ka miratuar një ligj që i krijon hapësirë ligjore EULEX-it për të kryer hetime edhe në territorin shqiptar, ku Marti pretendon se janë kryer transplante organesh.

Zëdhënësja për drejtësi në EULEX, Bardha Azari, përmes telefonit ka thënë për Zërin se ky mision nuk ka asnjë informacion për mbërritjen e Martit. /Zëri /

Përgatiti : E.L

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›