E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dick Marty: Për trafikun e organeve thashë të vërtetën

TIRANE- Para se të largohet nga skena politike, senatori zviceran Dick Marty vazhdon të jetë i bindur se në të dy raportet që e bënë të famshëm, por dhe shumë të diskutueshëm, ka thënë vetëm të vërtetën.

Senatori zviceran është autori i raportit mbi “burgjet e CIA-s”, në 2006, ku denoncoi ekzistencën e këtyre burgjeve sekrete të CIA-s në disa shtete të Europës; si dhe autor i raportit mbi një trafik të mundshëm organesh, gjatë luftës në Kosovë, ku drejtpërsëdrejti implikoi edhe kryeministrin e qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi.

Në një intervistë për faqen online sëiss.info, Marty deklaron se paraqiti atë që dihej dhe se nga ai raport nuk kishte pasur asnjë përfitim personal, por vetëm armiqësi.

“ Kosova kërkon të imponojë një të vërtetë zyrtare duke thënë se kishte të mirë dhe të këqinj dhe se ata që bombarduan vendet perëndimore ishin të këqinjtë, ndërsa ata që u mbështetën ishin të mirë. Qeveria serbe, nën udhëheqjen e Millosheviçit kreu krime të tmerrshme, por të thuash se nuk ka ndodhur asgjë në anën tjetër është një gënjeshtër kolosale. Për vite ka pasur shumë raporte nga policia, shërbimet sekrete dhe agjencitë ndërkombëtare mbi krimet e kryera nga të dyja palët dhe bashkëpunimit mes krimit të organizuar dhe politikës në rajon. Raporti im i Këshillit Europian vetëm deklaroi atë që ishte njohur tashmë. Nuk kam fituar asnjë favor personal por vetëm shumë armiqësi. Por e vërteta nuk mund të jetë dicka e bukur për tu dëgjuar. Është në interes të popullit kosovar të dijë të vërtetën dhe të ketë një demokraci transparente. Nuk mund të ketë drejtësi pa të vërtetën, apo demokraci pa drejtësi. Është një ekuacion shumë i thjeshtë që nuk duhet harruar”

Senatori zviceran i cili 12 vite të jetës së tij i ka kushtuar Këshillit Europian deklaron se gjithmonë ka luftuar për të drejtat e njeriut dhe të demokracisë. Kjo është java e fundit që Dick Marty merr pjesë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit Europian. Tashmë ka marrë pjesë dhe në seancën e fundit të parlamentit zviceran, dhe nuk do të rikandidojë më.

Këtë javë, Shefi i EULEX, Xavier Bout De Marnhac, vizitoi Tiranën ku nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me ministrinë e Brendshme shqiptare, për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të hetimeve mbi trafikun e mundshëm të organeve në Kosovë e Shqipëri në fund të viteve ’90.

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani deklaroi se ministria e tij dhe policia do të ofrojnë bashkëpunim të plotë për hetimet. Ndërsa vetë Zoti de Mahrnac, njoftoi se hetimet mbi pretendimet e ngritura nga zoti Marty do të nisin së shpejti dhe se është ngritur tashmë një ekip i posaçëm që po merret me këto pretendime. Shefi i EULEX tha gjithashtu se prokurori apo kryeprokurori i këtij ekipi do të vizitojë në të ardhmen edhe Shqipërinë.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›