E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjen 200 litra naftë në pallat, banorët në panik

 

Defekti i një kondicioneri ka shkaktuar zjarr në një pallat në rrugën e Kavajës. Asfiksohen dy persona, dy të tjerë nën hetim

TIRANË- Defekti i një kondicioneri ka shkaktuar flakë zjarri, duke vënë në rrezik jetën e banorëve të një pallati 15 -katësh. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në rrugën e “Kavajës” në Tiranë, ku ka rënë zjarr në bodrumin e një pallati 15- katësh, duke vënë në alarm dhjetëra banorë. Forca të shumta të policisë kanë mbërritur në vendngjarje, ndërsa për shpëtimin e banorëve u angazhuan edhe forcat speciale të RENEA-s. Makinat e zjarrfikëse mundën të shuanin flakët e zjarrit brenda pak minutash, por djegia e naftës ka rrezikuar asfiksimin e të paktën dy personave, të cilëve u është dhënë ndihma e parë. Policia shoqëroi 12 persona mes tyre administratorin dhe teknikun e firmës që kishte ndërtuar pallatin. Gjatë hetimeve për zbardhjen e shkaqeve të rënies së flakëve të zjarrit policia çoi për ndjekje penale Dashamir Lilën, 39-vjeç dhe Myftar Sulajn, 58-vjeç, të cilët akuzohen se kanë konsumuar veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr nga pakujdesia”.

Ngjarja

Rreth orës 9:30 të paradites së djeshme, disa punëtorë kanë qenë duke salduar një defekt në kondicionerin qendror në katin e nëndheshëm të pallatit 15-katësh. Dyshohet se një pakujdesi e punëtorëve ka bërë që të rrjedhë valvula e naftës, gjë e cila ka shkaktuar zjarrin. Sapo kanë parë re të zeza tymi, banorët kanë dhënë alarmin, ndërsa brenda pak minutash në vendin e ngjarjes mbërritën makinat e zjarrfikëses dhe forca të shumta policie. Brenda në apartamente të pallatit ndodheshin banorë, disa prej të cilëve nuk mund të dilnin për shkak se banonin në katet e sipërme. Kështu, në ndihmë të tyre shkuan forcat speciale të RENEA-s, të cilët me litarë dhe duke shfrytëzuar skela janë ngjitur në katet e larta duke shpëtuar banorët. Nga kjo ngjarje u dëmtua lehtë një banore, ndërsa një zjarrfikës pësoi asfiksi por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që operacioni i shpëtimi ka zgjatur rreth një orë ku kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të lartë të drejtorisë së policisë së kryeqytetit.

Dëmet

Rënia e zjarrit ka shkaktuar panik tek banorët e pallatit, të cilët mes ulërimave kanë kërkuar ndihmë për të dalë nga banesa. Flakët e zjarrit nuk shkaktuan viktima, ndërsa mbetën të plagosur lehtë dy persona një banore dhe një punonjës i zjarrfikëses. Por nga vendi i ngjarjes mësohet se janë të shumta dëmet materiale që janë shkaktuar në zyrat e disa kompanive private, të cilat ishin vendosur në një pjesë të pallatit shumëkatësh. Mësohet se tre kate i dispononte një bankë private dhe sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, kjo bankë ka pasur shumë dëme materiale. Ndërkohë që policia nisi hetimet për të zbardhur rrethanat e rënies së flakëve të zjarrit që për pak rrezikoi të shkaktonte një tragjedi. Policia mori në pyetje 12 persona mes tyre administratorin e pallatit, drejtuesin teknik të punimeve të pallatit,përfaqësuesin e firmës Termo Impianti Sh.p.k. Për ndjekje penale policia dërgoi dy punonjës të cilët dyshohet se kanë shkaktuar rënien e zjarrit nga pakujdesia. Burimet policore thanë se janë djegur 200 litra naftë, ndërsa u rrezikuan edhe 4000 të tjera që shërbenin për ashensorë dhe gjeneratorë të kompanive të ndryshme, të vendosura me zyra në këtë pallat shumëkatësh.

Banorëve iu vidhen sendet personale

Banorët e pallatit, pas alarmit për rënien e flakëve të zjarrit braktisën menjëherë banesat për të shpëtuar jetët e tyre. Por kjo gjë duket se është shfrytëzuar nga disa persona, të cilët kanë mundur të vjedhin sendet personale të tyre. Viktimë e vjedhjes ka rënë një sanitare e pallatit, e cila la në mes punën e saj për të shpëtuar jetën, por kur u kthye në vendin e punës, nuk gjeti më celularin dhe portofolin e saj. Ka qenë e pamundur për sanitaren të gjejë sendet e saj personale pasi personat që ndodheshin në vendin e ngjarjes ishin të shumtë. “Më mbërtheu paniku dhe u largova menjëherë duke harruar celularin dhe portofolin dhe kur u ktheva pas disa minutash nuk i gjeta më” -tregon gruaja, e cila shprehet se ajo i harroi dhe njerëzit ia morën sendet personale.

PANIKU

Flakët e zjarrit, tmerr tek banorët

Retë e zeza të tymit dhe flakët e zjarrit krijuan panik te banorët e pallatit shumëkatësh, si dhe te punonjësit e kompanive të cilët dolën menjëherë. Mirëpo ka qenë e pamundur dalja e personave që kishin apartamentet në katet e sipërme të pallatit. Atyre u kanë ardhur në ndihmë forcat speciale të RENEA-s, të cilët janë ngjitur me litarë si dhe nëpër skela. Pranë pallatit ishin mbledhur me dhjetëra persona, banorë të pallatit e kureshtarë. Familjarët e tmerruar i gëzoheshin faktit që kishin shpëtuar gjallë nga flakët e zjarrit dhe nga asfiksia. “Vinte një erë mbytëse në pallat, pasi digjej nafta. Kishin frikë nga asfiksia dhe qëndruam disa orë jashtë banesave, pasi fillimisht nuk na lejoi policia. Forca të shumta të policisë kishin hyrë në pallat dhe kontrollonin nëpër apartamente për të nxjerrë banorët jashtë” -tha për “Shekullin” një banor i pallatit ku ra zjarri. Ndërkohë që edhe zyrat që ndodhen në pjesën e përparme të pallatit u boshatisën nga punonjësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›