Digjen 30 ha nga pylli i Nivicës, dyshohet zjarr i qëllimshëm
Digjen të paktën 30 ha nga pylli i Brodanit në afërsi të fshatit Nivicë, Komuna Lukovë. Vatra e zjarrit është pikasur rreth orës 14.30 të ditës së djeshme dhe ende nuk dihen rrethanat se si është ndezur. Pylli është i përbërë me ullinj qindravjeçarë dhe dëmi përllogaritet të jetë i madh. Menjëherë në ndihmë të pushtetit vendor për shuarjen e flakëve kanë ardhur shërbimi i zjarrfikëses në Sarandë, por zjarri ka përparuar me shpejtësi, i favorizuar edhe nga fryrja e erës në orët e pasdites. "Kjo është hera e parë që ky pyll preket nga zjarri. Kam përshtypjen se zjarrvënia më duket e qëllimshme, gjë që do ta nxjerrë në dritë marrja në analizë e fajtorëve", është shprehur kryetari i Komunës së Lukovës, Vladimir Kumi. Kumi ka hedhur dyshime se vënia e këtij zjarri ka qenë e qëllimshme, duke e lidhur këtë me çështjen "Kakomeja", me firmën ndërtuese të fshatit turistik "Riviera", prania e së cilës është shoqëruar shpesh me probleme. Sipas tij, është kërkuar ardhja e avionëve cisternë nga Greqi, por deri në orën 19.30, një gjë e tillë nuk është bërë e mundur.