E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapërdin dy kokrra fasule, asfiksohet një fëmijë tre vjeç

Kapërdin dy kokrra fasule, vdes fëmija 3-vjeçar. Ngjarja tragjike ka ndodhur mesditën e së shtunës, në familjen Petova në fshatin Spolat të Komunës Gradishtë të rrethit Lushnjë. Fëmija, sipas burimeve zyrtare të policisë dhe spitalit civil të qytetit, ka gjetur vdekjen rreth orës 12.00 të së shtunës, ndërkohë që pak minuta më parë ai ka përtypur dy kokrra fasule, të cilat i bllokuan rrugët e frymëmarrjes. Të njëjta burime pohojnë se Madrid Petova, 3 vjeç, ka qenë në oborrin e shtëpisë së tij së bashku me familjarët. Këta të fundit sapo kishin vjelë prodhimet e para të fasules nga tokat e tyre dhe i kishin hapur ato për t‘u tharë në verandën e shtëpisë. Fëmija, i cili ka qenë duke luajtur në këtë kohë pranë vendit ku ishin vendosur fasulet, ka marrë dy kokrra dhe i kishte futur në gojë. "Ai i përtypi njëkohësisht dhe më pas nisi të kollitej për pak sekonda, deri sa nuk u dëgjua më gjë prej tij", kështu kanë thënë për policinë të afërmit e familjes Petova. Familjarët kanë mundur t‘i nxjerrin vetëm një kokërr fasuleje, ndërkohë që tjetra i ka bllokuar të gjithë kanalin e frymëmarrjes, gjë që ka shkaktuar vdekjen e vogëlushit. Ai ka ndërruar jetë brenda pak minutash, duke e bërë të pavlefshëm çdo lloj tentative për ta çuar në spital. Mjeku ligjor në raportin e vdekjes së vogëlushit ka përshkruar se shkak i vdekjes ka qenë bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes nga prania e një trupi të huaj, fasule. Vogëlushi ishte djali i vetëm i çiftit të ri Petova.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›