E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi i rremë për bombë tmerron pushuesit në Durrës

"Ju lutem largoni njerëzit! Keni 30 minuta kohë". Ultimatumi i dhënë përmes një telefonate në sallën operative të policisë, orët e vona të së premtes, ka shkaktuar panik mes pushuesve në plazhin e Durrësit. Alarmi ka rezultuar i rremë, ndërsa hetimet janë përqendruar në dy pista. Moria e lokaleve të natës në plazhin e Durrësit dhe tendenca për të tërhequr drejt vetes sa më shumë pushues është kthyer në një rivalitet të shëmtuar mes tyre, ndërsa pasojat bien mbi pushuesit. Ngjarja e natës së të premtes në një nga sektorët e plazhit të Durrësit dyshohet të jetë fryt i konkurrencës, ndërsa përveç dëmit që iu shkaktua lokalit ku u deklarua se kishte një bombë, pasojat ranë mbi pushuesit e shumtë, të cilët u ndjenë të pasigurt dhe në panik për atë që mund të ndodhte, si edhe drejtuesit e automjeteve. Policia menjëherë vendosi nën kontroll të gjithë zonën dhe duke synuar të shmangë ndonjë tragjedi të mundshme deri në verifikimin e telefonatës, bëri bllokimin e lëvizjeve në rrugën e plazhit nga Ura e Dajlanit deri në Plepa. Drejtuesit e mjeteve u përballën me bllokimin e trafikut deri në ndërhyrjen e ekspertëve, ndërsa mëngjesin e djeshëm, pasi u verifikua se telefonata kishte qenë thjesht një alarm i rremë, nisi procedimin penal pa autorë për veprën penale të shpërdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike. Ka qenë një telefonatë e bërë rreth orës 22.00 të së premtes, në numrin 129 Vodafon të sallës operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit bënë të ditur se një shtetas ende i paidentifikuar ka bërë një telefonatë, përmes së cilës ka njoftuar se te lokali "Kosova", që ndodhet te zona e plazhit e njohur nga vendasit me emrin "Rrota e kuqe", është vendosur lëndë plasëse. "Ju lutem largoni njerëzit se keni 30 minuta kohë!" - ka urdhëruar telefonuesi anonim dhe më pas ka mbyllur telefonatën, duke vënë përmes saj në lëvizje drejtuesit dhe efektivat e policisë lokale. Paralajmërimi është vlerësuar dhe menjëherë forcat policore shkuan në vendin e ngjarjes. Me ndihmën e forcave speciale xheniere u bë edhe kontrolli i ambienteve të lokal "Kosovës" dhe rezultoi se alarmi ishte i rremë. "Asnjë lloj lënde eksplozive nuk u gjet brenda tij dhe as në ambientet e jashtme", thanë burimet. Pas kësaj, policia nisi punën për të identifikuar numrin e telefonit, me anë të së cilës u krye telefonata anonime që ngjalli panik dhe vuri në lëvizje dhjetëra forca policie. Nëpërmjet kompanisë celulare u bë e mundur gjetja e identitetit të personit që zotëronte atë numër telefoni. Menjëherë u kontaktua me të, por zotëruesi i numrit deklaroi se atë numër nuk e kishte më në përdorim, pasi ia kishte shitur një personi tjetër të cilin nuk e njihte. Aktualisht emri i njeriut që dha alarmin e rremë ka mbetur anonim, por zotëruesi i parë i numrit ka ndihmuar në përshkrimin dhe krijimin e një identikiti për të. Gjithmonë në rast se numri që u përdor për telefonatën nuk ka përfunduar në duar të tjera, gjë që ndodh rëndom. Po punohet për zbulimin e autorëve të kësaj vepre penale, ndërsa nga veprimet e para hetimore rezulton se kjo telefonatë është bërë për motive konkurrence ndërmjet lokaleve që ndodhen në zonën e plazhit. Hetimet sipas burimeve nga grupi hetimor, janë përqendruar në një tjetër lokal që ndodhet aty pranë. Dyshohet se frekuentimi i madh i lokal "Kosovës" ka nxitur konkurrentët drejt kryerjes së telefonatës dhe prishjes së ambientit të krijuar në fillim të kësaj fundjave. Telefonata ia ka arritur qëllimit. Klientët kanë braktisur lokalin të frikësuar dhe jo vetëm ata. Prania e shumë forcave policore dhe lajmi i përhapur për praninë e një bombe në një prej lokaleve patën ndikimin e vet mes pushuesve të shumtë. Gjithsesi ekziston edhe mundësia që telefonata të jetë bërë nga ndonjë banor a pushues i shqetësuar nga volumet e larta të muzikës, që në zonën e plazhit gjatë sezonit turistik krijojnë një ndotje të stërmadhe akustike, duke prishur qetësinë e të pushuarit buzë detit në orët e vona të natës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›