Digjen banesat fshatare tri familje pa strehë
Gjatë ditës së djeshme në rrethin e Kukësit janë shënuar tre zjarre në banesat private. Në fshatin Matranxhë të Komunës së Bushtricës është djegur nga flakët shtëpia e Sami Lashit, një banesë dykatëshe me 6 dhoma. Burime të policisë thonë se shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike, por hetimet për këtë rast vazhdojnë. Dëmet kanë qenë të konsiderueshme. Sipas një burimi nga komuna, ato shkojnë deri në 20 milionë lekë të vjetra, ndërsa nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Një zjarr tjetër dje pasdite ka djegur plotësisht dy apartamente në lagjen Gostil në Kukës. Apartamentet e Rasim Nikës dhe Ali Krasniqit, të cilët kanë qenë nën një kulm, janë shkrumbuar nga flakët që kanë pasur si pikënisje një shkëndijë në oxhakun e përbashkët. Burime nga vendi i ngjarjes thanë se në fillim ka marrë flakë oxhaku i njërës prej banesave ku po gatuhej buka, ndërsa shumë shpejt, për shkak edhe të temperaturave të larta, zjarri ka përfshirë dy apartamentet në të njëjtin kulm. Dëmet në këtë rast konsiderohen rreth 30 milionë lekë të vjetra si dhe 13 persona të dy familjeve tashmë janë të pastreha. Një burim zyrtar i policisë, duke pohuar dyshimin për djegien e oxhakut si shkaktar i rënies së zjarrit në banesa, thotë se, për dy rastet e zjarrit në banesa po bëhen hetime për zbuluar shkaqet reale.