E Diel, 1 Nëntor 2026

Rishfaqen zjarret masive digjen mbi 3 hektarë pyje

Një tjetër zjarr i fuqishëm ka përfshirë dje paradite një sipërfaqe të gjerë me pisha e shkurre në kodrat e Urës-Vajgurore. Në vendngjarje kanë shkuar punonjës e nëpunës të Ndërmarrjes së Shfrytëzimit të Pyjeve dhe një zjarrfikëse e PMNZSH-së së Beratit, me gjithë efektivin e saj. Pas 2-3 orësh ata kanë mundur të kufizojnë përhapjen e flakëve. Forcat zjarrfikëse kanë qëndruar edhe disa orë të tjera, duke e mbajtur në mbikëqyrje këtë vatër zjarri, ndërkohë që grupi i ekspertëve hetimorë po punon për zbulimin e shkakut të tij.

Drejtori i Ndërmarrjes së Shfrytëzimit pyjor, Sabri Zyka, konfirmoi se rreth orës 10.00 të ditës së djeshme, një telefonatë e ardhur nga një banor i zonës, ka njoftuar shfaqjen e vatrës së zjarrit. Sipas tij, ky zjarr i rënë në masivin me pisha 20-25-vjeçare dhe shkurre, në kodrat e Konizbaltës, u shua vetëm nga punonjësit e ndërmarrjes dhe me mjete rrethanore. Zjarri ka djegur një sipërfaqe me rreth 3 ha pyje shkurrore dhe disa qindra m2 të masivit me pisha të kultivuara. Drejtori Zyka, konfirmon, se zjarri i djeshëm ka qenë i pesti për këtë sezon veror, ndërkohë, që numri tyre në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka qenë shumë herë më i madh. Drejtori i Ndërmarrjes së

Shfrytëzimit Pyjor, në Berat nuk pranon të japë asnjë version në lidhje me shkakun dhe autorët e mundshëm të këtij zjarri, duke e konsideruar atë një detyrë ligjore të grupit të ekspertëve hetimorë. Ai shtron nevojën e plotësimit me mjetet e nevojshme logjistike, të shuarjes së zjarreve për punonjësit e tij. Drejtori Zyka nuk i fsheh edhe rezervat e tij, në lidhje me punën e bërë nga organet e drejtorisë gjatë vitit të kaluar, ku nga dhjetëra zjarrvënie të qëllimshme, nuk u ndëshkua asnjë autor.

Ndërsa mësohet se në policinë e Beratit, një grup ekspertësh hetimorë ka nisur punën për përcaktimin e shkakut të kësaj vatre zjarri, në kodrat e fshatit Konizbaltë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›