E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjen pyje dhe kullota nga zjarret ne vend

Flakët e zjarrit përfshijnë dhjetra hektarë me pyje dhe kullota në qarkun e Elbasanit. Mes tyre tre vatra janë ende aktive, ajo në Borovë të Stëblevës në Librazhd, Tunjë në Gramsh dhe një vatër zjarri ka shpërthyer edhe në Lunik. Zjarrfikëset e kanë të pamundur që të ngjiten deri në mal për shkak të terrenit të thyer malor. Ndaj për izolimin dhe fikjen e flakëve janë angazhuar vetë banorët e zonës, administrata e komunës, punonjës të pyjores dhe forca policie. Banorët janë duke hapur kanale për të penguar përhapjen e flakëve. Por gjendja në këtë zonë vazhdon të mbetet e rrezikshme. Në fshatin Tunjë të Gramshit një vatër zjarri ka disa ditë që është aktive, por edhe këtu terreni i thyer malor nuk lejon ngjitjen e zjarrfikëseve. Shtabi i emergjences ne Elbasan ka kërkuar ndihmë dhe per fikjen e vatrave të zjarrit janë angazhuar edhe forca e mjete te ushtrisë. Rreth orës 03.00 mëngjesin e së premtes ka shpërthyer në flakë tregu rom në Elbasan. Në pak minuta zjarri ka shkrumbuar rroba e pajisje ndërkohe zjarrfikëset kanë izoluar dhe fikur flakët duke parandaluar përhapjen e tyre në lagjen përreth. Sipas të dhënave të para të policisë në këtë rast bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme. Policia ka deklaruar se ka identifikuar dhe po punon per kapjen e autoreve. Shërbimet e policisë në Peqin kanë mundur të zbulojnë dhe arrestojnë autorin e një zjarri që shkaktoi dëme të mëdha në ullishtat e komunës Përparim. Deri më tani në Elbasan 10 persona kanë përfunduar në pranga për zjarrvënie të qëllimshme, por asnjëri prej tyre nuk është bërë shembull për të tjerët nga organet e drejtësisë. Edhe në Gjirokastër është arrestuar një shtetas për zjarrvënie të qëllimshme në “lagjen Mera” të fshatit Zhapokikë. Shtetasi Ergest Mera i ka vënë zjarrin një kullote dhe nga era e fortë flakët e zjarrit kanë rrethuar lagjen “Mera”. Flakët e zjarrit kanë përfshirë edhe dy banesa por pa të lënduar në njerëz. Mbas disa orësh ndërhyrje nga dy Repartet Zjarrfikës të Tepelenës dhe Gjirokastrës , të rreth 30 punonjësve të Policisë , të banorëve të lagjes Mera , zjarri është neutralizuar plotësisht dhe pothuajse eshte fikur pjesa me e madhe e vatrave te zjarrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›