Digjet komuna Shalë, dy ditë pas vendimit të kolegjit për kryetarin
Policia e Shkodrës ende nuk ka dhënë një version zyrtar për zjarrvënien, ndërsa nuk ka akoma një emër për autorin e ngjarjes
SHKODËR Digjet ndërtesa e komunës Shalë në Shkodër, ndërsa mësohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Në mëngjesin e së hënës, në orën 06.45, banorë të fshatit Bregu i Lumit, që është dhe qendra e komunës së Shalës, kanë konstatuar zjarr në katin e dytë të saj. Ndërsa kanë lajmëruar, banorët së bashku me policinë që ka qenë në këtë fshat kanë ndërhyrë për të shpëtuar sado pak nga materialet që ndodheshin në zyrat e komunës. Ndërsa deputeti i PS-së, Tom Doshi në një prononcim për shtyp ka pohuar se ky është një krim shtetëror. “Eshtë e njëjta situatë si në vitin 1997 kur u dogjën komisariate e polici. Ndërkohë që vlera e sasj është 1 milion euro”, ka pohuar ai.
Zjarri
Zjarri është përhapur me shpejtësi dhe ka shkrumbuar plotësisht katin e dytë të objektit. Policia ka mundur të hyjë në disa prej ambienteve të katit të parë dhe ka mundur të shpëtojë regjistrin e gjendjes civile, kompjuterin përkatës së bashku me serverin si dhe dokumentacionin e ndihmës ekonomike. Flakët e përhapura kanë djegur zyrën e kryetarit të komunës, atë të financës etj., që ndodheshin në katin e dytë. Zjarrfikëset kanë shkuar por largësia e madhe dhe terreni i thyer ka bërë që ndërhyrja e tyre të jetë e vonuar. Ndërtesa është shkrumbuar thuajse e tëra dhe izolimi i zjarrit është bërë me mjete rrethanore. Nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, por nga hetimet paraprake mendohet se ai ka qenë i qëllimshëm dhe vatra e tij ka qenë në katin e dytë të objektit. Sipas policisë, janë shoqëruar tre persona që po pyeten lidhur me këtë ngjarje, por akoma nuk ka një autor të dyshuar për të.
Konflikti
Komuna e Shalës digjet pak ditë pasi Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e PD-së për paligjshmëri të procesit zgjedhor të 21 gushtit në këtë komunë, proces pas të cilit me një diferencë prej dy votash kryetar i kësaj komune u zgjodh Bal Vuksani i koalicionit të majtë, ndërsa humbi kryetari i kësaj komune për dy mandate radhazi, Dedë Tonaj. Procesi zgjedhor në këtë komunë malore, më e madhja e zonës së Dukagjinit, kaloi nëpër disa raunde. Më 8 Maj u zgjodh këshilli i komunës, ndërsa votimet për kreun e saj u kthyen nga Kolegji Zgjedhor dhe pse rezultati ishte me 140 vota më shumë për kandidatin e PD-së, Dedë Tonaj. Pas kësaj të afërm të dy kandidatëve, Tonaj e Vuksani, u përfshinë në një konflikt me armë, ku mbeti i plagosur kushëriri i parë i Bal Vuksanit. Më 31 korrik u vendos të ripërsëriteshin zgjedhjet në këtë komunë, për kreun e saj, por votimi nuk u zhvillua, pasi grupe personash penguan transportin e materialeve zgjedhore të sjella me helikopter, në drejtim të 5 qendrave të votimit. Ndërsa më 21 gusht, procesi u zhvillua por materialet zgjedhore pas përfundimit të tij u dërguan në Tiranë dhe numërimi i votave u bë nga KQZ, ku fitues doli Bal Vuksani me 2 vota më shumë. PD e ankimoi këtë rezultat, por Kolegji Zgjedhor la në fuqi vendimin e KQZ-së që shpallte Vuksanin kryetar të kësaj komune. Gjatë gjithë kësaj kohe dy fiset Tonaj e Vuksani kanë patur situatë të tensionuar me njëri-tjetrin dhe konflikti nuk është zgjidhur. Disa ditë para votimit të dështuar më 31 korrik dhe atij të 21 gushtit, dy kandidatët u morën nën ruajtje nga forcat speciale. Diana Kolaj