E Diel, 1 Nëntor 2026

Çobanët zbulojnë kufomën e një të riu që ishte mbytur më parë

Sipas burimeve të policisë, trupi i përket një mashkulli mbi 25 vjeç dhe mendohet se është mbytur më parë. Do të shqyrtohen rastet e zhdukjes së personave kohët e fundit

VLORË Trupi i pajetë i një mashkulli është gjetur paraditen e djeshme në fshatin Tragjas të Vlorës. Trupi i gjetur në një zonë të pabanuar është në gjendje plotësisht të dekompozuar. Kufomës iu gjet një rrip plastik i mbështjellë rreth qafës. Ai ishte i groposur në rrëzë të një kodre. Zona në afërsi të fshatit Tragjas ku u gjet trupi është një vend i pabanuar, ku kalon një rrugë automobilistike. Nuk dihet akoma nëse viktima është vrarë dhe groposur aty apo është sjellë nga diku tjetër për t’u groposur.

Zbulimi

Sipas burimeve nga policia lokale mësohet se dy çobanë të zonës e kanë pikasur fillimisht trupin, pasi ai ishte groposur në një thellësi jo të madhe, gjë që ka bërë që kafshët e egra të gërmojnë dhe të nxjerrin jashtë një pjesë të tij.

Zona ku u gjet kufoma është e pabanuar, ku sipërfaqja fushore është tërësisht e veshur me shkurre të vogla dhe bimësi të ndryshme. Trupi është parë nga dy çobanë, që kalonin aty afër me kopenë. Në rrëzë të një kodre të vogël ata kanë dalluar fillimisht një pjesë këmbe të dekompozuar dhe kur janë afruar më afër kanë parë pjesë trupi të dekompozuara. Menjëherë kanë njoftuar policinë, ku specialistë të saj janë nisur drejt vendngjarjes së raportuar. Teksa merr kthesën për në fshatin Tragjas, disa metra nga rruga për në fshat, një rrugë e ngushtë, përmes shkurreve vijon drejt zonës ku është gjetur trupi. Vetëm disa pjesë të tij janë nxjerrë jashtë dhe era e rëndë e dekompozimit ka bërë që edhe specialistët të ndiheshin në vështirësi.

Kufoma

Specialistët thanë se nga çka dukej në pamje të parë trupi ishte groposur dhe ndonjë egërsirë e ka nxjerrë, duke shqyer pjesë të barkut, kjo duke qenë se groposja nuk ka qenë shumë e thellë. Në qafë ka qenë e rrethuar një fashetë plastike, më të cilën mendohet që më parë të jetë bërë mbytja e tij. Ende ekspertët nuk kanë përcaktuar nëse personi është mbytur më parë diku tjetër dhe transportuar këtu, apo është eliminuar në këtë zonë.

Nga këqyrja e parë kufoma e gjetur është mashkull mbi 25 vjeç. Trupi i pajetë, sipas ekspertëve, ka rreth 1 muaj që ndodhej i groposur. Blutë kanë konfirmuar se kufoma do të çohet drejt Tiranës, pasi vetëm nëpërmjet dhëmbëve dhe adn-së mund të identifikohet, pasi si pasojë e dekompozimit është tërësisht i paidentifikueshëm.

Ervin Haruni

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›