Kuçova, bashkëjetesë me ndotjen dhe arin e zi
Një ditë mes gërmadhave të qytetit të "famshëm" të naftës. Banorët: Jetojmë përditë mes helmeve, qeveria të ndërhyjë me fonde për rehabilitimin e zonës.
KUÇOVE Është cilësuar si qytet naftëtar për vetë faktin e ekzistencës së vendburimit të naftës dhe gazit. Do të renditej ndër prodhuesit kryesorë të prodhimit në vend të arit të zi. Ndonëse dhe sot vendorët e këtij qyteti i shohin shpresat e zhvillimit të qytetit tek ekzistenca dhe shfrytëzimi i pasurive nëntokësore, problem vazhdon të mbetet fati i ekzistencës së një sërë objektesh dhe lëndësh të rrezikshme që lidhen me periudhën qindravjeçare të shfrytëzimit pa kriter të naftës. Është pikërisht Bashkia e këtij qyteti, që në kuadër të përpjekjeve për rehabilitim të nisë së shpejti një projekt për rehabilitimin e një zone prej 2.5 hektarësh tokë me mbetje toksike e përfshirë dikur në zonën industriale.
KUÇOVA
Rrethi i Kuçovës bën pjesë në territorin administrativ të Qarkut të Beratit. Ndodhet rreth 15 km në veri të qytetit të Beratit duke u kufizuar me fshatrat e Elbasanit, Lushnjës dhe Gramshit. Në këtë rreth banon një popullsi prej rreth 50 mijë banorësh. Ku 31 mijë banojnë në qytetin e Kuçovës. Qyteti dikur krenaria e industrisë së nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, tashmë i përgjumur, kërkon të ringjallet nëpërmjet eliminimit të pasojave që la teknologjia e vjetër e rreth 100 viteve të shfrytëzimit të nëntokës së tij naftëmbajtëse. Banorët dhe drejtuesit vendorë shprehen optimistë se nëpërmjet programeve dhe nismave të ndërmarra vitet e fundit, qyteti nga një zonë me parametra mbi normalen të ndotjes po shkon gjithnjë dhe duke u rehabilituar. Ende në periferi të qytetit, madje dhe pranë qendrës ndodhen gërmadhat e një industrie të vjetruar, por që tashmë po i lë vendin gjelbërimit dhe parqeve publike. Qyteti shtrihet në një sipërfaqe prej disa hektarësh, ku brenda saj ndodheshin dhe uzinat e fabrikat, prej të cilave tashmë kanë ngelur si relike vetëm gërmadhat dhe oxhaqet e larta. Kanë qenë një sërë uzinash dhe fabrikash në këtë qytet, të cilat jo vetëm do të shkatërroheshin me ndryshimin e sistemeve, por do të humbisnin çdo funksion të mundshëm të tyre. Ndërsa në vite, Bashkia e Kuçovës është kujdesur t'i shtojë qytetit sipërfaqet e gjelbra, ende godinat dhe oxhaqet e ish-fabrikave vazhdojnë të qëndrojnë midis lagjeve të qytetit dhe zonës periferike.
NAFTA
Banorët e sotëm kuçovarë e lidhin ekzistencën dhe zhvillimin e qytetit të tyre naftëtar me zbulimin e vendburimit të naftës.
Si të rinjtë, edhe më të moshuarit e kanë të ngulitur në mendje qytetin e tyre me puse nafte që shtrihen gjithandej, madje në disa raste deri rrëzë banesave të tyre. Por si çdo qytet, Kuçova ka historikun e vet të lidhur pazgjidhshmërisht me naftën. Banorët dhe historianët kujtojnë se ishin vitet 1900 kur në këtë qytet do të nxirrej nga nëntoka naftë bruto e cilësisë së parë. Në Kuçovë nisi shfrytëzimi i naftës bruto që shpesh, sipas banorëve të vjetër shpërthente në formë fontane në sipërfaqe, çka tërhoqi vëmendjen e austriakëve, të cilët ishin përfshirë në luftërat ballkanike. Do të ishte pikërisht nafta që shpërthente nga nëntoka, e cila do të hapte më pas rrugën për zhvillimin e një qyteti naftëtar, qytet që do të lakmohej nga të huajt për resurset e tij. Menjëherë pas kësaj, për zonën nisi interesimi i shteteve të cilat kishin zhvilluar industrinë e naftës, si Austria dhe më pas Italia. Në Kuçovë nisën të shfaqen specialistë e parë, të cilët e njihnin këtë fushë dhe përpiluan hartat e para të zonës duke e quajtur atë me rezerva të mëdha nafte. Rreth viteve 1920, ishin italianët ata që do të merrnin me koncesion zonën duke nisur paralelisht si nxjerrjen e naftës ashtu dhe zhvillimin e zonës ku dhe lindi qyteti i Kuçovës, i cili sipas kronikave të kohës kishte jo më shumë se 14 familje. Duke pasur nevojë për fuqi punëtore, shoqëria italiane "AIPA" tërhoqi banorët e zonave përreth duke u ofruar punë, madje dhe strehim. Qyteti nisi të merrte formën e tij si një kantier industrial, ndërkohë që punëtorët u bënë dhe banorët e tij të rinj. Pas rritjes së prodhimit lindi nevoja e ndërtimit të një naftëpërcjellësi për në portin e Vlorës dhe më pas ngritja e një distilerie, e cila përfundoi në vitin 1934, kur dhe u hodhën themelet e një industrie që do të zhvillohej deri në vitet 1997.
ZHVILLIMI I INDUSTRISE
Vendosja e sistemit komunist në Shqipëri nuk do të ndryshonte destinacionin e nisur të një qyteti naftëtar, madje ai do të zhvillohej dhe cilësohej si krenaria e vendit. Gjatë viteve të monizmit, në qytetin naftëtar përveç nxjerrjes së naftës do të zhvillohej dhe industria përpunuese e naftës dhe gazit, por dhe produkteve të saj. Qyteti do të shtohej në numër. Qindra specialistë të fushës së naftës të diplomuar jashtë vendit, do t'i shtoheshin qytetit të Kuçovës, i cili përveçse do të rritej nga dita në ditë, do të bëhej dhe qyteti me numrin më të madh të intelektualëve në vend. Në vitin 1952, prodhimi i naftës do të arrinte deri në 200 mijë ton në vit, duke arritur kështu shifra rekord. Në vitin 1963, në zonën industriale do të niste prodhimi i koksit, që shumë shpejt do të pasohej me prodhimin e vajit me një prodhim 30 mijë ton në vit. Ndërsa në vitin 1984, do të hapej një tjetër fabrikë, fabrika e kartoserës, e cila do t'i shtonte krenarisë së qytetit një tjetër vepër të kohës. Por, duket se sistemi i kohës s'do të mjaftohej vetëm me ndërtimin e uzinave dhe fabrikave, që në një mënyrë apo tjetër kishin lidhje me arin e zi. Në vitin 1986 në këtë qytet ndërtohet fabrika e pluhurave larës, prodhimet e së cilës do të pushtonin shumë shpejt tregun.
"VDEKJA E INDUSTRISE
Ndryshimi i sistemeve në Shqipëri nuk do të linte pa prekur dhe qytetin naftëtar. Mbyllja e gjatë e vendit e kish lënë zonën industriale pa teknologji të reja, gjë e cila do të ndihej në fillimin e viteve 1990. Gjatë këtyre viteve, një pjesë e kësaj industrie shkoi drejt shkatërrimit total, ashtu siç u shkatërruan dhe humbën funksionimin një sërë fabrikash dhe uzinash. Prej vitesh në industrinë e naftës ndihej nevoja e një rehabilitimi të madh, ndërkohë që qyteti ende trashëgon një sërë objektesh të rrezikshme dhe përbërësish të trashëguar nga nxjerrja e përpunimi i arit të zi.
RREZIKU
Gërmadhat e ish-uzinave vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë gati në të gjithë qytetin. Janë oxhaqet, rrënojat e mbetura nga godinat e një kohe tashmë të shkuar. Burime zyrtare nga Bashkia e Kuçovës, bëjnë me dije se përbërësit e ndotjes në qytet janë mbetje acide dhe karburante të prodhimeve të uzinës. Sipas bashkiakëve, ish-zona industriale e naftës zë një sipërfaqe totale prej 243.587 mijë metrash katrorë. Ndërkohë që territori i kontaminuar është mbi një metër thellësi. Në këtë territor përveçse vazhdojnë të ndodhen shumë objekte të shkatërruara (pjesë nga uzinat e naftës tashmë jo në punë), por dhe një sërë lëndësh të konsideruara të rrezikshme si karburante të ndryshme, acide të llojeve të ndryshme dhe sodë kaustike. Por, si të mos mjaftonte fakti që banorët e këtij qyteti jetojnë mes rrezikut të ekzistencës dhe çlirimit të këtyre lëndëve në atmosferë, janë plotë 44 familje që janë vendosur me banesat e tyre në zonën e konsideruar të rrezikshme. Në vitet 1990, shumë familje zbritën nga zonat më të largëta të rrethit dhe u vendosën në territorin e zonës industriale të naftës. Ata shfrytëzuan tokat e lira në këto territore dhe godinat e braktisura, pa ditur se do të bashkëjetonin përditë me rrezikun. Nga verifikimet e kryera rezulton se objektet e mbetura në ish-zonën industriale zënë një sipërfaqe 2447 metra katror. Bëhet fjalë për zyra, salla, pompa, ambiente të ndryshme pune, mensa, kapanone automjetesh. Këto ambiente sot janë adoptuar dhe modifikuar si banesa ku banojnë 44 familje. Nga ana tjetër, vetë banorët e Kuçovës u bëjnë apel instancave qeveritare që të ndërhyjnë me fonde për rehabilitimin e zonës së rrezikshme ku ata banojnë dhe uljen e shkallës së ndotjes.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)