E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet shtepia e Mulleteve

Elona Elezi
Leonard Bakillari
TIRANE - Nje shtepi dykateshe, monument kulture, me nje historik te pasur dhe e njohur si baze komuniste gjate Luftes se Dyte Boterore, u shkrumbua nga flaket diten e djeshme. Zjarri ra ne rrugen "Qemal Stafa" ne kryeqytet, prane sheshit "Avni Rustemi", rreth ores 12.30, fatmiresisht pa deme ne njerez. Tri familjet qe banonin aty kane shpetuar mrekullisht, nderkohe qe shtepite e tyre jane djegur teresisht nga flaket. Edhe pse jane vene ne dijeni te zjarrit te rene, si pasoje e nje trafiku te renduar, tri zjarrfikeset kane arritur me vonese ne vendin e ngjarjes dhe demet e flakeve kane arritur ne disa milione leke. Vonesa e tyre nuk ka mundur te shpetoje asgje, dhe pas rreth tri oresh shtepia eshte rrenuar teresisht. Familjet Cico, Baze dhe Isufi jane gjendur te pastreha brenda disa oresh, kurse ne prononcimet e tyre per "Korrierin" kane shprehur dhembjen e tyre, tashme ne statusin e te pastreheve. Sipas hetimeve paraprake te grupit hetimor, i cili ka arritur shpejt ne vendin e ngjarjes, rezulton se shkak per renien e zjarrit mesohet te jete bere nje shkendije e qarkut te shkurter elektrik. Por sipas banoreve, nje zjarr i tille pritej, pasi shpeshhere ne oborrin e shtepise vinin narkomane, te cilet ndiznin zjarr dhe merrnin droge. "Heret a vone do te ndodhte. Ne kemi denoncuar dhe ne polici, por asnjehere nuk ka ardhur ndonje efektiv, qofte dhe per nje kontroll rutine", - shprehen te indinjuar familjaret. Por nje piste tjeter per te cilen po hetohet, eshte edhe mundesia e nje zjarri te qellimshem. Sipas disa burimeve ne vendin e ngjarjes, mes familjeve qe "bashkejetonin" nen te njejten cati kishte mosmarreveshje per dhenien e truallit per shesh ndertimi per pallate. Por mosmarreveshjet mes tyre, si dhe fakti qe nje pjese e saj dhe jo e tera ishte shpallur monument kulture e si e tille nuk mund te jepej per shesh ndertimi, coi fillimisht dhe grupin e hetimit ne dyshimin e ligjshem, se zjarri mund te kishte qene qellimshem. Por disa ore pas shuarjes se gjuheve te flakeve, u konstatua paraprakisht se zjarri mund te ishte shkaktuar si pasoje e nje qarku te shkurter elektrik.
Historiku
Shtepia dykateshe 100-vjecare mbante pese familje, dy prej te cilave jetonin jashte shtetit. Pas zjarrit, familjet Cico, Baze dhe Isufi, si dhe dy familjet e tjera kane mbetur te pastreha qe dje, pas shkrumbimit nga flaket e zjarrit. Sipas historise, banesa ka qene baze lufte. Ne te kane banuar Bahri Omari, kunati i Enver Hoxhes, si dhe gjate luftes, ne vitin 1942, ka jetuar dhe vete ish-lideri komunist Hoxha. Pas clirimit, pjesa juglindore ka sherbyer si shkolle, e quajtur "Avni Rustemi". Pas shkolles, banesa eshte nxjerre ne ankand ne vitin 1957. Aty jane strehuar dhe e kane blere me keste disa familje, por disa prej tyre nuk e kane likuiduar teresisht dhe vetem familjet e demtuara dje nga zjarri kane arritur te banojne aty. Nderkohe qe si pronar i ligjshem njihet Ali Bej Mulleti. Ne shtepi jane organizuar kurse kunder analfabetizmit dhe nje pjese eshte rikonstruktuar dhe eshte shpallur monument kulture.
Cico: Nuk morem dot as kepucet
Thoma Cico, 75 vjec, kryefamiljar i njeres nga tri familjeve qe banonin ne shtepine dykateshe rrefeu dje per "Korrierin" momentin e pare te renies se flakeve.
"Zjarri erdhi aq papritur, saqe nuk arritem te marrim asgje nga shtepia. As kepucet nuk mundem t'i vishnim". Cico jeton ne shtepine e Mulleteve qekur i ka lindur djali, i cili qe tani eshte 50 vjec dhe ka probleme mendore. "Bashke me te gjitha pajisjet e shtepise m'u dogjen dhe 6 milione leke te vjetra, kater te mijat dhe dy te bashkeshortes, te cilat nuk patem asnje mundesi t'i merrnim, per shkak te shpejtesise qe u perhap zjarri. Ishte e vetmja strehe per ne. Tani kemi ngelur ne mes te kater rrugeve dhe duam ndihme nga shteti. Une dhe gruaja jemi te semure nga zemra dhe diabeti, ndersa djali 50-vjecar ka probleme te renda mendore dhe nuk eshte as per vete dhe as per ne", - thote i tronditur i moshuari.
Baze: E paralajmeruam zjarrin ne polici
Skender Baze, nje tjeter banor i shtepise tha per "Korrierin", se zjarri mund te kete ardhur nga disa narkomane, te cilet cdo nate vinin ne oborrin e shtepise, ku pasi ndiznin zjarr, merrnin droge. "Ata vinin cdo nate ne oborrin e shtepise, ne pjesen e pabanuar te saj. Me dhjetera here kemi lajmeruar policine per pranine e tyre, por ne asnje rast nuk ka ardhur qofte dhe nje polic. I kemi vene ne dijeni se do te na djegin shtepine, pasi zjarrin e ndezin ne oborr, ku mblidhen te gjithe per te perdorur droge. Une dhe Thomai kemi denoncuar disa here ne polici, por nuk na eshte pergjigjur askush. E kemi paralajmeruar zjarrin e sotem".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›