E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet transformatori, disa zona të Vlorës pa drita prej dy ditësh



Vlorë - Prej dy ditësh në disa zona të qytetit të Vlorës ka munguar energjia. Ndërprerjet e energjisë kanë qenë si pasojë e motit të keq, ku një shkarkim ka ndikuar në djegien e dy transformatorëve të tensionit të lartë. Energjia ka munguar kryesisht në zonën e Ujit të Ftohtë, në zonën e Akademisë së Marinës si dhe një pjesë të zonës te Kalaja. Kjo e fundit është lidhur më pas nga ana e ndërmarrjes së elektrikut të Vlorës. Por nuk ka ndodhur kështu në zonën e Ujit të Ftohtë. Kjo pasi duhej të ndërrohej transformatori. Duke parë këtë gjendje, ju bë kërkesa nga agjencia e Vlorës, drejtorisë së tensionit të lartë, për sjelljen e një transformatori, në mënyrë që të bëhej zëvendësimi. Mësohet se ardhja e transformatorit u bë në orët e pasdites. Përgjatë gjithë mbrëmjes së të mërkurës, punonjësit e elektrikut të Vlorës kanë punuar për ndërrimin e transformatorit, por vetëm rreth orës 23:00 u bë i mundur ndërrimi i transformatorit. Kjo ka bërë që në zonë të kishte një lidhje të energjisë elektrike, por pas 30 minuta, një tjetër transformator i tensionit të lartë, është djegur për shkaqe që ende nuk dihen. Energjia ka munguar më pas në lagjet pranë zonës Trans-ballkanike dhe në orët e natës ka munguar energjia në lagjet Uji i Ftohtë, 24 maji, Plazhi i Vjetër, Skelë. Energjia ka munguar gjatë gjithë natës dhe ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme. Drejtoria e Ndërmarrjes Elektrike të Vlorës, i ka bërë sërish kërkesë drejtorisë së tensionit të lartë, për të sjellë një transformator tjetër, por ende nuk ka mbërritur një i tillë. Ndërkohë, një pjesë e konsiderueshme e qytetit të Vlorës po hyn në ditën e tretë të ndërprerjes së energjisë elektrike. Për shkak të mungesës së energjisë elektrike, pushues janë detyruar të ndërpresin pushimet.

4 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›