E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria u heq të drejtën vendorëve për lidhjen e kontratave për pasuritë shtetërore

Zbardhen kriteret e reja dhe afatet kohore të kontratave që do të lidhen tani e tutje. Procedurat që duhet të ndjekin të gjithë të interesuarit për këtë proces

Laureta Rryçi

Tiranë - Qeveria ndryshon kriteret për dhënien me qira ose enfiteozë të pasurive shtetërore. Në mbledhjen e fundit të qeverisë janë ndryshuar një sërë kriteresh mbi procedurat që do të ndiqen për kryerjen e këtij procesi dhe afatet e reja që do të kenë të tilla kontrata tani e tutje. Me këto ndryshime qeveria u ka hequr të drejtën pronarëve (që mund të jenë bashkia ose komuna) për të bërë privatizime pa pyetur institucionet që janë në varësi. Gazeta “Albania” zbardh vendimin e plotë të marrë vetëm pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave. Këto ndryshime bëhen rreth gjashtë muaj më vonë, kur ky ligj u ishte nënshtruar ndryshimeve tërësore. Për të marrë një objekt me qira duhet që të gjithë aplikantët t’i nënshtrohen një konkurrimi ku do të jepen të gjitha të dhënat e tyre për përdorimin e objektit, sa metra katrorë do të merren etj. Me vendim të Këshillit të Ministrave janë përcaktuar tarifat që duhet të paguajnë qytetarët që kërkojnë të hapin një biznes apo aktivitet, sipas zonës dhe hapësirës që ata kërkojnë.
Ndryshimet
Sipas ndryshimeve të fundit, ndërmarrjeve, shoqërive apo institucioneve shtetërore u ndalohet të japin me qira truall të lirë deri në 200 (dyqind) m2. Për dhënien me qira mbi 1 vit, por jo më shumë se 5 vjet, ndërmarrja, shoqëria apo institucioni shtetëror merr miratimin e organit të varësisë administrative.
Për makineritë, pajisjet, linjat teknologjike, galeritë minerare etj., vlera e qirasë vjetore tani e tutje do të llogariten sipas VAM-së (Vlerës Aktuale Minimale), të llogaritur si vlera fillestare e kontabilizuar, duke zbritur amortizimin në vite mbështetur në Vendimin Nr. 401, datë 23.10.1989, të Këshillit të Ministrave, shumëzuar me indeksin e muajit përkatës, të publikuar nga INSTAT-i. Në rastin kur makineritë, pajisjet, linjat teknologjike e galeritë minerare janë të amortizuara, llogaritja e qirasë vjetore të bëhet sipas VAM-së të përcaktuar nga eksperti vlerësues dhe të miratuar nga komisioni vlerësues i ndërmarrjeve, pjesëtuar me 10. Ndërsa përsa i përket vlefshmërisë së kontratave është shtuar që në rast se objektet e dhëna me qira ose enfiteozë janë pjesë e kapitalit të shoqërive shtetërore, ato zbriten nga kapitali i këtyre shoqërive.
Konkurrimi
Të interesuarit duhet të plotësojnë një formular me të dhënat e tyre dhe të dhënat e objektit që kërkojnë të marrin me qira. Më pas ata duhet t’i nënshtrohen një konkurrimi mes grupeve të tjera të interesuara, ku në varësi të plotësimit të kritereve do të dalë dhe fituesi. Konkurrimi i grupeve të interesuara është i hapur për të gjithë kandidatët që plotësojnë kushtet e përcaktuara nga institucionet përkatëse që kanë në varësi objektin. Elementet e konkurrimit për dhënien me enfiteozë të pasurisë shtetërore janë: niveli i investimit, në pasuri të paluajtshme, për përmirësimin e pronës, i cili të jetë mbi 200% e vlerës së objektit. Po kështu duhet të deklarohet qëllimi dhe niveli i investimit në tërësi që do të bëhet në objekt, niveli i punësimit dhe tarifa e detyrimit mujor. Do të ndiqen procedura të tjera të dhënies me qira dhe enfiteozë të disa objekteve, si ndërtesa, truall i lirë funksional (jo nën ndërtesë), makineritë, pajisjet dhe linjat e prodhimit, sipas klasifikimit të tyre në kategori. Kështu, për sipërfaqet deri në 200 m2, të cilat nuk u nënshtrohen proceduarve të konkurrimit, drejtuesi i ndërmarrjes apo i shoqërisë duhet të bëjë një planifikim të ambienteve me sipërfaqet e truallit nën ndërtesë dhe sipërfaqet e truallit të lirë funksional (jo nën ndërtesë), të cilat do të jepen me qira kryesisht njëvjeçare, të ndara sipas kategorive. Drejtuesit e ndërmarrjeve apo shoqërive, pasi të kenë përgatitur dokumentacionin e nevojshëm, do të lidhin kontratat me subjektin që ofron vlerën më të lartë të qirasë për çdo ambient. Dokumentacioni i paraqitur duhet të përmbajë propozimin e ndërmarrjes për dhënien me qira sipas kategorizimit të veprimtarisë, gen-planin e objektit, sipërfaqen e truallit nën ndërtesë dhe sipërfaqen e truallit të lirë funksional (jo nën ndërtesë) i konfirmuar nga Urbanistika pranë bashkisë dhe drejtuesi i ndërmarrjes. Po kështu, një listë të plotë të makinerive e pajisjeve, linjave teknologjike, vlerën dysheme të detyrimit mujor, si dhe konfirmimin nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Të gjitha këto dokumente do të dorëzohen pranë Bashkisë së Tiranës. Për sipërfaqet mbi 200 m2, drejtuesi i ndërmarrjes apo i shoqërisë duhet të bëjë një planifikim të ambienteve me sipërfaqet e truallit nën ndërtesë dhe sipërfaqet e truallit të lirë funksional (jo nën ndërtesë), të cilat do të jepen me qira. Lista e ambienteve të planifikuara, e shoqëruar me gen-planet e miratuara për çdo ambient, duhet dërguar për miratim nga Këshilli Bashkiak. Pas miratimit në Këshillin Bashkiak, njoftimi për botim shpallet 4 herë në Buletinin e Njoftimeve Publike. Njoftimi do të përmbajë të dhënat për objektin, kategorizimin e veprimtarisë, pikët vlerësuese për elementet e konkurrimit, dokumentacionin e konkurrentëve, vendin, datën, orën. Data e konkurrimit do të jetë gjithmonë pas një muaji nga data e botimit të fundit.

4 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›