Tarifat që paguhen kur privatizohet një pasuri shtetërore
Në bazë të vendimit të qeverisë janë përcaktuar të gjitha tarifat se sa duhet të jepet me qira një objekt në bazë të metrave katrorë. Tarifa dysheme e detyrimit mujor për pasuritë shtetërore, që jepen me qira ose enfiteozë, caktohet si shumë e tarifës për ndërtesë, truallin e lirë, funksional, linjat teknologjike, makineritë e pajisjet, galeritë etj. Të gjitha këto tarifa përcaktohen nga specialistët, pasi është bërë vlerësimi i objektit dhe përcaktimi i veprimtarisë që do të përdoret. Për shembull, për sipërfaqen ndërtesë: brenda Unazës së vjetër të Bashkisë Tiranë jo më pak se 300 lekë/m2 në muaj; ndërsa jashtë Unazës, brenda vijave kufizuese të Bashkisë Tiranë, jo më pak se 200 lekë/m2 në muaj. Për ndërtesat që do të përdoren si zyra, zyra doganore, dyqane “duty free” dhe agjenci shërbimi në aeroporte apo dogana, jo më pak se 2500 lekë/m2 në muaj. Ndërsa për truallin e lirë, tarifa dysheme e qirasë mujore është 100 lekë/m2 në muaj. Bashkia ka përcaktuar që për truallin e lirë, funksional, tarifa dysheme e qirasë mujore është 20% e tarifës dysheme të detyrimit mujor. Trualli nën ndërtesë përfshihet në tarifën e qirasë së ndërtesës. Për terrenet sportive, tarifa dysheme e qirasë mujore është 50 lekë/m2 në muaj, brenda qytetit.
4 Korrik 2009