E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti i METE-s: Për ujë të pijshëm do të shfrytëzohen të gjitha burimet hidrike



Burimet hidrike me të cilat vendi ynë është mjaft i pasur mund të shfrytëzohen edhe për ujë të pijshëm, veç prodhimit të energjisë elektrike. Interesi është shfaqur me projekte të ndryshme në Ministrinë e Ekonomisë, nga investitorë të ndryshëm, që kërkojnë të shfrytëzojnë burimet hidrike krahas dhënies me koncesion të HEC-eve edhe për furnizimin me ujë të pijshëm. Shqipëria ka shfrytëzuar deri tani më pak se 40 për qind të totalit të burimeve hidrike të saj. Sipas METE-s, ka projekte për shfrytëzimin e potencialit hidrik të ujësjellësve, në të njëjtën kohë për ujë të pijshëm dhe për shfrytëzimin e energjisë elektrike. Të tilla projekte janë ende ide, por nëse një ditë do të propozohen konkretisht, do të duhet të bashkërendojmë punën midis institucioneve tona për t’i mundësuar komuniteteve tona më shumë ujë dhe drita, më shumë punë dhe mirëqenie. Shfrytëzimi i burimeve hidrike të vendit tonë është rritur ndjeshëm gjatë tre viteve të fundit. Një numër i madh koncesionesh janë dhënë për ndërtimin e hidrocentraleve në të gjithë vendin. Qeveria ka lidhur kontrata për 103 hidrocentrale, një kapacitet prodhues prej 1 mijë megavat dhe një investim që arrin në mbi 2.1 miliardë euro. Hidrocentrale me koncesion janë marrë jo vetëm nga investitorë të huaj, por edhe vendas.

AMF: Në 5 muaj sigurimet vullnetare janë rritur me 49 për qind

Shqiptarët kanë paguar më shumë para për sigurime gjatë muajve të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008, si rezultat i sigurimit të banesave kundër zjarreve, shëndetit, kushteve të vëna nga sistemi bankar për marrje kredish, etj. Sipas raportit të AMF-së, në periudhën janar-maj 2009, vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 1,503 milionë lekë me një rritje prej 49 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 54 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Referuar AMF-së, në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 779 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë sigurimet ndaj zjarreve dhe dëmtimeve në pronë, me rreth 48 për qind, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 31 për qind dhe më pas vjen sigurimi i garancive me 11 për qind. Në portofolin "Zjarri dhe rreziqet shtesë", ndihet një rritje prej 12 për qind e numrit të kontratave të sigurimit dhe me rreth 28 për qind e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli. Në periudhën janar-maj 2009, sigurimet e përgjegjësisë kanë qenë të larta. Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në këtë periudhën për vitin 2009 arritën në vlerën 174 milionë lekë, me një rritje prej 83 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008.

4 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›