Lohja: “Në San Paolo e pamundur të përmbysim rezultatin”
Vllaznia do të luajë të enjten kundër Napolit në “San Paolo” një nga ndeshjet më të mëdha të saj në arenën ndërkombëtare, edhe pse takimi i parë i luajtur në Shkodër, më 14 gusht në “Loro Boriçi” e i përfunduar 3-0 në favor të napolitanëve, nuk i jep skuadrës shkodrane asnjë shpresë për t’u kualifikuar në turin e tretë eliminator.
EKSPERIENCË - I intervistuar nga radio italiane “Kiss Kiss Napoli”, menaxheri i ekipit të Vllaznisë, Armando Lohja, ka dhënë edhe disa deklarata në lidhje me sfidën e 28 gushtit kundër ish-skuadrës së Digo Armando Maradonës, të cilat janë publikuar në faqen e mbështetësve të Napolit, napolisoccer.net. “Rezultati i ndeshjes së parë nuk i lë Vllaznisë shpresa për kualifikim, megjithatë do të shkojmë në ‘San Paolo’ me vetëdijën për të luajtur në një stadium që ka pritur shumë kampionë. Për ne do të jetë një eksperiencë e rëndësishme”, - thotë zyrtari i lartë shkodran. Në “Loro Boriçi” ishin të pranishëm rreth 300 tifozë të Napolit.
LAVECI - Kundër Vllaznisë në ndeshjen e kthimit do të luajë edhe sulmuesi argjentinas Ezekuiel Laveci, i porsa kthyer nga Kina me arin olimpik, por shanse për të luajtur kanë dhe uruguajani Valter Gargano, i cili mund të luajë disa minuta për të ardhur në formë përpara ndeshjes së javës së parë në Serinë A kundër Romës. Edhe Marcelo Zalajeta është i gatshëm kundër skuadrës shqiptare, dhe me këta lojtarë trajneri Edi Reja pret ndoshta edhe një rezultat më të thellë.
E PAMUNDUR - “Jam i befasuar nga nxehtësia e tifozëve napolitanë, që në Shkodër ishte shumë e ngrohtë dhe pasionante. Do të vijmë në Napoli për të bërë ndeshjen tonë. Do të jetë një eksperiencë e mrekullueshme, në të cilën shpresojmë se do t’i vëmë në vështirësi ‘axurrët’, edhe pse e dimë se do të jetë e pamundur të përmbysim rezultatin e ndeshjes së parë”. Në “Loro Boriçi”, Vllaznia rezistoi vetëm 28 minuta, përpara se braziliani Pia të realizonte golin e parë. Po ky lojtar shënoi me fillimin e pjesë së dytë (47’), ndërkohë që rezultatin 3-0 e vulosi argjentinasi Denis (74’).
XHAKETA TURKE - UEFA ka përcaktuar prej disa ditësh edhe gjyqtarët e sfidës së kthimit. “Katërshja” turke do të kryesohet nga Firat Ajdinus me ndihmës të tij Serkan Ok dhe Kemal Bingul. Gjyqtari i katërt do të jetë Koraj Gensherler. Në ndeshjen e parë të luajtur në Shkodër gjykuan arbitra rusë të kryesuar nga Igor Egorov.
KUPA UEFA
Turi i dytë
Eliminator
Ndeshja e parë
14.08.2008
Vllaznia-Napoli 0-3
Ndeshja e kthimit
28.08.2008
Napoli-Vllaznia 21:00
NAPOLI-VLLAZNIA, 10 EURO
Mediat italiane të afërta me Napolin e kanë ndjekur ecurinë e Vllaznisë në javën e parë të kampionatit shqiptar, dhe kanë raportuar lajmin e barazimit 0-0 me Tiranën në javën e parë të Superligës. Takimi Napoli-Vllaznia do të luhet më 28 gusht (ora 21:00) dhe do të transmetohet nga “Sky”, por me pagesë në sistemin “Pay per view” (paguaj që të shikosh), me një kosto financiare prej 10 euro, teksa napolitanët shpresonin se mund ta shihnin ndeshjen falas, kjo dhe për shkak të rezultatit 3-0 të ndeshjes së parë.
26 Gusht 2008