E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, ekspeditë në parkun arkeologjik të Orikut



Në mjediset e Parkut Arkeologjik të Orikut, në muajin shtator, 25 km larg Vlorës, do të nisë punën një ekspeditë e përbashkët shqiptaro-zvicerane, e cila do të fokusohet në disa aspekte të caktuara të këtij qyteti antik. Drejtori i parqeve arkeologjike “Amantia-Orikum”, Gëzim Llojdia ka vlerësuar se kjo ekspeditë do të punojë për të realizuar gërmime në kodrën e Paleokastrës, të kësaj qyteze, ku pritet të ketë rezultate mjaft të mira. Ekspedita drejtohet nga arkeologu, Myzafer Korkuti dhe përbëhet nga specialistët, Vasil Bereti, Saimir Shpuza dhe një grup arkeologesh zviceranë. Kjo ekspeditë, është e para e këtij lloji, që realizohet në parkun e Orikut, qysh në vitin 1958, kur u zbulua kjo qytezë antike. Ekspedita e mësipërme, pason dy të tjera që, kanë nisur gjatë këtij muaji, në zonat me interes arkeologjik, në rrethin e Vlorës. Gëzim Llojdia, tha se, “Ministria e Turizmit, Kulurës, Rinisë dhe Sporteve, me interesimin e ministrit, Ylli Pango dhe drejtorit të Trashëgimisë Kombëtare Olsi Lafe, e ka shpallur këtë sezon, “vera arkeologjike”. Llojdia bëri të ditur se, ekspedita e parë filloi punën në gjirin e Vlorës, në kuadrin e projektit “Liburna”, me drejtues, specialistin Adrian Anastasi, drejtor i arkeologjisë nënujore dhe G. Volpe, rektor i Universitetit të Foxhia (Itali). Kjo ekspeditë, e përbërë nga 18 specialistë, ku përfshihen edhe studentë italianë të arkeologjisë, ka nisur punën për përpilimin e hartës arkeologjike të zonës nënujore të gjirit të Vlorës e më gjerë. Sipas Llojdisë, është në proces, survejimi arkeologjik shqiptaro-amerikan i Parkut Arkeologjik të Amantias, i cili është një projekt i përbashkët, i Institutit të Arkeologjisë, Universitetit të Sinsinatit (SHBA), Zyrës së Parkut Arkeologjik të Amantia-Orikumit, i financuar nga Qendra për Trashëgiminë Shqiptare, që mbështetet nga “Packard Humanite Institute”. Në grupin e arkeologëve të kësaj ekspedite survejuese-informative, që është pararendëse e ekspeditës që parashikon gërmime të mirëfillta arkeologjike gjatë vitit 2009, bëjnë pjesë specialistë shqiptarë e amerikanë, prof. Shpresa Gjongecaj, drejtore e projektit dhe drejtore e Institutit të Arkeologjisë, arkeologu i këtij instituti, prof. Ilir Gjipali. Prof. Ass.Dhimitër Çondi, arkeologu amerikan prof. dr. Devid Hernandes, i Universitetit Sinsinati në SHBA, arkeologia angleze Mast etj.

26 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›