Lezhë, gjurmë të reja mbi qytetërimin antik Lissus
Gjurmë të reja mbi qytetërimin e shekullit 3 – 1 P. E. S në zonën Arkeologjike të Lezhës. Ekspedita Shqiptaro – Gjermane, e cila për të tretin vit radhazi, çdo muaj gusht vjen në Lezhë vazhdon të shohë gjurmë të reja mbi lashtësinë dhe qytetërimin e kësaj zone. Lashtësia e Akropolis dhe Lissusit vazhdon të prodhojë fakte të reja të cilat e rendisin tashmë Lissusin antik ndër qytetet e para Ilire, si Durrësi, Apollonia, Shkodra, Berati, Butrinti, etj dhe të gjitha së bashku përbëjnë djepin e qytetërimit të Shqipërisë së lashtë. Gjatë kësaj ekspedite Bashkim Lahi, arkeolog është shprehur se, “këtë vit, në këtë fazë të gërmimeve jemi në gjurmët e një banese, e cila sipas parashikimeve të para mund t’i përkasë periudhës së gjysmës së parë të shekullit të dytë Para Erës Sonë”. Ekspedita është fryt i një bashkëpunimi afatgjatë të Institutit Gjerman dhe atij Shqiptar dhe qëllimi i këtij projekti është pikërisht nxjerrja e të dhënave mbi këtë periudhë, e cila përkon pikërisht me Shekullin e 3- 1 Para Erës Sonë. Projekti i punimeve arkeologjike në qytetin e Lezhës ka nisur në vitin 2006, ku u zbulua një mozaik i shek II para Krishtit, me një mbishkrim. Arkeologët kanë konkluduar se Lezha është një vendbanim ilir. Ndërsa zona ku po kryhen gërmimet ngjitur me vendvarrimin e Skënderbeut është pjesë e qytetit të Poshtëm antik, pasi vetë periudha e krijimit të qytetit të lashtë të Lezhës së sotme ka tre periudha; - Akropoli i Lashtë, i cili në bazë të gjetjeve të mëparshme nga arkeologë dhe studiues, daton në shekullin 11-9 Para Krishtit, më pas banorët e zhvendosën ndërtimin e qytetit në, - Qytetin e Mesëm, i ngritur në shekullin e 6-5 Para Krishtit e më pas. - Qyteti i Poshtëm e Porti Lumor mbi të cilin ka ende 2 versione, të cilat paraqiten nga historianët vendas e të huaj.
26 Gusht 2008