Dijet nën torturë
Pastaj mendja më shkoi te historianët tanë, te tekstet e tyre të historisë, te godina e re e Instituti të Historisë dhe gjëra të këtilla. Unë nuk i pëlqej historianët tanë dhe mënyrën si shkruajnë ata. Por kjo nuk më jep të drejtë të them se origjina ime është e dyshimtë, madje bastarde, vetëm për shkak se historianët tanë në tekstet e tyre shkollore dhe shkencore e kanë shpjeguar keq origjinën ilire të shqiptarëve. Nuk kam të drejtë as të mohoj Skënderbeun, Lidhjen e Prizrenit etj. për shkak se mënyra si kanë shkruar ata është joshkencore, e mbushur romantizëm nacional primitiv. Po kaq nuk më jep të drejtë të them me nëntekst se ne, për shkak se e shkruajnë keq historinë, nuk duhet të kemi Institut të Historisë. Institucionet dhe funksionin e tyre duhet ndarë nga njerëzit që punojnë keq atje brenda. Pse, për shkak të një qeverie të keqe, çfarë i kemi pasur mjaft deri tani; të një kuvendi që nuk e ka as nivelin e “mexhliseve” të dikurshme; të ministrave e ministrive që abuzojnë nga të katër anët, tani të themi se nuk na duhet shteti...? Kjo është logjika dr. Adhamudhit, të atij personazhit të mrekullueshëm të dramës “Pas vdekjes” së Çajupit, të cilin nuk ia dolëm ta mësonim asnjëherë si duhet, tani më pak se përpara. Dhe ai, fakiri, dr. Adhamudhi, modern dhe patriot njëkohësisht, kishte zbuluar mënyrën e tij si t’i mjekonte dhembkat e njerëzve: nëse të dhemb gishti, preje dorën; nëse të dhemb syri, nxirre krejt, thoshte ai. Me një fjalë, nëse s’të pëlqejnë shkencat albanologjike te ne, përfshirë edhe historinë kombëtare, mbylli të gjithë institucionet radhazi, pa çka se është e vetmja trashëgimi me vlerë në këtë vend. Pse, mendoni se ka diçka më me vlerë në sociologji, psikologji, jurisprudencë, ekonomi etj., e të mos flasim për shkencat ekzakte dhe natyrore?
Atëherë, pra, pse disa njerëz, kryesisht të proveniencës së tri-katër kafeneve të rrugës “Goleshi” (nuk di si quhet tani), me një trashëgimi të shartuar ideore dhe ideologjike, u turren vetëm atyre dijeve që përbëjnë identitetin e këtij vendi dhe të këtyre njerëzve? Përse i turren një herë gjuhës, pastaj historisë, pastaj dijeve të tjera albanologjike? Pse nuk i shikojnë tekstet e fushave të tjera, që të shohin se çfarë kasaphane ka atje? Pse nuk i shikojnë, bie fjala, ligjet që bëhen sot në Kosovë, në një kohë që dihet se Fakultetin Juridik në Prishtinë e kemi që më shumë se dyzet vjet? Pse nuk e shikojnë Kushtetutën e Kosovës, si është shkruar ajo dhe çfarë ka brenda? Fundja, nga plagjiaturat e shëmtuara të teksteve universitare, pse nuk u apostrofua asnjë tekst i dijeve albanologjike, madje as i historisë? Përgjigja është një dhe e vetme: nëse në këtë vend është bërë sadopak shkencë, në këto dije mund të jenë shënuar disa rezultate. Në fushat e tjera është shkretëtirë fare. Fundja, as në gazetari, ku zakonisht gjallojnë dhe mbijetojnë ide konfuze dhe kontraverse, nuk është asgjë më mirë. Edhe ajo është e përfshirë në mesataren gri, në të cilën jetojmë që prej një kohe të gjatë.
Në këtë kuadër, mbase nuk është keq të sjellim në kujtesë pikërisht tani, se fushatën kundër të gjithë institucioneve me parashenjë kombëtare, disa vjet përpara, e patën filluar njëfarë Daxneri dhe Gonzalo, njëri në arsim dhe shkencë, tjetri në kulturë. Ata donin të mbyllnin Akademinë, Institutin Albanologjik, Institutin e Historisë, Teatrin Kombëtar, të gjitha. Ky Daxneri, madje, këtu te ne, te ky Universitet që ai donte ta shkërdhente në të gjitha format, mori edhe titullin profesor, të cilin nuk e kishte pasur më parë. Pastaj iku në Beograd. Për Gonzalon nuk di gjë, por “legjenda” e tij, e njeriut që heq pantallonat dhe shfaq prapanicën nëpër zyrat e UNMIK-ut, vazhdon të jetojë akoma. Besoj se dikujt në Kosovë edhe sot i mungon prapanica e tij. Por akoma më brengosës është fakti se ata, te një pjesë e mileut tonë arritën të rrënjosnin averzionin ndaj këtyre institucioneve.
Këtë refuzim dhe averzion e vazhduan edhe të tjerët pas tyre, derisa nuk u bë një si vetëdije “civile” në disa qarqe që masturbojnë mbi kulturën, shkencën, gazetarinë etj. U bë edhe një lloj vetëdije e dytë e institucioneve tona, tani edhe të shtetit të Kosovës, të cilët këtë fushë e trajtojnë disi me urrejtje. Kjo medalje e shëmtuar ka edhe anën tjetër të saj, anën “autentike”. Nëntëdhjetë për qind e bartëseve të punëve të pushtetit dhe të punëve publike te ne, përfshirë edhe gazetarinë, fillimisht kanë shfaqur ambicie që të bëhen emra me nam në këto fusha. Kryesisht nuk ia kanë dalë, kanë mbetur mediokritete. Prandaj kanë sedër të lënduar dhe e torturojnë shkencën, artin, kulturën, përfshirë edhe institucionet e tyre.
Pra, këto institucione kanë nevojë për reformë dhe jo për torturë publike ose shtetërore.
Përse shteti nuk e bën këtë reformë, meqë ai është shpallur mecen i tyre? Nuk bëhet reformë në Institutit Albanologjik, ta zëmë, duke ngarendur ministritë për ta bërë drejtorin të kësaj apo asaj partie dhe duke krijuar afera të shëmtuara publike. Instituti Albanologjik nuk është reformuar as me emër, as me organizim të brendshëm, që shumë vjet, mbase që nga themelimi i tij. Ai, në koncept, ka mbetur institut i autonomisë së Kosovës, institut që studion albanologjinë si dije e minoritetit shqiptar në ish-Jugosllavi. Prandaj brenda tij akoma bëhet etnologji, etnografi, etnomuzikologji, folklor, gjuhësi, letërsi, histori, arkeologji etj. Tani që Kosova është shtet, nuk mund të ketë një institucion shkencor me një koncept të këtillë. Se sa paradoksale është kjo situatë, do të sjell një shembull: ndonëse kemi mungesa të mëdha në fushën e arkeologjisë (në kuadër, në investime, në projekte), arkeologjia te ne bëhet paralelisht në Institutin e Arkeologjisë, në Muzeun e Kosovës, në Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve, në Institutin e Historisë dhe në Institutin Albanologjik, në një kohë që profesionistët e kësaj fushe në Kosovë mund t’i numërojmë me gishtat e dorës.
Natyrisht, nuk është vështirë të gjendet një zgjidhje, nëse nuk shfaqet diku ndonjë dr. Adhamudh që thotë: Prejani kokën, se i paska dalë një bengë në maje të kresë! Instituti Albanologjik duhet të pushojë së ekzistuari si i këtillë dhe të zëvendësohet me një Qendër të Studimeve Albanologjike, në kuadër të të cilit do të punonin së paku katër institute: Instituti i Kulturës Popullore, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Instituti i Historisë dhe Instituti i Arkeologjisë. Godina e tanishme e Institutit Albanologjik, tash për tash, do të mjaftonte për këtë Qendër të Studimeve Albanologjike. Ndërkaq, se kush do të punonte në këto institute dhe çfarë projektesh do të realizoheshin atje, më besoni (sepse një jetë të tërë e kam kaluar duke ndjekur zhvillimet në këto fusha, si koleg i juaji) se kjo nuk është punë e gazetarëve dhe as e “shoqërisë civile” nga rruga “Goleshi”.
Tani për godinën e re të Institutit të Historisë. Se kjo godinë është produkt korruptim i një qeverisjeje të shëmtuar, këtë tashmë e dinë të gjithë. Ideja se kjo godinë e re mund të bëhet Bibliotekë Universitare, nuk është e mirë. Për Bibliotekë Universitare, si institucion më vete, tani për tani nuk kemi nevojë. Madje edhe Bibliotekës së tanishme duhet t’i hiqet atributi “Universitare” dhe të mbetet vetëm “Kombëtare”. Universiteti do të duhej të themelonte një departament në kuadër të Rektoratit, i cili do të menaxhonte bibliotekat dhe sallat e leximit nëpër secilin fakultet, madje edhe degë e drejtime, ku ekziston mundësia dhe nevoja për këtë. Hapësira të tilla ka mjaft dhe bibliotekat e tilla kanë ekzistuar, derisa disa syresh nuk i shkatërruam vetë, duke i mbyllur ose duke ua vjedhur fondet dhe inventarin. Ndërsa godina e re, e menduar për Institut të Historisë, do të duhej të bëhej Qendër Kulturore e Universitetit të Prishtinës. Tridhjetë e pesë mijë studentët e Universitetit të Prishtinës nuk kanë një vend ku të bëjnë një gram kulturë. Për argumente të tjera besoj se nuk ka nevojë.