FMN mosbesuese për buxhetin e ri, ekonomia s’ka fuqi të paguajë kaq taksa
Ministria e Financave tha dje se buxheti i vitit që vjen do të ketë 1 miliardë dollarë më shumë se sa këtë vit, dhe se e tërë kjo është e bazuar në ecurinë e mbledhjes së të ardhurave për këtë vit. Buxheti i vitit që vjen do të shkojë në tetor në parlament, tha ministria e Financave. Ekonomia shqiptare është një ekonomi që rritet me 6 për qind në vit, do me thënë është një ekonomi me rreth 600 milionë dollarë në vit (GDP jonë është rreth 10 miliardë) dhe qeveria shqiptare mendon se kjo ekonomi mund të japë më shumë taksa brenda një viti, në masën e rreth një miliard dollarëve. Këtë gjë qeveria shqiptare e ka përllogaritur dhe po përpiqet ta bëjë ligj në bazë të ecurisë së gjashtë muajve të parë të këtij viti, ku të ardhurat ishin afërsisht 7- 13 për qind më të larta se sa vjet, në varësi të llojit të tatimit nga vinte kjo e ardhur. Kryesisht të ardhurat e gjashtë muajve të këtij viti patën rritjen më të madhe në tatimin mbi vlerën e shtuar dhe kjo është e qartë se ka ndodhur për shkak të rritjes së çmimeve. TVSH është mbledhur në përqindje të njëjta prej disa vitesh. Një tatim tjetër që kontribuoi ndjeshëm në të ardhurat e gjashtë muajve qe edhe tatimi mbi të ardhurat personale dhe kjo është e qartë se ngritja e taksës nga 1 për qind në dhjetë për qind për pagat deri në 40 mijë lekë ka pasur efektin, sepse vendi ynë në masën 94 për qind përbëhet nga punonjës me paga poshtë 40 mijë lekëve. Pra ka pasur një rritje të taksës me disa herë. Pavarësisht këtyre rritjeve, ekonomia nuk mundet assesi të prodhojë një sasi të tillë të ardhurash për buxhetin e shtetit që është një miliard dollarë më e lartë se sa këtë vit. Në të vërtetë qeveria duket se ka parashikuar edhe një deficit buxhetor, por deri me tani ajo nuk ka thënë asgjë. Deri më tani është bërë publike vetëm shifra e shpenzimeve prej 5,2 miliardë dollarësh. Qeveria është kujdesur që kjo të shihet si arritje e madhe pa dhënë asfare detaje. Delegacioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar që po bisedon me qeverinë shqiptare për termat e buxhetit, do me thënë për zërat e tij me detaje, i ka kërkuar qeverisë që të hartojë një buxhet shumë më të balancuar dhe të kujdeset që borxhi të jetë shumë më i ulët se sa këtë vit. FMN-ja ka shfaqur mosbesim të qartë për shifrën e 5.2 miliardë dollarëve dhe ka kërkuar që qeveria të marrë parasysh mundësitë reale të mbledhjes së të ardhurave në nivele kaq të larta. Delegacioni i FMN-së duket se do ta detyrojë qeverinë që ajo të ulë në mënyrë të ndjeshme borxhin publik dhe të mos valëzojë mes shifrash të tilla të pazakonta të mbledhjes së të ardhurave. FMN e ka quajtur një problem për ekonominë shqiptare potencialin e saj taksapagues.