Ndoka: “Mbyllja e hetimit, nënshtrim i Drejtësisë ndaj pushtetit të Berishës”
Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Demokristiane, njëkohësisht përfaqësues i koalicionit “Opozita e bashkuar”, Nard Ndoka, e ka cilësuar mbylljen e hetimit për zgjedhjet nga ana e Prokurorisë së rrethit të Shkodrës, një ogur të keq për Shqipërinë. Sipas tij, ky vendim tregon dështimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Ndoka ka bërë të ditur se gjatë hapjes së kutive nga Prokuroria e Shkodrës nuk ka qenë i pranishëm përfaqësuesi ligjor i PDK-së, gjë që e bën të pavlefshëm vendimin dhe delegjitimon të gjithë procesin e hetimit. Më tej Ndoka ka akuzuar Berishën dhe përfaqësues të maxhorancës së kanë ushtruar presion ndaj prokurorëve të rrethit të Shkodrës, madje dhe se kanë manipuluar provat e depozituara nga PDK-ja.
Akuzat
“Ne emër të Opozitës së Bashkuar shpreh keqardhjen e thellë për dështimin përfundimtar të Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Shkodër, për hetimin e zgjedhjeve. Mbyllja e hetimit të zgjedhjeve nga ana e prokurorisë, duke manipuluar provat e vjedhjes së votave, përbën një ogur shumë të keq për Shqipërinë. Kjo tregon dështimin e plotë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, nënshtrimin e tij para arrogancës dhe presioneve të pushtetit të Sali Berishës”, - është shprehur Ndoka. Sipas tij, qëndrime të tilla në kundërshtim me ligjin e organit të akuzës krijojnë një situatë alarmante, që duhet të shqetësojë jo vetëm politikanët e opozitës, por çdo qytetar shqiptar. Ndoka bëri të ditur se përfaqësues të maxhorancës kanë ushtruar presion ndaj prokurorëve të çështjes. “Ne kemi informacione të sigurta për presionin e vazhdueshëm që u është bërë prokurorëve që hetonin çështjen nga eksponentët më të lartë të maxhorancës, duke iu bërë kërcënime nga më të ndryshmet e më të frikshmet, fakte këto që ne i kemi denoncuar publikisht edhe më parë. Në një situatë të tillë të rëndë, prokurorët u mposhtën përballë presionit të pushtetit, duke u bërë palë në krimin elektoral të 28 qershorit, duke shtuar edhe një rast dramatik në listën e gjatë të betejave të humbura të Drejtësisë shqiptare përballë pushtetit”, - është shprehur Ndoka.
Padia
Partia Demokristiane denoncoi në Prokurorinë e Rrethit Shkodër me prova filmike vjedhjen e zgjedhjeve në qarkun e Shkodrës dhe konkretisht në KZAZ-të 40 dhe 42, duke kërkuar hapjen e pesë kutive të votimit dhe ndëshkimin e fajtorëve. Ky denoncim është kryer në përputhje me ligjin 15 muaj më parë. “Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër iu desh një vit për të tërhequr nga KQZ-ja pesë kuti votimi dhe për të provuar manipulimet, kur realisht duheshin maksimumi vetëm dy-tri javë hetim. Jemi në dijeni se KQZ-ja refuzoi për shumë kohë dorëzimin e këtyre kutive prokurorëve që hetonin çështjen dhe kur pas një viti vendosi t’i dorëzojë këto kuti, u përpunuan nga ekspertët manipulues të Partisë Demokratike, të urdhëruar nga kryeministri Berisha. Hapja e kutive nga Prokuroria pa prezencën e përfaqësuesit tonë ligjor, si palë në proces, është shkelje e rëndë procedurale dhe deligjitimon krejt hetimin”, - është shprehur Ndoka. Ai i bëri thirrje Berishës në emër të Opozitës së Bashkuar që të heqë dorë nga mashtrimet dhe të lejojë transparencën e zgjedhjeve. “Në emër të Opozitës së Bashkuar i bëj thirrje kryeministrit Berisha të heqë dorë nga demagogjia dhe mashtrimet dhe të pranojë pa kushte ofertën e opozitës për hetimin parlamentar të zgjedhjeve. Kjo është e vetmja mënyrë për ta nxjerrë vendin nga kriza politike dhe institucionale ku e ka futur vendin kryeministri i papërgjegjshëm, që me paaftësinë, mashtrimet, arrogancën, primitivizmin dhe dhunën e tij të vazhdueshme mbi institucionet, ligjet dhe opozitën, është kthyer në sekretarin e Partisë të vitit nëntëdhjetë, kur i kërkonte Ramiz Alisë pluralizmin e mendimit në vend të pluralizmit politik”, - ka përfunduar kreu i demokristianëve.
BOX
Topalli: “PS-ja nuk ka më kauzë për transparencën e zgjedhjeve”
Pas vendimit të marrë nga Prokuroria e Shkodrës, ka reaguar dje në seancë parlamentare, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila është shprehur se opozita nuk ka më kauzë transparencën e procesit zgjedhor. Sipas saj, hapja e kutive në Shkodër vërtetoi se nuk ka pasur manipulim të procesit zgjedhor dhe se zgjedhjet e vitit 2009 janë më të mirat të mbajtura ndonjëherë në Shqipëri. “Po ndërhyj për shkak të një vendimi të rëndësishëm të mbylljes së një çështjeje hetimi mbi atë që ju prej dy vjetësh e quanit kauza juaj, kauza e transparencës; kauza juaj, kauza e hapjes së kutive; kauza juaj, kauza se si ishin manipuluar zgjedhjet dhe votat në Shkodër. Merreni me vete dhe përplasjani në kokë zotit Rama! I thoni kryetarit tuaj ‘ja vendimi i Prokurorisë pikë pas pike, një më një’. T’i kërkoni falje Shkodrës, t’u kërkoni falje shqiptarëve dhe ai t’ju kërkojë juve të falur për atë që ju bëri. Nuk ju la për 6 muaj rresht të hyni në Parlament, për 6 muaj rresht u përpoq me të gjitha mënyrat që ju të humbnit mandatet”, - është shprehur Topalli, ndërsa i cilësoi zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë. “Këto janë zgjedhjet më të mira që kanë bërë shqiptarët; këto janë zgjedhjet dhe ky vendimi i një institucioni të pavarur. Kjo është arsyeja se pse ai nuk shkoi në prokurori. Kjo është arsyeja pse nuk shkoi në Strasburg, pse nuk shkoi në Gjykatën Kushtetuese, pse nuk shkoi në Komisionin e Venecias”, - është shprehur Topalli gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend.
Shkurte
Haxhinasto takon drejtorin e Çështjeve Demokratike në KE, bisedohet për reformën zgjedhore
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti dje në një takim drejtorin e Pёrgjithshёm të Drejtorisë së Çёshtjeve Demokratike dhe Politike tё Këshillit të Europës, Zhan-Luis Lorens. Gjatë takimit, dy bashkëbiseduesit diskutuan një sërë çështjesh me interes të përbashkët për Shqipërinë dhe KE-në. Ata ndanë mendimin se Shqipëria, 15 vjet pas anëtarësimit në KE, është partnere dhe kontribuuese e denjë e vlerave themelore të kësaj organizate. U vlerësua roli konstruktiv i Shqipërisë në rajon, në funksion të paqes dhe stabilitetit, si dhe veprimtaria e Shkollës Politike shqiptare të KE-së. Ministri Haxhinasto ripërsëriti qëndrimin e qeverisë shqiptare për të përfunduar në kohë reformën zgjedhore dhe theksoi se angazhimi i opozitës në këtë proces është tregues i rëndësishëm i vërtetësisë së kërkesave të saj. “Reforma zgjedhore duhet të garantojë barazinë e konkurrimit dhe të votës”, - është shprehur Haxhinasto. Duke u ndalur te raporti i raportuesit të Asamblesë Parlamentare të KE-së, Dik Marti, Haxhinasto rikujtoi se në vitin 2004, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, si i vetmi organ ndërkombëtar i kualifikuar dhe i mandatuar për të hetuar krimet e kryera në ish-Jugosllavi, i ka hedhur poshtë pretendimet se në Shqipëri dhe Kosovë është kryer trafik organesh, duke i cilësuar ato si të pabazuara në prova. Ministri theksoi se një raport i tillë nuk pasqyron frymën e përgjegjshmërisë dhe maturitetit që përçon Këshilli i Europës. Ministri shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin intensiv mes Shqipërisë dhe KE-së.
17 Dhjetor 2010