E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dikel: Basketbolli të ndryshojë mentalitet!



Që nga 5 maji i këtij viti, përfaqësuesja shqiptare e basketbollit të meshkujve drejtohet nga basketbollisti i mirënjohur neozelandez, Mark Dikel. 34-vjeçari, i cili luan ende në kampionatin grek të basketbollit, erdhi në krye të pankinës së Shqipërisë falë një përvoje të gjatë me klubet dhe me përfaqësuesen e vendit të tij, me të cilën ka arritur deri në gjysmëfinalen e Botërorit të 2002-shit. Në një intervistë për Televizionin Shqiptar, Dikel ka dhënë përshtypjet e tij për këtë përvojë të re, si dhe objektivat që ai ka në drejtimin e përfaqësueses kuqezi të koshit.
Cilat janë përshtypjet tuaja të deritanishme për Shqipërinë?
Më pëlqen Shqipëria. është një vend i bukur, një vend interesant dhe që më pëlqen.
Ju jeni lojtar, por edhe trajner në të njëjtën kohë. Si ndjeheni me këtë rol të dyfishtë?
Natyrisht është një përvojë interesante. Të qenit lojtar dhe trajner janë dy gjërat krejt të ndryshme, por në të njëjtën kohë, ajo që i bashkon është basketbolli. Ajo që unë po mundohem t'u përcjell lojtarëve të mi është që mbi të gjitha duhet të ndryshojnë mentalitetin e tyre.
Ju keni ardhur në Shqipëri me një projekt afatgjatë. Cilat janë përshtypjet tuaja për këtë skuadër dhe a keni objektiva konkretë në këtë detyrë?
Objektivi kryesor është që të luajmë më mirë se ç'luajtëm ndaj Azerbajxhanit. Mendoj që kemi një skuadër të mirë, por këtë duhet ta tregojmë në parket. Lojtarët kanë bërë një lojë më të mirë në stërvitje, por që nuk përputhej me atë që dhanë ndaj Azerbajxhanit. Objektivi afatshkurtër është të luajmë më mirë sesa në ndeshjen paraardhëse, ndërsa ai afatgjatë është që të kemi një skuadër që të luajë mirë ndaj çdo kundërshtari. Më kënaq fakti që projekti im përputhet me atë të presidentit Avni Ponari, sekretarit të përgjithshëm Korab Llazani dhe drejtuesve të tjerë të Federatës Shqiptare të Basketbollit, që është shmangia e ulje-ngritjeve të mëdha në lojë dhe një vazhdë gjithnjë në ngritje të paraqitjes së rezultateve tona.
çfarë nuk funksionoi ndaj Azerbajxhanit?
Ne nuk luajtëm mirë në sulm ndaj Azerbajxhanit, pasi në ndeshjet stërvitore kemi realizuar 75-80 pikë, shifra që do të na kishin mjaftuar për ta fituar takimin. Pra, nuk dhamë atë që mundemi dhe mbase edhe presioni mbi lojtarët për të gjetur fitoren ndikoi në lojën e tyre. Natyrisht që jemi të zhgënjyer me humbjen, por kemi edhe ndeshje të tjera për të luajtur dhe duhet të fokusohemi te takimi i radhës.
Takimi i radhës është Bjellorusia. Sa e njihni kundërshtarin dhe çfarë prisni nga ky takim?
Unë mendoj se ata kanë një skuadër të mirë, pasi me përfaqësuesen e vendit tim jam ndeshur disa herë. Por besoj se po të shkojmë atje si të barabartë, të luajmë si të tillë, mund edhe të marrim një rezultat pozitiv.
A keni ndonjë objektiv të paracaktuar nga federata për këto ndeshje eliminatore?
Natyrisht që prej nesh kërkohet të fitojmë çdo ndeshje, por mendoj që për momentin kërkohet të përmirësojmë lojën tonë. Prandaj nuk ka ndonjë objektiv në shifra, por është e rëndësishme që brenda dy-tre viteve të ardhshme loja jonë të jetë përmirësuar ndjeshëm, çka do të sjellë edhe rezultatet pozitive.
Ju folët më parë për ndryshimin e mentalitetit të kësaj skuadre?
Unë kam vërejtur se mentaliteti i kësaj skuadre deri më tani është se prej tyre nuk pritet edhe aq. Dhe synimi im, ashtu sikundër edhe i drejtuesve të federatës është që ta ndryshojmë këtë mentalitet. Nuk ka arsye pse Shqipëria të mos paraqitet mirë në basketboll, por për këtë duhet të ndryshojë mentaliteti i këtij ekipi. Unë mendoj se duke i marrë gjërat hap pas hapi, ne do të mundemi ta ngremë nivelin e basketbollit shqiptar në kuota të respektueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›