Gjoka: Në ekip dua vetëm ushtarë
Me ardhjen e trajnerit Gjoka, në
krye të fierakëve, gjërat po ndryshojnë për mirë. Tekniku nuk do të ketë në skuadrën e tij lojtarë, që do ta kenë të sigurt vendin si titullar në formacionin fierak. Në të do të bëjnë pjesë ata që e meritojnë. Kjo ka ndezur dëshirën te futbollistët e skuadrës fierake për të punuar sa më shumë e me profesionalizëm në këtë periudhë përgatitore. Sepse ata kërkojnë që të arrijnë më të mirën e mundshme në drejtim të rritjes së parametrave të tyre individualë, kjo në të gjitha aspektet. Trajneri Gjoka po punon me kërkesë të lartë llogarie, për të injektuar tek futbollistët filozofinë e tij të lojës.
Të rinjtë
Apolonia është ndërtuar pothuajse nga e para, pas largimit të 9 lojtarëve me eksperiencë, të cilët përfunduan sezonin me fierakët. Boshllëqet e krijuara prej tyre janë mbushur me lojtarë të rinj, mes të cilëve edhe 18-19 vjeçarë si Prifti, Goxhaj, Millo etj. Mosha mesatare e ekipit nuk shkon më shumë se 21 vjeç. Nga burime brenda stafit teknik mësohet se lojtarët e rinj do të kenë prioritetin e duhur nga trajneri Gjoka, në mënyrë që jo vetëm të arrihet synimi, që është ngjitja në Kategorinë Superiore, por dhe që ekipi të ketë qëndrueshmëri e perspektivë. Faktet tregojnë se tekniku Gjoka po kërkon të bëjë një hap të madh në këtë drejtim. Vite më parë ka tentuar trajneri Duro ta bëjë një gjë të tillë, kur drejtoi për pak kohë Apoloninë, po nuk u la, pasi u kërkua me çdo kusht rezultati. Për pasoj ai u pengua të rinovojë gradualisht ekipin, duke ndërthur lojtarët me përvojë me ata më të rinj.